Nga Mark Brunga
Quhej Rafael, por të gjithë e kanë njohur me emrin Ropi. Me këtë emër që e njohin të gjithë e ka cilësuar edhe poeti durrsak Moikom Zeqo, në poezinë e rinisë së tij të hershme për polumbarin e portit, ose siç njihej ne atë periudhë, dallgicin, xha Ropin, poezi të botuar në vëllimin poetik “Qyteti Feniks”:
“Mbi rrezet e detit në bord të anijes
Shikoj polumbarin e vjetër xha Ropin
Si vesh në qetësi skafandrin e zhytjes
Dhe futet
Ngadalë në ujrat e portit”
Rafael Ligor Balashi ka kaluar një jetë të thjeshtë dhe të ndershme. Ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1921. Pas pushtimit të vendit nga italianët, ai mori pjesë aktivisht në demonstratat antifashiste dhe më pas e ktheu banesën e vet në bazë të luftës. Bën pjesë në njësitin guerril të këtij qyteti dhe më pas del në mal partizan me brigadën e 4-të sulmuese. Ka qënë pjesëtar i luftës për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit ka punuar në marinën luftarake si kuadër deri kur ka dalë në pension.
Në fëmijërinë e hershme, ai ka filluar punë si këpucar. Si ishte zakoni i atëhershëm, nxënësit njiheshin si çirakë dhe ustai i tij ka qënë aktori i famshëm i viteve të më vonshme të Kinematografisë shqiptare, Pandi Raidhi, i cili prodhonte këpucë ose i riparonte dhe këtë profesion ia jepte edhe të riut, Rafaelit, të cilit shkurt i thërritnin Ropi.
Më pas, të dy në profesionet e tyre ishin mjeshtra të mëdhenj: Raidhi si aktor nga më të spikaturit e skenës shqiptare, ndërsa Ropi si polumbar nga më të mirët e vendit, që dha një kontribut të madh në pastrimin e sipërfaqes nënujore të portit të shkatëruar si dhe të çminimit të bregdetit.
Por ka dhe një përkim interesant: në kohën që ai doli partizan, caktohet mitralier i batalionit të 4-të të Brigadës së 4–të Sulmuese. Ndihmësmitralieri që e furnizonte me fishekë dhe që mbante kasetën me municione të mitrolozit, ishte Milo Qirko. Ky person, në vitet e mëvonshme u bë kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë që nga shkurti i vitit 1961 si dhe Ministër i Komunikacionit.
Polumbari Rafael Ligor Balashi u nda nga jeta në qershor te vitit 1996 në moshën 75-vjeçare.
Polumbari i rëndë
Pëllumb Hate, ish-kapiteni i anijes polumbare që ka punuar në Durrës dhe në të gjitha brigjet e vëndit tonë thotë:
“E kam gjetur Ropin në anije pasi kishte përfunduar shkollën e zhytjes në Split. Kam punuar me këtë anije që nga viti 1962 deri në vitin 1990. Anija ishte mjaft e kompletuar me teknologjinë e zhytjeve dhe nga më modernet e asaj periudhe. Në këtë anije kishte gjithçka për një ekspeditë pune për zhytje. E pajisur me sisteme pompimi ajri si edhe me dhoma dekomprimimi. Në të bënim edhe stërvitjen për zhytje të polumbarëve. Me Ropin, një nga njerëzit më të mirë dhe më profesionistë që kam njohur në zanatin që ushtronte, kemi punuar sëbashku nga viti 1962 deri në vitin 1974. Ai punonte me shumë vëmendje dhe ua mësonte dhe të tjerëve çdo detaj pune që kërkohej në thellësi të detit. Puna e polumbarit të rëndë është mjaft e vështirë. Ai ka pasur një kostum detar të rëndë të përbërë prej rrobash të gomuara, si dhe një palë këpucë prej plumbi që peshonin 25 kg. Pllaka që vihej ne bel për të fituar thellësi ishte edhe ajo prej plumbi dhe peshonte 35 kg. Kokorja metalike prej bronxi ishte 10 kg. I gjithë kostumi i zhytjes peshonte rreth 80 kg dhe me këtë kostum punohej zakonisht deri nëë 40 m thellësi.
Por ai i zbatonte rregullat deri në një dhe këtë e kërkonte me përpikmëri edhe tek të rinjtë. Megjithëse ishte i shtyrë në moshë, ai kishte si cilësi që punimet e vështira i mirrte mbi vete, pasi nuk donte që të rrezikoheshin bashkëpunëtorët. Mbase këtë cilësi e kishte të fituar që nga lufta kur ishte mitralier dhe me mitralozin e tijë të rëndë ishte i detyruar që të mbeshteste shokëët në tërheqje deri në vetmohim”.
Kjo cilësi, sipas Hates, e shoqëroi edhe në jetën civile duke e bërë mjaft të respektuar e të dashur nga bashkëpunëtoret e vet. “Isha i ri kur fillova punë në këtë anije, por nga Ropi unë gjeta mbështetje dhe ngrohtësi, pasi ai dinte të të ofronte ngrohtësi në situata të vështira. Thjesht e konsideroja si prind. Ropi në port është marre me pastrimin e pilotave si dhe të gjitha hekurishteve të mbetura nga lufta”.
Ropi nuk ka punuar vetëm në port, por shpesh edhe jashtë tij. Ai është zhytur në shumq anije të mbytura gjatë luftërave, sidomos të Parë dhe të Dytë, në Durrës, Vlorë, etj., dhe ato ishin në thellësi te konsiderueshme. Labirintet e shumta që ka një anije e bëjnë të vështirë punën e një polumbari, pasi atëherë ajri pompohej me tuba dhe një ngatërresë e tyre mund të të shkaktonte humbje jete. Dhomat e anijeve kontrolloheshin për municione armatime dhe shikohej perspektiva e nxjerrjes së tyre nga vendi ku ishin. Por më të vështira kanë qënë punimet që janë bërë për zhbllokimin e portave të Hidrocentraleve nga bllokimet e lëndëve inerte që hynin mes dyerve të rënda metalike dhe nuk lejonin mbylljen hermetike të ujrave. Kjo vështirësi ishte shumë e madhe pasi në tunelet e shkarkimit edhe rrymat ishin të fuqishme dhe rreziku ishte i pranishëm në cdo sekondë. E të gjithë këto herozima, kanë emrin e Ropit, polumbarit legjendar shqiptar. /tesheshi.com/