Ibn Khaldun, një nga mendjet më të mëdha të traditës intelektuale islame, që shkroi më shumë për historinë, kulturën, shoqërinë, civilizimin dhe pushtetin politik, sesa çdo mendimtar musliman, ka një mesazh për të gjithë ne, sot, që jetojmë në një kohë të rritjes së pasigurisë dhe rrëmujës globale.
Abd al-Rahman ibn Muhmmad Ibn Khaldun (1332-1406), u bë i njohur më shumë nga vepra e tij e madhe, “Muqaddimah”. Vëzhgimet e tij të thella për shoqëritë e Afrikës së Veriut, pjesë e të cilave ai ishte, e bëri atë që të zhvillojë një koncept intrigues për historinë universale dhe civilizimin botëror.
Me një intelekt të shkallës së parë e me interesa të gjera në të gjitha fushat kryesore të dijes, Ibn Khalduni ishte njëkohësisht mendimtar dhe njeri i veprimit. Historianët e admirojnë mençurinë e tij për ngjitjen dhe rënien e fuqive të mëdha. Marksistët e vlerësojnë për mendimet penetruese mbi fuqinë e forcave ekonomike në formësimin e sjelljeve individuale dhe marrëdhënieve shoqërore. Burra shteti osmanë dhe historianë eksploruan nocionin e tij të “asabiyyah”-së për të shpjeguar sukseset dhe dështimet e perandorisë përgjatë shekujve. Disa e shohin atë si filozofin më të madh të civilizimit. Ai është një figurë që ngjall interes të paanë dhe ndikim që zgjat, pavarësisht nga cili kënd i qasesh.
Tani, Ibn Khalduni ka një mesazh për ne të gjithë sot që jetojmë në një epokë të rritjes së paqëndrueshmërisë dhe rrëmujës globale. Nëse historia mund të dëshmojë, dhe për Ibn Khaldunin është një dëshmitare kryesore, ajo na thotë se çelësi për mirëqënien materiale dhe shpirtërore të një shoqërie është kohezioni dhe solidariteti.
Qëniet njerëzore janë nga natyra “qënie politike” në kuptimin që ato janë të dëshiruar të jetojnë së bashku në mënyrë që të ruajnë trashëgiminë, të përmbushin nevojat themelore dhe të realizojnë potencialin për të qenë të “civilizuar”. Forcat shkatërrimtare të qënësishme për natyrën njerëzore vihen nën zgjedhë kur njerëzit mësojnë të bashkëjetojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Kjo kërkon një set parimesh morale dhe politike rreth të cilave të bashkohen. Ajo që është më e rëndësishmja, nuk ka asnjë civilizim pa një themel metafizik. Ato që e humbasin kohezionin e tyre social dhe solidaritetin e grupit, tejkalohen prej të tjerave që mbajnë unitetin e tyre, fuqinë dhe elasticitetin.
Për Ibn Khaldunin çështja më fundamentale është se çfarë e mban një grup njerëzish të bashkuar dhe të lidhur. Kjo është baza e të gjithë kulturës, civilizimit dhe pushtetit politik apo autoritetit. Pa këtë ingredient themelor, asnjë grup, asnjë popull, tribu, klan apo një komunitet më i gjerë nuk mund të arrijë pushtetin politik, të ndërtojë jetë urbane dhe ta ruajë atë. Këtu ndeshemi me konceptin qendror të Ibn Khaldunit të “asabiyyah”, apo solidaritetit të grupit dhe kohezionit social. (Vështirësia e përkthimit për këtë term khaldunian dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta përçuar në gjuhë të ndryshme nënvizojnë rëndësinë e tij kardinale). “Asabiyyah” është ngjitësi që lidh një grup së bashku. Ajo i jep pushtet dhe aftësi për t’u mbrojtur kundër agresorëve të jashtëm. Ajo aftëson ata të vendosin paqen dhe rendin mes tyre. Ajo i përgatit të ndërtojnë “umran”, ose civilizimin.
Por, këtu është edhe pika ku ndeshemi me një dilemë të madhe khalduniniane: kur një grup njerëzish të lidhur dhe me pushtet nga “asabiyyah” arrin jetën urbane dhe mban civilizimin, ai humbet kohezionin social dhe ndjesinë e solidaritetit. Ndërsa individët nisin të shijojnë përfitimet dhe rehatinë e një jete të civilizuar në mjedis urban, ata bëhen të shkujdesur, dembelë dhe “tepër të butë” për të mbrojtur veten kundrejt masakrave të atyre që kanë ruajtur “virtutet beduine” dhe cilësitë luftarake. Është vetëm çështje kohe përpara se këta të fundit të mbizotërojnë të parët.
