Shqipërinë e pashë për të parën herë kur hapa sytë prej një gjumi të thellë sipër një kamioni mbushur me pleq e fëmijë, kah sythi i pranverës së ‘99-ës. Duke qenë fëmijë i traumatizuar nga të shtënat, britmat, zhurmat e skenat e dhunshme, mbaj mend të jem frikësuar vërtet ndërkohë që gazetarët e huaj u vërsulën për të marrë pamjet që normalisht do të preknin zemrën e gjithsecilit. Tiranën e kam vizituar vite më vonë, si për ta zhbërë ëndrrën syhapur të gjyshërve, Shqipërinë e shpresave të tyre.
Syri më ka zënë dy panorama të Shqipërisë në kohë të ndryshme dhe në rrethana krejt të tjera. Nga njëra anë të tmerron tisi i zi i idhnimit dhe zhgënjimit që e ka pllakos shoqërinë, një hije e zezë që del në pah mbas viteve të gjata të izolimit dhe tjetërsimit, një jetë plot vuajtje, rraskapitje dhe mohim. Por, në anën tjetër, gjithë ky pluhur nuk i ka tkurrur zemrat e gjera të shumë familjeve që kam takuar e vizituar nëpër vite, të cilat i kanë hapur dyert e tyre, kanë shtruar sofrat me dashni, e më kanë falë plot ngrohtësi e gëzim.
Më është dashur të orvatem goxha gjatë mes këtyre dy ekstremeve për të mirëkuptuar realitetin dhe dhimbjen që ka ajo copë toke, nga malet e larta deri tek rana e imët.
Vlera të djegura dhe paragjykime të ngatërruara
Duke lexuar komente portalesh e profilesh virtuale lidhur me vrasjen e dy turistëve çekë, ndjeva sa dhimbje, po aq neveri për njeriun. S’mund të ketë fjalë në botë që ta justifikojë humbjen e jetëve, vrasjen e dy të rinjve që po shëtisnin në një vend të huaj. S’do aspak filozofi për të kuptuar se sa e çmueshme është frymëmarrja dhe buzëqeshja e secilit. Megjithatë, bota jonë rezulton të jetë pak humane, aspak e mëshirshme, dhe tejet egoiste.
Nisur nga fakti se Shqipëria është vend i vogël, e dimë se fjalët fluturojnë brenda ditës, rritja e papunësisë është shqetësuese, varfëria është mbytëse, korrupsioni gjendet në lulëzim e sipër, si dhe dëshpërimi sa vjen e shtohet. Në aq pak metra katrorë, me një mal hallesh e problemesh, pa stabilitet politik e social, me shumë sfida në rrugën e demokratizimit dhe të integrimit europian, duket sikur shpresa e vetme mbetet ikja, braktisja, emigrimi. Në mos kësisoj, vendin do ta zërë distancimi dhe urrejtja për çdo element që të lidh me hapësirën ku jeton. Dhe mbi të gjitha, inferioriteti i mbishfaqur.
Sot, shqiptarët përpiqen vazhdimisht ta rikujtojnë “periudhën e lavdisë” me Skënderbeun, ndërsa mallkojnë otomanët që i kanë lënë pa u integruar në Europë! Ata thirren akoma te “besa si purtekë ari”, dhe kujtojnë bëmat e trimave e shtojzovallet. Në tërë këtë zallamahi, me apo pa dashje ata i shtojnë të vërtetës hutim të randë, duke mos e kuptuar se kohët kanë ndërruar, situatat janë të tjera, por vlerat që pritej të shtoheshin e pasuroheshin ndër ne janë djegur e harruar.
Mitet e vjetra janë fryrë me paragjykimet e ngatërruara, duke e shfrenuar imagjinatën e popullit për të huajt kureshtarë që vizitojnë malet e bregdetin. Shpesh shqiptarët e Kosovës që pushojnë në Durrës s’janë mjaftueshëm “të civilizuar”, turistët e huaj janë “gjah” i mirë, gratë të padenja për burrat, veriorët injorantë, jugorët dorështrënguar, e kështu me radhë.
