Shumë zhurmë u bë për veteranët, qofshin ata të ndershëm, mashtrues apo abuzues me buxhetin e Kosovës.
Jam për një hetim profesional të listës së atyre që konstatohet se kanë deklaruar rrejshëm ose me mjete tjera dyshuese kanë hyrë në listën e pagave.
Jam gjithashtu për një prerje të këtyre listave që po shihet se ishin të fryra.
Por më habit fakti se aq shumë zhurmë e pluhur u bë për një prokuror që do të hetojë këtë “vrull” të listave mashtruese. Madje pati deklarime të habitshme prej prokurorëve se me kënaqësi do ta pranonin këtë lëndë.
E kishim edhe rastin e Elez Blakajt i cili do të hynte në historinë e Kosovës sikur ta qonte rastin deri në fund. Pavarësisht se ai nuk e qoi rastin deri në fund dhe u tregua jo bindës në atë që e tha në fillim, ky prokuror meriton respekt profesional sepse ka hapur një temë që realisht në drejtësinë kosovare nuk është e panjohur. Fjala është për ndërhyrjen e politikës.
T`i kthehemi problemit ekzistues. Prokurori i caktuar nuk ka asnjë arsye të tregohet as trim e as budalla para publikut. Ai duhet të hetojë ndërmjetësuesit e listave, ata që dyshohet se kanë shitur vërtetime përfituesve të statusit të veteranit, duhet të hetohen ata që kanë marrë të holla për të futur njerëz në këto lista.
Pra nuk është detyrë e prokurorit që të merret me mijëra veteranë dhe të vlerësojë se kush bënë e kush nuk bënë të jetë aty. Detyra e tij është ta pastrojë listën dhe të ndjek keqbërësit.
E dyta kur jemi tek guximi i prokurorëve. E kam të qartë se ka prokuror vërtet që punon me zemër dhe me dinjitet, ani pse ka pak të tillë, megjithatë.
Por, qysh ende nuk e dëgjova asnjë prokuror të thotë se unë vullnetarisht i marr lëndët e krimeve të luftës. Qysh se dëgjova asnjë prokuror tek thotë se do merret seriozisht me Dosjet e Zhegrës, Llovcës, Lladovës, Zhegocit e shumë krime tjera që ndodhen ende të pandëshkuara.
Do të isha shumë i lumtur që ndërkohë ndonjë prokuror i kthjellët dhe me trimëri profesionale do të lëshonte dhjetëra fletë arreste ndaj serbëve të dyshuar për krime të luftës. Ne kemi serb dyshuar që fatkeqësisht bashkëjetojnë në mesin tonë dhe nuk na pengon aspak kjo dukuri.
Pra prokuroria e Kosovës dhe prokurorit komunale do të duhej t`i hapnin sytë dhe të aktivizojnë tërë arsenalin për të sjellur para drejtësisë kriminelet e dyshuar.
Nëse do të kërkoja shkarkimin e Aleksandër Lumezit atëherë pikërisht kjo papërgjegjësi dhe kjo heshtje e tij e bënë të mjaftueshme largimin, por jo për një dorëheqje të një prokurori që realisht doli të ishte shumë i paqartë dhe me tendenca personale e përfitime tjera.
Prokurori i guximshëm nuk ik nga skena e as nga dëshmitë. Në Kosovën e pas luftës secili prej nesh është ballafaquar me situata të pakëndshme. Personalisht vetëm pas luftës i kam të evidentuara 35 raste ku jam kërcënuar me vdekje e kërcënime tjera serioze. Kurrë s`jam frikësuar e as ndalur, përkundrazi ata më kanë dhënë edhe më shumë motiv që krimin dhe kriminelët t`i hetojë deri në fund dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Për veteranët. E di që ka veteranë lufte që meritojnë çdo respekt, çdo nderim për ta dhe realisht shteti ka obligim, por edhe shoqëria që të kujdeset për jetën e tyre. Ka veteran “hakikat” që ka luftuar, punuar e vepruar me mund e djersë duke sakrifikuar gjithçka nga vetja. Dhe kjo kategori meriton çdo benificion shtetëror. Por ka edhe të atillë që janë treguar si profiter dhe njerëz që i kanë shfrytëzuar të gjitha situatat e luftës. Kjo kategori duhet të izolohet nga vetë veteranët e vërtetë.
Por është e pandershme që tërë ai arsenal akuzash kundër veteranëve të ndodhë brenda pak orëve. Tek e funti duhet të distancohen vet shoqatat dhe ata që janë kompetentë për ta ndryshuar apo riparuar listën, por jo lloj – lloj “pizivengi”, me fol e me dhanë vlerësime e konstatime nga më të ndryshmet.
Nëse shteti i Kosovës ka ngecur dhe u ka mbetur borxh atyre që konsiderohen vërtet pjesë e luftës, atëherë janë veteranët, gratë e dhunuara dhe pjesa e familjeve të dëshmorëve.
Na duhet shumë kohë e pushim trunor për të kuptuar pozitën e njerëzve që kanë humbur gjithçka nga vetja, e ne nuk u kemi ofruar asnjë ndihmë konkrete. /tesheshi.com/