Ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat ndodhën në shekujt që lamë, sidomos pas eksplorimit të ideve të reja inovative, qitën në pah shumë zbulime të cilat u orientuan kah ndryshimet e përgjithshme dhe ndikuan edhe në dinamikën e jetës së njeriut. Këto ndryshime po ashtu bënë që njeriu të ketë një transformim radikal sa i përket proceseve të komunikimit dhe informatikës. Kjo për shkak se pikërisht këto zhvillime mundësuan që gjuha si mjet i komunikimit të arrihet nga një skaj i botës në skajin tjetër.
Madje, specifikisht thuhet se zhvillimi i shoqërive moderne solli ndryshime të mëdha në evoluimin e shoqërisë njerëzore.
Studiuesit janë të mendimit se pikërisht njerëzimi i shekullit XXI konsiderohet si njerëzimi i cili ka arritur në piedestalet më të larta të shkencës, teknologjisë dhe informatikës. Ideja e Marshall Mcluhan-it se bota është një fshat global, mund të thuhet se është e drejtë deri diku, kjo pasi që pikërisht ky fuqizim i rrjetëzimit bëri që sidomos komunikimi virtual të jetë një revolucion në vete, të fuqizon komunikimin ndërmjet kulturave të ndryshme që dikur as që ishte imagjinuar, të ketë ura lidhëse ndërmjet kulturave, si dhe të ndikon që shumë gjëra të cilat dikur bëheshin në mënyrë mekanike, tani më bëheshin në formën virtuale.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve ishin edhe mediat si prore të globalizmit. Ndaj, zhvillimi i teknologjisë informative, procesi i globalizimit i cili me një dorë po jep dhe me tjetrin po merr, por edhe ndryshimet dhe zhvillimet sociale kanë bërë të mundur që sot komunikimi jo vetëm të jetë në mes të dy palëve, por të jetë edhe pjesë e identitetit, njëkohësisht të jetë në mes të shumë palëve, kjo falë teknologjisë informative.
Komunikimi virtual sot është produkt i postmodernizmit i cili përveç tjerash ka hyrë në sferën emocionale të njeriut, por edhe në përgjithësi në sferën private të tij. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me trekëndëshin e shfaqur në mes të logos-it (logjikës), pathos-it (emocionaliteti) dhe ethos-it (etikës) të cilat janë alfa dhe omega e komunikimit.
Ky proces ka ndikuar që kohë pas kohe edhe mediat e shkruara të ketë një transformim nga një lexim fizik në atë elektronik. Përderisa, dikur njerëzit padurim kanë pritur gazetat apo revistat e shkruara që të dilnin në treg për tu informuar, tashmë nuk mund të themi të njëjtën gjë, sepse falë zhvillimit të teknologjisë informative pothuajse shtypi i shkruar është zëvendësuar me atë elektronik/virtual.
Me zbulimin e shtypshkronjës nga Johan Gunberg me 1445 u mendua se ishte një revolucion në vete, por zhvillimet e mëvonshme, sidomos revolucioni tekniko – teknologjik, pasqyruan së miri faktin se gjërat do të ndryshohen dhe të shkohet edhe më tej me teknologji informative.
Madje, vet studiuesi i njohur Johan Gunther i cili ka qëndruar një kohë në Kosovë thekson se sot, si rezultat i zhvillimeve të fundit në epokën e digjitalizimi, njerëzit mund të ndahen në dy kategori:
- Vendasit digjital;
- Emigrantët digjital
Me të parët nënkuptojmë personat të cilët janë rritur me teknologjinë informative, sidomos me atë virtuale, ndërsa me të dytë nënkuptojmë personat me moshë më të vjetër të cilët janë problem të akomodohen me zhvillimet evolutive të kësaj teknologjie.
Aktualisht pushteti i medias është shumë i fuqishëm, gjë që na ndërlidhet edhe me atë që sipas Edmund Burke, mediat konsiderohen si pushtet i katërt pas atij legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, sidomos mediat elektronike, ku në to përfshihen edhe portalet e ndryshme të cilat së fundi janë me numër të madh në Kosovë.
