Pyetja se pse njerëzit e nënvlerësojnë rrezikun gjithnjë ngërthen në vetvete më tepër se sa shumën e të gjitha përgjigjeve së bashku që mund të jepen për të. Ajo përfshin mentalitetin dhe kulturën e ngulitur në mekanizmat mbrojtës të njeriut nga faktorët e jashtëm gjatë evolucionit prej mijëra vitesh. Kur një faktor, cilido qoftë ai, dhe në çfarëdo mënyre, e rrezikon njeriun, dhe ai nuk ndërmerr masa për t’u mbrojtur, kjo thjesht do të thotë se ai ose është i kënaqur me situatën, ose ka frikë që ta pranojë para vetvetes shkallën e rrezikut. Kjo e dyta quhet edhe strategjia e strucit, i cili duke e futur kokën në rërë të paktën e “privon” veten nga të shiquarit e rrezikut që po i afrohet, duke e zgjatur sadopak kohën e vetëkënaqësisë.
Një rrezik potencial, cilido qoftë ai, megjithatë do të ndodhë herët a vonë, mirëpo me dallim të madh në nivelin e shkaktimit të dëmeve nëse ai nuk është tentuar të planifikohet e parandalohet më parë.
Ka një dallim thelbësor se si popujt dhe kulturat e ndryshme i qasen menaxhimit të rrezikut. Popujt e zhvilluar e të prosperuar manifestojnë vetëdije të lartë në llogaritjen e probabilitetit të ndodhjes së rrezikut dhe i ndërmarrin masat përkatëse preventive, gjë që nuk ndodh as për së afërmi me të pazhvilluarit, të cilët, në vend të kësaj, merren vetëm me pasojat e rreziqeve, duke u ankuar dhe duke mallkuar fatin e keq. Të parët i analizojnë shkaqet dhe i planifikojnë masat mbrojtëse, kurse të dytët merren me pasojat, dhe si të vonuar gjithmonë paguajnë kosto shumë më të lartë. Po cilët janë shkaktarët e nënvlerësimit të rrezikut? A rrjedhin ato nga padija apo nga apatia? Edhe pse në të dy rastet kostoja është thuajse e njëjtë, megjithatë është dëshpëruese nëse dominon apatia ndaj rrezikut, sepse kjo do të thotë që, edhe pse e di që ke përpara një rrezik potencial, ti nuk vepron, duke shpresuar në ndonjë mrekulli që ai nuk do të ndodhë.
Popujt e mençur e vendosin rrezikun pikërisht në vendin e duhur – në mes të panikut dhe apatisë – dhe të tillët vërtet pothuajse asgjë nuk mund t’i befasojë! Dallimet frapante në qasjen ndaj një rreziku fundja paraqesin edhe hendekun ndarës në mes të suksesshmëve dhe të pasuksesshmëve. Por ajo që është brengosëse, veç të tjerash, është lehtësia e madhe, e pakuptueshme dhe e padurueshme, me të cilën disa popuj ballafaqohen me rrezikun.
Sot efikasiteti i menaxhimit të problemeve mjedisore është bërë një nga faktorët kyç të ruajtjes së jetës së njerëzve, dhe sidomos të kualitetit të saj. Më poshtë do të paraqes një rast ilustrues rreth një segmenti të menaxhimit të resurseve ujore, pra, se si veprojnë të tjerët dhe si veprojmë ne.
Më rastisi që të lexoj strategjinë e menaxhimit të ujërave të Hungarisë, ku ndër të tjera përshkruhen masat dhe veprimet konkrete të shtetit për menaxhimin e ujërave. Do të përmend këtu vetëm një segment, atë rreth ujërave nëntokësore: janë identifikuar të gjitha burimet nëntokësore të ujërave në tërë territorin, thellësia e ndodhjes, cilësia, kapaciteti dhe potenciali i tyre, dhe me ligj është i ndaluar strikt ndërtimi i çfarëdo objekti industrial, por edhe të banimit, jo vetëm mbi to, por edhe në perimetrin disa kilometra afër tyre. Në këtë mënyrë, tërë ato zona bëhen të rëndësisë së veçantë shtetërore për ta mbrojtur një resurs të veçantë kombëtar, siç thuhet, “si sytë e ballit” gjatë shekujve të ardhshëm. Kjo sepse ndotja eventuale e tyre ka pasoja katastrofale dhe vështirë të riparueshme. Vetëm në periudhën e kaluar katërvjeçare ky shtet investoi 3.2 miliardë euro në përmirësimin e përgjithshëm të qasjes dhe kualitetit të ujit të pijshëm. Kur njeriu sheh veprime të tilla në një shtet i cili në fakt ka resurse të bollshme ujore dhe as që rrezikon të ballafaqohet me ndonjë krizë rreth tij, doemos që shtron pyetjen: po vendet e tjera që këtë resurs jetësor e kanë në mungesë, çfarë duhet të bëjnë?
