Rusia hyri drejtpërdrejt në luftë në Siri. Lufta që u krye përmes organizatave terroriste ka kaluar tani në nivel shtetëror. Tashmë, prej dy ditësh, Rusia po e sulmon opozitën siriane nga ajri, ndërsa administrata e Damaskut, Irani dhe Hezbullahu sulmojnë nga toka. Opozita e moderuar është nën sulm të ashpër. Në realitet, populli i Sirisë është nën sulm të ashpër.
Ndërhyrja më e fundit, që synon të ringjallë administratën e Damaskut, të forcojë aksin Iran-Siri, të ndalojë transformimin e Sirisë dhe të forcojë më tej fortesën e vetme të Rusisë në Mesdhe, ka fuqi ta ndryshojë ekuacionin në tërë rajonin. Nga tani kemi për ta diskutuar me fjali të reja provën e forcës mes Lindjes dhe Perëndimit.
Kë sfidoi Rusia?
Ne nuk e kemi parë kurrë Rusinë në një pozitë të tillë sfiduese në Lindjen e Mesme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Moska qe përfshirë më së shumti në mbrojtjen e rrethinave të veta dhe në shmangien e presioneve të Atlantikut në kufijtë e jashtëm të zonës së saj të depërtimit.
Ndërhyrja në Gjeorgji i hapi sytë. Ajo pa se Perëndimi nuk ishte në gjendje të bënte gjë. Aneksoi Krimenë dhe vuri re se Perëndimi nuk kishte karta në duar. Vendburimi, Rusia, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend që mund të ulet në gjunjë me anë të një embargoje ekonomike.
Ndërhyrja e tretë e Rusisë qe në Siri. Kjo është shpallja e nacionalizmit rus, kthimi te identiteti i saj perandorak. Pas Krimesë dhe Ukrainës, është prova e forcës e Rusisë në shkallë botërore. Kjo do të thotë se pavarësisht çdo marrëveshjeje mes SHBA-ve dhe Iranit, ajo nuk mund ta thyejë aksin Rusi-Iran.
Jo ndryshe prej sulmit mbi Irak të SHBA-ve
Ne jemi ballë për ballë me kërcënimin e luftës që po bëhet e rajonalizuar, e, në fakt, e globalizuar. Po dëshmojmë rajonalizimin e kaosit, zëvendësimin e organizatave terroriste me shtete, një provë force nëpërmjet organizatave të pasuar nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shteteve.
Kjo ndërhyrje nga Rusia dhe Irani në Siri nuk është ndryshe prej ndërhyrjes së SHBA-ve në Irak. Në Afganistan, talibanët u shtynë përpara, dhe ata u pushtuan. Në Irak, Sadam Huseini u shty përpara, dhe ata u pushtuan. E njëjta metodë po përdoret këtë herë nga Rusia. Ajo po e përdor si shfajësim Shtetin Islam të Irakut dhe Levantit (ISIL), i cili është produkt i SHBA-ve dhe Europës, dhe po ndërhyn në Siri. Ashtu siç SHBA-të e kanë Arabinë Saudite në anën e tyre, Rusia po e merr pranë Iranin për të ndërhyrë në një vend musliman.
Xhihadistët janë të këqinj, luftëtarët e shenjtë janë të mirë
Në kohën kur u pushtua Iraku, presidenti amerikan i asaj kohe, Xhorxh Bush, pati thënë, “Kjo është një kryqëzatë!” Tani Kisha Ortodokse ruse po thotë, “Kjo është një luftë e shenjtë!” Ata që bëjnë thirrje për ndjeshmëri kundër “kërcënimit xhihadist”, ata të cilët janë duke e pushtuar tërë botën gjatë njëzet viteve të fundit nga frika e Islamit dhe e terrorizmit, po hyjnë në tokat muslimane me thirrjet për një “luftë të shenjtë”. SHBA-të po e bënin këtë dje, tani Rusia po bën të njëjtën gjë.
Nëse janë në diskutim Islami dhe identiteti musliman, tokat muslimane, nuk përbën asnjë dallim mes SHBA-ve dhe Rusisë; ata menjëherë bëhen i njëjti front. Bëhen bashkë me një çift vendesh muslimane dhe hap pas hapi pushtojnë rajonin, duke e shtyrë në shkatërrim.
