Në Maqedoninë e çudirave, në Shkup – qyteti i busteve, ku nëse shkon në sheshin e tij, dhe qëndron për 5 minuta, ka gjasa që turistët e huaj të të fotografojnë duke menduar se je “një bust” – më në fund u arrit zgjidhja për kryeprokurorin special.
Maqedonia gjatë gjithë periudhës pas pavarësimit të saj u tregua impotente në luftimin e krimit dhe të korrupsionit të politikanëve, në stilin: shteti i ndjek hajnat sepse nuk lejon konkurrencë!
Andaj ishte momenti i fundit që SHBA-të dhe BE-ja të ndërmarrin masa efektive për ta drejtuar kahjen e këtij vendi të brishtë drejt sigurimit të mekanizmave ligjorë me monitorim ndërkombëtar për luftimin efikas dhe ndjekjen penale të krimit dhe të korrupsionit. Pra, falë SHBA-ve dhe BE-së, në Maqedoni tashmë ekziston vaksina antikrim dhe antikorrupsion si element i domosdoshëm i shtetit ligjor.
Po ashtu, edhe kryeprokurori aktual shtetëror i dështuar, tanimë historik, i cili po merr formën e “një busti”, po zëvendësohet me kryeprokurorin special, sepse kur dështon një mekanizëm shtetëror dhe kushtetues i ndjekjes penale, atëherë aty janë SHBA-të dhe BE-ja, që me ligj “ta fusin” në shtet një kryeprokuror tjetër të njëjtë dhe alternativ, bile akoma më të fortë se institucioni ekzistues i ndjekjes penale.
SHBA-të dhe BE-ja krijuan një “Çak Noris” të ndjekjes penale në Maqedoni, dhe kjo punë e tyre duhet përshëndetur dhe mbështetur nga qytetarët e vendit.
Kështu ndodhi në vitin 2000, kur elita politike maqedonase mbante qëndrimin zyrtar shtetëror se shqiptarët nuk i lejon kushtetuta që të arsimohen shqip në arsimin e lartë, andaj SHBA-të dhe BE-ja krijuan UEJL-in si një model alternativ universitar euro-amerikan, dhe kjo punë e tyre ndihmoi më pas në zyrtarizimin me ligj edhe të UT-së, si dhe në themelimin e universiteteve të tjera me mësim në shqip.
Kështu ndodhi në vitin 2001, kur elitat politike hezitonin me zgjidhjen e krizës, andaj SHBA-të dhe BE-ja ishin aty që ti lehtësojnë palët dhe t
u bëjnë “refresh” atyre.
Kështu ndodhi edhe gjatë këtyre ditëve, kur SHBA-të dhe BE-ja me ligj e inkorporuan në shtet organin e veçantë të ndjekjes penale, pra, kryeprokurorin special, i cili si organ i plotë autonom madje nuk i nënshtrohet fare parimit të hierarkisë dhe subordinimit në raport me kryeprokurorin shtetëror “të bustizuar”. Pra, SHBA-të dhe BE-ja me ligj prodhuan një organ tjetër, paralel, shtetëror (një shtet në shtet), një “super-lejdi” të ndjekjes dhe të hetimeve penale, nën monitorimin (kontrollin) ndërkombëtar, prej së cilës po pritet shumë.
Disa profesorë dhe prokurorë maqedonas, që vetë kanë qenë të interesuar për këtë post, po shprehen skeptikë se kryeprokurori special do ta realizojë misionin e tij, e se do të harxhojë mjetet financiare buxhetore duke ndjekur penalisht vetëm “cjapin”, e jo edhe “kasapin”. Mirëpo SHBA-ve dhe BE-së nuk u duhej për këtë post në Maqedoni dikush që do të dijë shumë (sepse, me siguri, SHBA-të dhe BE-ja dinë më shumë), por u duhej dikush që do të veprojë dhe realizojë shumë nën monitorimin (kontrollin) e tyre.
Ndërmjetësuesi belg i bisedimeve midis katër partive politike, Van Haut, u tregua i suksesshëm në arritjen e të gjitha zgjidhjeve rreth kryeprokurorit special. Madje, në një moment delikat, kur “kaubojët” e VMRO-së përmes “naçallnikut” filluan të mos i respektojnë marrëveshjet paraprake, duke u thirrur në “patriotizmin kushtetues” të vendit, Van Haut, nga ana tjetër, u thirr në vlerat evropiane të fjalës së dhënë dhe të llogaridhënies, duke thënë se në Evropë kemi sistem vlerash, prandaj çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të pushtetit dhe të parave duhet të hetohet, sepse detyra kryesore e kryeprokurorit special do të jetë rikthimi i llogaridhënies, duke siguruar se keqpërdorimet nuk do të ndodhin sërish, për cilindo që është i përzier në çfarëdo.
Pra, vaksina antikrim dhe antikorrupsion sipas Van Haut do t`i injektohet kujtdo që është i përzier në çfarëdo, pra, çdo politikani e funksionari të përzier në çfarëdo gjëje, pa marrë parasysh asgjë.
Pritet që vaksina antikrim dhe antikorrupsion të injektohet edhe në rastet e montuara antishqiptare, si, “Monstra”, “Sopoti”, etj.
Sipas analizave të para që vijnë nga disa prokurorë aktualë, vetëm mbi bazën e materialeve të “bombave politike” të publikuara në opinion, si dhe të atyre që do ti dorëzohen kryeprokurorit special, do të angazhohen më së paku 100 prokurorë specialë, do të paraqiten së paku 2000 kallëzime penale, do të akuzohen së paku 200 persona, me së paku 50 dëshmitarë të mbrojtur, me ç
rast proceset gjyqësore do të zgjasin prej 5 deri 10 vjet, dhe këto do të jenë proceset më të ndërlikuara gjyqësore në historinë politike dhe shtetërore të Maqedonisë.
Po ashtu, pritet që në të ardhmen SHBA-të dhe BE-ja të vendosin në rend dite edhe fazën tjetër të Maqedonisë pas Ohrit (vaksinimi post-Ohër i Maqedonisë), pra, rirregullimin shtetëror të Maqedonisë, me qëllim vendosjen e barazisë ndëretnike, politike, kulturore, ekonomike, arsimore dhe sociale të qytetarëve të saj. /tesheshi.com/
*Autori është profesor i së drejtës kushtetuese dhe administrative në Fakultetin Juridik të UEJL-it, me titujt Prof. Dr.