DANAS: – Njeriu, emri i të cilit ndodhet në qendër të vëmendjes së opinionit të brendshëm e të jashtëm, quhet Ibrahim Rugova, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, të organizatës alternative të shqiptarëve që numëron në radhët e saj, sipas disa të dhënave, rreth 700 000 anëtarë. Autoritetet serbe dhe mjetet e informacionit e kanë akuzuar alternativën kosovare si ‘puçi shqiptar’, gjë që ka ngritur rolin e Rugovës. Për këtë arsye është interesante të dihet se ç’mendon ai për Deklaratën që miratuan delegatët shqiptarë:
RUGOVA –Për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mua personalisht fjala është për një dokument të rëndësishëm për fatin e Kosovës dhe në të ardhmen. Nuk e kam zakon të flas me fjalë të mëdha , koha do të tregojë nëse ky është dokument historik apo jo. Por mund të thuhet me siguri se Deklarata për pavarësinë përbën një bazë të shëndoshë për kushtetutën e ardhshme të Kosovës dhe të Jugosllavisë. Deklarata shpreh vullnetin e shumicës së popullsisë në Kosovë – vullnetin e shqiptarëve. Ajo që ndodhi më 2 korrik para Kuvendit të Kosovës, lidhur me miratimin e saj, është një turp për një shtet juridik dhe për autoritetet serbe. Megjithatë, delegatët kishin kuorumin e nevojave dhe vendimi, megjithëse para dyerve të mbyllura të Kuvendit, është plotësisht i ligjshëm dhe legal: Deklaratën e miratoi shumica e deputetëve, ndërsa fakti që nuk ishin të pranishëm serbët e malazeztë është më tepër një çështje politike sesa juridike. Në asnjë akt nuk shkruhet se, në qoftë se për një vendim nuk votojnë shqiptarët, serbët apo të tjerët, atëherë ai nuk është i vlefshëm. Në fund të fundit, edhe në vetë Kuvendin e Jugosllavisë janë marrë vendime në kundërshtim me vullnetin e popullit e të delegatëve shqiptarë dhe kjo është quajtur si diçka krejt normale.
Për sa i përket frikës nga i famshmi majorizim, ne si shumica e popullsisë do të konsiderohemi përgjegjës për Kosovën, së pari, për veten tonë e pastaj edhe për të tjerët që jetojnë bashkë me ne: serbë, malazezë, myslimanë, romë, turq… Ne këtyre popujve u garantojmë jetë të qetë, liri e zhvillim. Ne bëhemi garantë për këtë dhe kjo është e vetmja rrugëzgjidhje për situatën kosovare. Fakti që autoritetet serbe insistojnë që pakica serbe të dominojë shumicën shqiptare realisht nuk është e realizueshme, pasi është alogjike dhe jo e natyrshme, kështu që një politikë e tillë nuk do të japë asnjë rezultat.
DANAS – A siguron Kosova me këtë deklaratë kushtet e nevojshme paraprake për shkëputje nga Jugosllavia? Akuza të tilla po dëgjohen gjithnjë e më shpesh kohët e fundit.
RUGOVA – Fjala është për spekulime tendencioze sikur Kosova me këtë akt përgatit largimin nga Jugosllavia. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ndryshimi i kufijve shtetërore nuk është vetëm një çështje jugosllave apo shqiptare, por edhe çështje evropiane e botërore. Ta themi troç. Këta kufij i ka caktuar Europa në vitin 1918 me disa korrigjime në pjesën bregdetare të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët, si shumicë e popullsisë, janë realistë dhe, si një subjekt i barabartë politik, kërkojnë pavarësinë në kuadrin e Jugosllavisë e nuk duan të hyjnë apo të shkaktojnë ndonjë fatkeqësi të re.
Etiketat për separatizmin shqiptar dhe Shqipërinë e Madhe janë fryt i sistemit njëpartiak dhe i manipulimit me njerëzit. Si qenka ide separatiste kjo kur ne kërkojmë të qëndrojmë brenda Jugosllavisë? Ne nuk prekim integritetin e vendit në tërësi, pasi bota njeh si shtet vetëm Jugosllavinë.
DANAS – A është Deklarata pasojë e drejtpërdrejtë e njoftimit të ndryshimeve kushtetuese të Serbisë, dhe, siç thuhet, e ndikimit të alternativës shqiptare te delegatët?
RUGOVA – Autoritet serbe nuk zbatuan sistemin shumëpartiak dhe qëndrimi i tyre lidhur me kushtetutën i shpejtoi gjërat. Përndryshe, gjërat nuk do të zhvilloheshin kështu. Por ata, së pari, kërkonin të nxirrnin me çdo kusht kushtetutën e re dhe të pezullonin Krahinën. Atëherë, ne shqiptarëve na u desh që në mënyrë të ndërgjegjshme të dilnim në mënyrë të ndërgjegjshme me qëndrimin dhe zgjidhjen tonë. Përveç kësaj, delegatët shqiptarë u bënë të ndërgjegjshëm. Thonë se kjo ndodhi nën ndikimin e alternativës. Ne jemi pjesë e popullit dhe ata transmetuan qëndrimin e popullit, domethënë të alternativës kosovare në Kuvend.
DANAS – Si e interpretoni reagimin e udhëheqjes serbe dhe shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe të organeve të saj ekzekutive?
RUGOVA – Në fillim reagoi Këshilli Ekzekutiv i Serbisë dhe tha se Serbia do të përdorë mjetet e shtetit juridik. Me sa dimë, te ne në Kosovë kjo do të thotë represion e asgjë tjetër. Vendimi i Kuvendit të Serbisë që të pezullojë Kuvendin dhe Këshillin Ekzekutiv të Kosovës është absurd. Për këtë nuk ka asnjë bazë as në Kushtetutën ekzistuese të Jugosllavisë. Madje, as Kuvendi i RSFJ-së nuk mund të pezullojë kuvendin e një republike apo krahine. Siç e shihni, nën firmën e shtetit juridik kryhen veprime jokushtetuese. Vetëm Kuvendi i Kosovës mund të pezullojë vetveten me shumicë votash.
DANAS – Si e shihni zgjidhjen e situatës?
RUGOVA – Kam frikë se do të ecet me shumë vështirësi. Do të desha që gjithçka të mbetej në nivelin e zgjidhjeve politike dhe në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale të lojës politike. Por, përsëri po ndërmerret një represion i ri masiv. Sipas logjikës së autoriteteve serbe gjithçka është e mundur, madje edhe arrestimi i delegatëve. Për sa i përket alternativës, ne jemi mësuar tashmë me represionin politik. Kemi 6 muaj që jemi nën goditje të vazhdueshme, janë arrestuar edhe nga Parlamenti i të Rinjve dhe ja, tani kanë filluar marrjet në pyetje. Megjithatë, ne do të vazhdojmë edhe më tej punën tonë. Kjo nuk është vetëm për të mirën e popullit shqiptar, siç e paraqit shtypi serb, por edhe në të mirën e serbëve dhe të të tjerëve që jetojnë në Kosovë.
Përgatiti për publikim: Alba Skëndaj – tesheshi.com