Në Republikën e mjeruar të Shqipërisë…në Mëmëdheun tim me pesëqind e një halle .. dy gra, ose femra, ose quajini si të doni, na qenkan puthur. Po, pikërisht m’u në sheshin “Skënderbe”, të premten që kaloi me datë 8 nëntor, gjatë Marshimit Dyke.
Por nejse, në fund të fundit nuk mund të quhet gjë tjetër veçse “Dashuri në kohërat e kolerës”, gjëra që kanë ndodhur dhe do të ndodhin. “Për këtë bëhen dhe filma “, apo jo? Gjithsesi, në këtë shkrim nuk dua të merrem me listimin e halleve që kemi, se sa legjitime dhe e drejtë është zhvendosja e vëmendjes nga problemet reale në disa lajme sensacionale për të tërhequr vëmendjen, dhe aq më tepër nuk dua të merrem me orientimin seksual të ndokujt, se as më takon dhe as nuk kam dëshirë ta bëj.
Ajo që mua më shqetëson është diçitura e cila shoqëroi foton, pra ”Hatixhja e don Xhemilen”.
Hatixhe dhe Xhemile janë dy emra shqiptarë muslimanë dhe që mbartin një identitet më vete. Përzgjedhja e këtyre emrave mendoj se ka qenë e qëllimshme dhe provokative, por edhe nëse nuk ka qenë e tillë mbetet një gabim fatal, një zgjedhje paradoksale për dy arsye:
Emrat e përzgjedhur nuk mund të konsiderohen tipikë për Republikën e Shqipërisë. Sipas INSTAT-it, në një popullsi prej 2.862.427 njerëz, vetëm 3386 persona e kanë emrin Xhemile, çka përbën gati 0.01 përqind të popullsisë. Ndërsa 2845 persona kanë emrin Hatixhe dhe kjo përbën akoma më pak se 0.01 përqind.
E dyta, vajzat në foto duken diku rreth te 30-at, pra bëjnë pjesë në atë lloj gjenerate që ditët e sotme njihen si Milenials, pra persona që konsiderohen të rritur në shekullin e 21, dhe kanë lindur përafërisht në vitet 80’-90’. Kujtojmë që në këtë kohë Shqipëria ka qenë në komunizëm dhe nuk ka patur shanse që fëmijët që lindnin në atë kohë të kishin emra karakteristikë muslimanë. Madje, përsëri sipas INSTAT-it, pesë emrat më të përdorur dhe më të famshëm të periudhës kohore 1971, atëherë kur Hamide Sadiku i këndonte Xhemiles “N’shami t’kuqe”, deri në vitin 2017 janë Arben, Gëzim, Lindita, Mimoza, Shpresa, pra jo Hatixhe dhe Xhemile.
-NOT IN MY NAME- bëni çfarë të doni me jetën tuaj dhe orientimet tuaja, por mos e bëni këtë në emrin tim! Jo në emrin e një komuniteti të tërë shqiptarësh muslimanë. /tesheshi.com/