Gratë në procesin e vendimmarrjes në Kosovë
Kosova, si shtet i ri, edhe pse ballafaqohet me shumë sfida dhe probleme të ndryshme, në kuadër të procesit të vendimmarrjes së gruas mund të themi se ka bërë mesatarisht progres. Kurse si progres më madhor konsiderohet fakti që për herë të parë në historinë e Ballkanit Perëndimor një shtet ka arritur që për një mandat të ketë një femër presidente. Mirëpo në pozitat e tjera vendimmarrëse kjo është paksa më problematike, pavarësisht se një gjë e tillë është e garantuar me legjislacionin në fuqi.
Këtë më së miri e dëshmon numri i grave që janë në pozita vendimmarrëse, sidomos në sektorin publik. Të dhënat nga MPMS-ja për vitin 2016 tregojnë se, “Shërbimet Publike të Punësimit kanë realizuar 38,5% të ndërmjetësimeve të rregullta për gratë, ose 1,550 persona, ndërsa meshkuj janë ndërmjetësuar në punësim me 61,5%, ose me 2,472 persona. Shkalla e punësimit tek gratë e papunësuara është 3.4%, ndërsa meshkujt arrijnë rezultate prej 4.4% për vitin 2016. Realisht gratë janë nën vlerat e mesatares kosovare (4,0%), me 0,6 pikë të përqindjes, e cila është 3.4%, kurse meshkuj në mënyrë mbi proporcionale i tejkalojnë këto vlera prej 4,4%.” Ndërsa, sa i përket papunësisë, sipas viteve, kemi këto të dhëna, si vijon: “viti 2013 – 74,475 (gra 32,327, burra 42,148), viti 2014 – 83,323 (gra 36,570, burra 46,753), viti 2015 – 112,179 (gra 48,960, burra 63,219), viti 2016 – 101,773 (gra 45,061, burra 56,712) [Raporti i MMPS-së].
Bazuar në këtë raport, mund të vërejmë se papunësia është më e lartë tek meshkujt sesa te gratë, megjithëse vërehet dukshëm që edhe tek gratë është shumë e lartë. Në anën tjetër, në një hulumtim të bërë nga Zyra për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit me 550 respodentë në nivel qendror dhe lokal të institucioneve publike, ndërmarrjeve publike, si dhe shoqërisë civile, del se gratë kryesisht kanë pozita profesionale në institucionet ku punojnë, gjë që lë të nënkuptohet se ato pozita janë vendimmarrëse, por jo në atë nivel që do të ishte i kënaqshëm. Të dhënat nga ky hulumtim janë bërë në periudhën e vitit 2011, dhe vërehet se ka një përmirësim të vogël të ngritjes së gruas në pozita të larta, por që ato pozita janë kryesisht menaxheriale profesionale, e më pak pozita të larta vendimmarrëse, si vijon: 31% pozita profesionale, 21% pozita menaxheriale të mesme, 19% pozita menaxheriale të ulëta, 18% pozita menaxheriale të larta dhe 11% administrative teknike [Raporti nga ZBGJ, 2011].
Mbështetur te ky hulumtim, mund të shohim se pozitat më të larta në institucione publike, ku gratë janë të punësuara, janë ato pozita profesionale, me 31%, kurse më të ulëta janë ato administrative teknike, me 11%. Ndërsa, në mënyrë që të analizojmë më gjerësisht procesin e përfshirjes së grave në vendimmarrje, kemi fjalën për nivelet më të larta politike, ku ka pozita udhëheqëse, ne kemi analizuar pozitat e nivelit më të lartë politik, dhe si rezultat i kësaj analize kemi arritur në përfundimin se: kryetari i shtetit është mashkull, pastaj kryeministri, mashkull, prej 120 deputetëve, janë 83 meshkuj dhe 37 femra, prej 20 ministrave, 16 janë meshkuj dhe 4 femra, prej 19 sekretarëve, 18 janë meshkuj dhe 1 femër, prej 38 komunave, 37 janë kryetarë dhe 1 kryetare. Prej 26 ambasadorëve (sipas faqes zyrtare të MPJ-së), janë 20 ambasadorë të gjinisë mashkullore dhe 6 të gjinisë femërore, pastaj, prej 26 misioneve konsullore, janë 20 misione konsullore të përfaqësuar nga meshkujt dhe 6 të përfaqësuar nga femrat. Po ashtu, në 38 komuna janë 672 asamblistë meshkuj dhe 333 asambleiste femra (Të dhënat janë marrë nga faqet zyrtare të institucioneve, por janë përpunuar nga ne).