Së fundi, në mediat tona (portali kallxo.com) lexova për një problem të madh, që rrezikon të shndërrohet në katastrofë mjedisore dhe në kontaminim të ujërave nëntokësore. Deponia më e madhe e mbeturinave në Kosovë, e vendosur në fshatin Mirash (komuna e Obiliqit), dhe ku në vit deponohen mbi 100 mijë tonë mbeturina nga 7 komunat e rajonit të Prishtinës, për shkak të mostrajtimit profesional dhe të një numri të madh faktorësh të tjerë, rrezikon që t’i ndotë ujërat nëntokësore, të cilat ndërlidhen me lumin Sitnica, duke përfshirë në këtë mënyrë komunat nga rrjedh ky lum, si Obiliq, Vushtrri, Mitrovicë, etj., dhe duke rrezikuar kështu shëndetin e banorëve të këtyre trevave dhe më gjerë. Kjo deponi e madhe, në sipërfaqe prej rreth shtatë hektarësh, është vendosur mbi burimet nëntokësore ujore. Matjet e ekspertëve gjermanë tregojnë se përveç pasojave negative mjedisore, tashmë ndotja e ujërave nëntokësore pothuajse ka filluar. E kontaminimi i ujërave nëntokësore rezulton me pasoja afatgjata dhe me mundësi të vogla për sanimin e tyre.
Nuk ka nevojë që të teorizohet shumë rreth kësaj, pasi skenari shumë i mundshëm që mund të ndodhë nga kontaminimi i ujërave nëntokësore është pak a shumë kështu: banorët do ta përdorin ujin e kontaminuar për nevoja të ndryshme, fermerët do të ujisin frutat dhe perimet me të, kafshët po ashtu do të jenë në kontakt me të, etj., etj. Këto produkte do të mbërrijnë në tryezat e konsumatorëve gjithandej, nga ku pasojat negative në shëndetin e njerëzve do të barten edhe përmes ushqimit. Një rrezik ky me pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenjen e njerëzve, dhe i cili mund të menaxhohet qoftë përmes trajtimit adekuat të mbeturinave, qoftë përmes ruajtjes së ujërave nëntokësore (por edhe të atyre mbitokësore e burimeve të tjera të tyre), duke e planifikuar me kujdes dhe duke e trajtuar me kujdes e plan, si prioritet i lartë.
Është vërtet e pakuptueshme dhe e habitshme shkalla e lartë e nënvlerësimit të rrezikut, cilido qoftë ai. Pavarësisht se shtet i ri, është koha kur duhet të ndryshojmë mentalitetin rreth kësaj, duke planifikuar paraprakisht dhe duke parandaluar rreziqet, e duke braktisur njëherë e përgjithmonë sintagmat ngushëlluese apatike të llojit “hajt, se ndoshta nuk ndodh kjo”! Hamendja apo shpresa e tillë nuk ka vend në shoqëritë e organizuara, dhe ajo është sikur të kapesh për një fije kashte në një lum të rrëmbyer. Nën vringëllimën e rreziqeve të ndryshme nuk bëjnë punë as lutjet përgjëruese, as shpresa e as dëshirat më të mira, por angazhimi dhe përgjegjshmëria e secilit. Fundja, është thënë nga njerëz të mençur se është shumë më i dobishëm një veprim sado i vogël i ndërmarrë, sesa qëllimet më të mira të mundshme. /tesheshi.com/