Le të rezistojmë nga komplekset e inferioritetit
Në momente krizash njeriu priret të luhatet në ujërat e trazuara të dyshimit. Jetojmë në kohë të vështira, ku lajmi qarkullon me shpejtësinë e dritës dhe mediat luftojnë për të fituar lexues nëpërmjet titujve bombastikë, që më fort nxijnë zemra sesa e “iluminojnë” qytetarin. Ajo çfarë ndodhi në Dukagjin u komentua me hov e me shumë mllef. Normalisht, aktet barbare si ky i fundit duhen dënuar me vendosmëri të madhe. Ky rast s’mund të kalojë pa u ndëshkuar, qoftë dhe moralisht, prej çdo niveli institucional. Sidomos tani që Shqipëria mëton të radhitet mes shteteve demokratike.
Megjithëkëtë, edhe pse shqetësimi dhe idhnimi është i madh, si shoqëri do duhej të mos binim pre e urrejtjes.
Plot herë kemi vënë re si është kultivuar superioriteti i “tjetrit” jashtë nesh. “Tjetri” ka qenë dhe mbetet forma ideale e qytetarit të edukuar, e qytetarit të ndershëm dhe të arsyeshëm. Paralelisht ka lëshuar rrënjë njëfarë kompleksi inferioriteti për veten dhe për atë çfarë është e jona. Pra, tendenca për t’u shkëputur nga “lloji i njëjtë” shoqërohet me përbuzjen dhe sikletin për identitetin, sado i zbehur të jetë ai. Mbi të gjitha, prirja për t’i futur të gjithë shqiptarët në një thes, për t’i paraqitur ata si të pandjeshëm, të paedukuar e mizorë, është vërtet alarmuese. Po aq sa edhe “neveria” e të qenurit shqiptarë.
Situata e krijuar ditët e fundit e ka rënduar ajrin kudo, prandaj në kësi rrethanash nuk mund të mos i përmend standardet e dyfishta me të cilat ne si popull i “klasifikojmë” vrasësit; në botën perëndimore justifikohen si njerëz me probleme psiqike, me çrregullime mendore, ndërsa vrasësit lindorë s’janë më tepër se “ujqër, alienë, terroristë, fundamentalistë,” që duhen mbajtur nën kontroll.
Shqipëria që (s) bëhet
Ca ditë më parë, diku nëpër malet belge u gjet trupi i një studenti të masakruar. Në mediat shqiptare kjo u komentua pak, ose aspak. Të mos flasim për shoqërinë civile, se ajo pothuajse nuk ekziston fare, madje as në kryeqendër, që është një ujëmbledhës “intelektualësh” e “aktivistësh”.
Janë vrarë dhe qindra gra e burra të pafajshëm, për të cilët ne si shoqëri kemi heshtur dhe e kemi mbuluar fajin me indiferencën tonë. Në zgjerimin bashkëkohor të fuqisë dhe preokupimeve të shtetit modern, institucione si adhurimi, edukimi, familja dhe mirëqenia sociale janë përfshirë në aparatin rregullues të tij. Pra, çdo qytetar pret natyrshëm që shteti, i cili i ndërhyn në të gjitha sferat sociale, politike e ekonomike, t’i ofrojë minimalisht siguri me paanësi dhe besnikëri.
Shqipërinë e kam parë duke ndërruar. Shqiptarët i kam parë herë më të çiltër, e herë më të rënduar. Qeveritë vijnë e shkojnë, me ose pa reforma konkrete. E kam këqyrur Tiranën duke u “mbipopulluar”, me policë të cilët ofrojnë një lloj sigurie për të lëvizur edhe natën. Nga sa shohim, shteti kontrollon jetën e qytetarit të thjeshtë. Por shija e hidhur e kronikave të zeza që vijnë e shtohen na lë të kuptojmë se ky vend do shumë mund për t’u kthjelluar. Nuk do fjalë të mëdha, madje as integrimi në BE s’ka për t’i ulur dozat e inferioritetit që vijnë prej shpërlarjes së trurit. Shqipëria s’mund të mbahet me burrat që s’janë, me besën që nuk e njohim, me shkollat e betonuara, me librat pa shkronja, e as me bukuritë e Alpeve që nuk kontrollohen nga policia e shtetit! /tesheshi.com/