Pavarësisht faktit se Kosova në mandatin e kaluar ka pasur një femër në postin presidencial, pozita e tillë ka qenë si rezultat i rrethanave politike të krijuara. Mirëpo në realitet mund të themi se ekziston një nivel mesatar sa i përket çështjes, ku gruaja ka pozitë vendimmarrëse dhe ka një pavarësi në vendimet e saj. Kjo për shkak të ndikimit të një sërë faktorëve, si: stereotipizimi i femrave, imazhet seksiste, pastaj dallimet e shumta social-psikologjike, ndikimi i politikës, ndikimi i rrethit social, mungesa e përkrahjes së inkurajimit të gruas në praktikë, etj. Prandaj, në përgjithësi mund të themi se aktualisht kemi një gjendje shumë më të mirë të pozitës vendimmarrëse të gruas në sfera të ndryshme të sektorit publik, por edhe të atij privat, sesa më parë, por jo në nivel të kënaqshëm. Pra, me fjalë të tjera, ende ka nevojë për më shumë progres në këtë drejtim, për shkak se shoqëria kosovare është duke kaluar një periudhë tranzicioni që ka marrë mjaft kohë dhe ka sjellë sfida të reja.
Faktorët kryesorë që i pengojnë gratë në karrierë dhe në vendimmarrje
Kosova pas vitit 1999 vërehet se ka bërë disa transformime politike, ekonomike, kulturore dhe shoqërore; transformime këto që apriori kanë ndikuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore mbi atë se meshkujt dhe femrat janë të barabartë në të gjitha poret e jetës. Ndikim të lartë ka pasur edhe emancipimi i femrës, ndikimi i një sërë organizatave joqeveritare për fuqizimin e pozitës, ku i gjithë ky progres u kurorëzua me zgjedhjen e një femre për presidente të Kosovës. Në anën tjetër, gruaja sot në Kosovë ballafaqohet me shumë probleme dhe sfida, të cilat njëherësh janë edhe pengesa për të fuqizuar një egalitarizëm më të denjë në të gjitha poret e jetës. Për këtë me siguri se ka disa faktorë, si mungesa e vendimmarrjes në familjes, diskriminimi i femrës nga e drejta e saj për të trashëguar pronën, imazhet seksiste dhe gjuha e maskulinitetit në media, portretizimi i femrës në këndvështrimin e stereotipizimit të saj në shoqëri, ngacmimi seksual, etj. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe stigmatizimi në shoqëri që i bëhet femrës, mungesa e shkollimit në zonat e thella rurale, si dhe e gatishmërisë për të pasur një barazi më të lartë shoqërore, edhe pse një gjë e tillë është e rregulluar me legjislacionin në fuqi. Këto faktorë, por edhe të tjerë, kanë bërë që sot femra të ketë një pozitë mesatare në shoqëri, pavarësisht promovimit për një barazi gjinore nga shumë mekanizma institucionalë.
Prandaj, si përfundim mund të themi se gratë në Kosovë ballafaqohen sot me shumë pengesa drejt kulmit të karrierës, duke përfshirë këtu dhunën në familje, kujdesin ndaj fëmijëve, punët e shtëpisë, si dhe shumë pengesa të tjera, të cilat shpeshherë janë bllokuese për fuqizimin e grave drejt pozitës së vendimmarrjes. Institucionet e Kosovës, së bashku me aktorët e tjerë (shoqërinë civile, organizatat e huaja ndërkombëtare, etj), duhet që së pari të analizojnë zbatimin e legjislacionit vendor, i cili projekton pjesëmarrjen e gruas në vendimmarrje, pastaj duhet të hartohen analiza politike mbi procesin e vendimmarrjes së grave dhe të analizohet stadi aktual, të krijohet një vetëdijesim gjithëpërfshirës mbi atë se gruaja është e barabartë me burrin, të analizohen tekstet shkollore dhe stereotipizimi gjinor në to, të krijohen programe të edukimit medial mbi barazinë gjinore dhe drejtësinë sociale, sidomos mbi të drejtën e femrës në trashëgimi, e të tjera. /tesheshi.com/