Në paradigmën khalduniane, çmimi i civilizimit është humbja e kohezionit social, solidariteti i grupit dhe cilësitë fisnike që vijnë me to. Ata që humbasin “asabiyyah”-në, gjithashtu, humbasin edhe “asalah”-në e tyre, apo fisnikërinë. Kjo bëhet një temë e përhershme, një cikël i përjetshëm social ku tributë, kombet, shtetet dhe perandoritë rriten e bien. Ibn Khalduni mendonte se jetëgjatësia e një cikli është katër breza, apo pak më shumë se një shekull. Ai gjithashtu, besonte se baza më fundamentale e kohezionit social janë lidhjet familjare.
Nuk ka nyjë me të fortë dhe më funksionale që lidh njerëzit së bashku. Askush nuk do të guxonte të sulmojë ata që kanë lidhje të forta familjare. Por ata e humbasin të gjithë kuptimin e farefisnisë ndërsa bëhen banorë të qyteteve dhe individë të urbanizuar e të qytetëruar.
Ibn Khalduni nuk sheh rrugëdalje nga ky rebus: arrin pushtet, jetë urbane dhe civilizim përmes “asabiyyah”-së; por kur nis të shijon përfitimet e një jete të stabilizuar dhe të civilizuar, humbet kohezionin.
Qartësisht, kjo teori khalduniane ka kuptim për grupe të vogla si tributë, por nuk arrin të shpjegojë njësi më të mëdha sociale dhe mënyrën sesi ato bashkohen për të krijuar shtete jetëgjata dhe perandori. Teoria e tij sfidohet edhe më tej, nga kompleksiteti i botës moderne në të cilën jetojmë. Kështu, çfarë duhet të bëjmë? Ta hedhim teorinë e tij si të bazuar në njësi tribale të ngushta dhe të dala jashtë kohe?
Përgjigja është jo. Ndërsa ne duhet të vazhdojmë ta problematizojmë nocionin e tij të kohezionit social dhe solidaritetit të grupit bazuar mbi farefisninë dhe lidhjet tribale, ne duhet të ripunojmë dhe të zgjerojmë analizën e tij për të kuptuar çështjet kyçe të kohezionit, urbanizimit dhe civilizimit në rrethana më të gjera urbane dhe globale.
Kjo është një detyrë urgjente sidomos për botën bashkëkohore muslimane që vuan nga mungesa si e kohezionit social ashtu dhe nga mungesa e unitetit civilizues. Shtetet e dështuara dhe të dobëta, aktorët jo shtetërorë, tribalizmi, sektarizmi, nacionalizmi etnik dhe probleme të tjera i mohojnë shoqërive muslimane nga “ngjitësi” që do t’i mbronte ato nga agresorët dhe do t’i bënte të kuptonin burimet e tyre intelektuale e materiale për kulturë dhe civilizim.
Koncepti i Ibn Khaldunit për kohezionin social dhe solidaritetin kolektiv përputhet me atë që Kur’ani thotë në suren Anfal 46: “Dhe bindjuni Allahut dhe të dërguarit të Tij, dhe mos u grindni me njëri-tjetrin që të ligështoheni dhe të humbisni fuqinë: por qëndroni të palëkundur! Allahu është me të palëkundurin!”. Kur anëtarët e të njëjtit grup apo komb nisin të grinden me njëri-tjetrin në mënyra shkatërrimtare, ata e humbasin ‘erën’ apo fuqinë e tyre dhe ligështohen në çdo aspekt të jetës.
Eshtë më shumë se koha e duhur që shoqëritë muslimane të lexojnë Ibn Khaldunin në dritën e situatave të tyre aktuale. Mbajtja si e kohezionit social ashtu dhe e civilizimit urban mund të jetë një detyrë herkuliane. Por është një sfidë që duhet përballuar për të tejkaluar shumë nga sëmundjet tona moderne.
**İbrahim Kallën është këshilltar pranë presidentit turk dhe sekretar për Shtypin në kompleksin presidencial të Turqisë. Ai është gjithashtu zyrtar i lartë në qendrën Princi Alwaleed Bin Talal për kuptueshmërinë muslimano-kristiane në universitetin Georgetown. Kallën u diplomua në universitetin e Stambollit dhe kreu doktoraturën në universitetin George Washington.
Përktheu: Juli Prifti -/tesheshi,com/