Dymbëdhjetë muaj më parë, trupi i pajetë i një fëmije sirian në plazhin turk tronditi ndërgjegjen e botës. Që kur Alan Kurdi u mbyt vitin e kaluar, 400 fëmijë, emrat e të cilëve me gjasa nuk do t’i dimë kurrë, kanë humbur jetët e tyre në Mesdhe. 10 mijë fëmijë refugjatë janë zhdukur në Europë. Miliona fëmijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ka nga ata në qeveri që duket se shpresojnë se pas një viti, aktivistët do të dorëzohen. Se presioni që nxiti fotografia e fëmijës ka kaluar, dhe ne do të dalim në përfundimin se është tepër e vështirë të bëjmë ndryshimin apo të ruajmë mbështetjen e publikut.
Por ne nuk do ta bëjmë këtë. Mësimi i vitit të shkuar duhet të jetë se pavarësisht sa të vështira duken gjërat, ne ende mund të shpëtojmë jetët e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre. Por na duhet ta mbajmë të gjallë atë presion, sidomos mbi qeverinë.
Morali për veprim është më i fortë se kurrë. Imazhi tronditës që u publikua muajin e kaluar i pesëvjeçarit Omran Daqneesh, i shtangur, i pluhurosur dhe i përgjakur në fundin e një ambulance, ishte një kujtesë e fortë se nga çfarë janë duke ikur njerëzit në Siri. Të gjitha vendet kanë përgjegjësinë jo vetëm të ndihmojnë ata që ikin nga persekutimi, por të mbrojnë fëmijët nga vuajtjet.
Interesat tona të sigurisë në menaxhimin e krizës së refugjatëve mbeten po aq të fuqishme, gjithashtu. Bandat kriminale të trafikut po bëhen edhe më të forta, ekstremistët janë në gjendje të shfrytëzojnë krizën dhe çrregullimi nga menaxhimi i pakoordinuar kërcënon kohezionin dhe stabilitetin social.
Ne nuk duhet të shmangemi nga mbështetja që duhet të japim për fëmijët refugjatë për shkak të fushatuesve të së djathtës ekstreme.
Pjesa më e madhe e njerëzve – përfshirë pjesën më të madhe të aktivistëve për t’u larguar nga BE – u tronditën nga posterat e poshtër të Nigel Farage gjatë fushatës së referendumit. Dhe ne arritëm të kemi mbështetje ndërpartiake, kundër pritshmërive, për amendamentin Dubs që kërkon të ndihmojë fëmijët, gjatë kësaj vere.
Larg të qënit të pafuqishme, ka disa gjëra praktike që qeveritë mund të bëjnë pikërisht tani për të ndihmuar fëmijët refugjatë. Theresa May dhe Amber Rudd duhet të shkojnë në samitin global për refugjatët që drejtohet nga presidenti Barack Obama dhe të përpiqen të arrijnë angazhime të reja për ndihma dhe strehim, sikundër edhe për zgjidhjen e konflikteve që po zhvendosin njerëzit nga shtëpitë e tyre. Britania duhet të jetë pjesë e një partnershipi të ri ndërkombëtar veprimi, sesa të përdorë votën Brexit si justifikim për t’u kthyer shpinën. Ne duhet të vazhdojmë rolin tonë drejtues në ndihma, e jo ta ndërpresim atë.
Gjatë kohës që na mbetet si pjesë e BE-së, ne duhet të nxisim për një veprim të gjerë europian për sigurinë e fëmijëve, dhe për rivendosjen e kontrolleve kufitare brenda zonës Shengen, si mënyrë për të ndaluar trafikimin e fëmijëve dhe për të rritur sigurinë. Dhe është koha t’i jepet fund skandalit të kampit në Kale ku dhuna po shtohet dhe më shumë se 600 fëmijë janë përditë në rrezik nga trafikantët dhe abuzimi seksual. Ne kemi nevojë për një plan të vërtetë me Francën si ai që Britania negocioi për të mbyllur Sangatte-n shumë vjet më parë, përfshirë në këtë plan edhe vlerësimet e UNHCR-së, mbështetjen për refugjatët dhe kthimin në shtëpi të emigrantëve të paligjshëm.
Rudd duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të përshtatur programin e dështuar dhe sekretiv britanik për fëmijët refugjatë që e ka trashëguar nga Theresa May. Eshtë e qartë se sistemi i Dublinit për ribashkimin e fëmijëve që kanë familjet në Britani, nuk po funksionon. Amendamenti Dubs për të ndihmuar fëmijët e pashoqëruar refugjatë në Europë nuk po zbatohet. Programi për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, njoftuar nga kabineti në janar për të ndihmuar 3 mijë fëmijë në rrezik, nuk po gjen zbatim. Madje, edhe programi për familjet siriane njoftuar nga David Cameron, tetorin e kaluar, ka ngecur. Këshillat qëndrojnë gati për të ndihmuar, por vetëm një e dhjeta e 20 mijë refugjatëve të premtuar kanë mbërritur në Britani.
Javën e kaluar në Kale, takova një adoleshent sirian që kishte marrë miratimin e zyrës së Brendshme dy muaj më parë për t’u bashkuar me familjen në Britani, por që ende nuk i ishin dhënë dokumentet për të udhëtuar duke e lënë kështu vetëm, të trembur dhe të lodhur në një kamp të trazuar nga bandat. Pasi udhëtimi ynë tërhoqi edhe mediat, atij më në fund iu caktua një datë për t’u bashkuar me familjen- kjo brenda një nate. Këto lloj vonesash e vendosin sigurinë dhe jetën e fëmijëve në rrezik.
Rudd duhet me urgjencë të shpejtojë sistemin, kështu që të paktën 500 fëmijët refugjatë të mund të sillen këtu brenda Krishtlindjeve. Ajo duhet të zotohet, gjithashtu, të punojë me francezët për të siguruar që asnjë fëmijë të mos e kalojë dimrin në tmerret e kampit Kale.
Një vit më parë unë mbajtja një fjalim ku apeloja për veprim në ndihmë të refugjatëve, vetëm disa ditë përpara se të publikohej fotografia e Alan Kurdit. Thashë atëherë se brezat e ardhshëm do të na gjykonin për veprimet tona. Ne nuk duhet ta lejojmë qeverinë të lërë fëmijët në rrezik dhe të na turpërojë të gjithëve.
*Ivette Cooper është politikane e partisë Liberale në Britaninë e Madhe, deputete që nga viti 2010. Ajo ka qenë aktive në debatet politike dhe në kërkesën për të aktivizuar ndihmë të menjëhershme për fëmijët refugjatë të pashoqëruar dhe pranimin e tyre në Britani. Artikulli u botua në të përditshmen londineze “The Guardian”.
Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/