Duke përdorur sektarizmin, e ndajnë rajonin në dy kampe të mëdha. Ndërsa i kanë këto fronte që luftojnë mes tyre, bëjnë aleancë me një palë në çdo pushtim dhe hapin fronte të reja. Vendet e tjera rrinë dhe presin radhën e pushtimit nga mongolët.
Ky rajon nuk ka patur kurrë armik më të madh se popullin e vet të pamend!
Kështu na mashtruan
Synimi kryesor nuk është të qenit burim jete për administratën e Damaskut që po jep shpirt; është ndërhyrja në skicat e hartës në Lindjen e Mesme. Çdo vendi që kërkon pjesën e vet në shpërndarjen e re i janë errësuar sytë për ta arritur këtë.
Ne i pamë në Afganistan dhe Irak, në shumë rajone të Afrikës, këto luftëra të zhvilluara me shfajësimin e kërcënimit “xhihadist”; i pamë të kryera nëpërmjet qendrave të antiterrorit të ngritura në të gjitha vendet muslimane menjëherë pas fundit të Luftës së Ftohtë. Dhe së fundi po e shohim në Siri.
Pse investohet te PKK-ja dhe te YPG-ja?
SHBA-të, Europa dhe Rusia po vënë në shënjestër identitetin islam në rajon. Le ta analizojmë nga ky këndvështrim pse Perëndimi po e mbështet YPG-në, Njësitë e Mbrojtjes Popullore. E bëjnë këtë ngaqë e shohin PKK-në si të vetmen forcë shekullare në rajon. Kjo është arsyeja pse po investojnë tek ajo. Duke e bërë këtë, e përdorin atë në mënyrë efektive në luftërat e tyre të subvencionuara. Ideja pas sulmeve të fundit të PKK-së dhe YPG-së në Turqi mund të jetë dobësimi i dorës së Turqisë në ndërhyrjen e synuar në Siri.
Si kanë për të reaguar SHBA-të, vendet europiane, Turqia dhe Arabia Saudite, me fjalë të tjera, vendet jashtë frontit ruso-iranian? Këto vende, që janë palë aktive të çështjes siriane, duhet të ndërmarrin një hap, të përcaktojnë një qëndrim, të marrin një pozicion. Më së paku e kanë këtë përgjegjësi morale. A do të lihet e vetme opozita siriane? A kanë për të shkuar kot fitoret e arritura deri tani?
Pika kyçe është se çfarë u diskutua në takimin e fundit mes SHBA-ve dhe Rusisë. Eshtë mjaft interesante se Moska e nisi ndërhyrjen e vet menjëherë pas këtyre takimeve.
Unë shkruajta në shkrimin e shkuar se tani ka për të qenë më e vështirë për të gjetur një zgjidhje, se ndërhyrja e shteteve do ta kthejë Sirinë në një gangrenë, e se përparësia e këtyre vendeve do të jetë shtyrja e zgjidhjes, ngaqë kanë për të pritur që kushtet rajonale të piqen për “gjëra të tjera”.
Ndërhyrja e Rusisë mund të jetë hapi i parë i kësaj “shtyrjeje”.
Vendet tona, qytetet tona
Pavarësisht se për çfarë po luftojnë të tjerët, për ne që jetojmë në këtë rajon e vërteta nuk qëndron në manovrat e zgjidhjes që vazhdojnë pas dyerve të mbyllura. Vendet dhe qytetet tona po shkatërrohen. Njerëzit tanë po vrasin njëri-tjetrin. Shekulli i 21-të po kthehet në një shekull katastrofe për të gjithë ne.
Po, lufta siriane është rajonalizuar; në fakt, është globalizuar. Ajo është zgjeruar, nga Rusia në Iran, nga Turqia në Arabinë Saudite, dhe nga Europa në SHBA. Tani do të përballemi me këto realitete. Kemi për ta vlerësuar brenda këtij konteksti çdo lëvizje, çdo veprim në rajonin tonë që po vë në shenjë Turqinë.
Përktheu: Bujar M. Hoxha – tesheshi.com