Dallimet në mes gazetave dhe portaleve
Kur flasim për dallimet në mes gazetave dhe portaleve, duhet cekur se këto portale kanë bërë që në një ose tjetrën mënyrë të ulët numri i blerjes së gazetave në raport me të kaluarën, duke ofruar një kolorit të informacioneve të ndryshme. Kur kemi parasysh faktin që informacioni konsiderohet si burim i pashtershëm pasi që i përket natyrës jo materiale dhe është një fuqi e madhe, njëherit konsiderohet edhe si një hartë kognitive. Për këtë qëllim ekzistojnë disa dallime ndërmjet gazetave (shtypit të shkruar) dhe portaleve online, si:
- Gazetat dalin më vonesë në raport me postimet online;
- Gazetat janë të kufizuara ndërsa portalet jo;
- Gazetat kanë më pak hapësirë për reklama ndërsa portalet jo;
- Gazetat janë me pagesë, kurse portalet kanë qasje pa pagesë;
- Gazetat kanë kosto më të lartë, kurse portalet jo;
- Gazetat kanë probleme për matjen e opinionit publik, kurse portalet e kanë shumë të lehtë;
- Gazetat menaxhohen më vështirë, portalet jo;
- Gazetat kanë dizajnin me më pak ngjyra, kurse portalet mund të kenë grafite me nuanca më të mira;
- Gazetat kanë një marketing më të ulët, kurse portalet kanë kërkesa më të mëdha për marketing, duke marrë në konsideratë edhe numrin e lartë të klikimeve;
- Gazetat kryesisht kanë përdorues të moshave më të vjetra edhe pse kjo është relative, kurse portalet shfrytëzohen më shumë nga ana e të rinjve;
- Mundësia e kontrolleve politike është në të dyja.
Portalet online që tani më ua kanë zënë vendin gazetave të shtypura kanë bërë që të ketë efekte pozitive dhe negative në shoqëri. Disa nga aspektet pozitive janë se këto portale online ofrojnë:
- Informim më të shpejtë;
- Mundësi komentimi;
- Mundësi të zgjedhjes së lajmit në rubrika të ndryshme;
- Shumë llojshmëri të portaleve;
- Mundësi të shumta si ato të multimedial (mundësi video, audio dhe vizuale);
- Komunikim më shpejtë ndërmjet medieve dhe opinionit publik;
- Mundësi të financave më shpejtë përmes klikimeve;
- Dhënia e mundësisë qytetarëve që përmes shkrimeve apo komenteve të shprehin kënaqësinë apo pakënaqësinë ndaj institucioneve të vendit;
- Mundësi më të mëdha dhe hapësirë më të madhe për komunitetin e bizneseve.
Efektet pozitive dhe negative të mediave sociale
Sa i përket pasoja negative ato janë të shumta dhe përfshijnë një konglomerat pasojash apo efekte negative, si:
- Efekte psikologjike (varësia nga portalet e ndryshme apo edhe rrjetet sociale, shpërfaqja e agresivitetit);
- Mediokriteti – që nënkupton se një pjesë e gazetarëve nuk lodhen që të bëjnë gazetari hulumtuese, por vetëm copy paste;
- Efektet sociale (mungesa e kohezionit social, mungesa e integrimit social, mungesa e aktiviteteve fizike, mungesa e shoqërizimit me të tjerët, mungesa e komunikimit me të tjerët);
- Efektet fizike – shëndetësore (miopia – problemet me të pamurit, obeziteti (trashësia) nga qëndrimi në një vend, pagjumësia);
- Efektet tjera – shfaqja e agresivitetit dhe afektit si rezultat i komenteve banale, madje vetë Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka vendosur të enjten që portalet e lajmeve janë përgjegjëse për publikimin e komenteve të lexuesve. Sipas saj, portalet fitojnë financiarisht duke lejuar komente fyese. Ky vendim në Kosovë mund të zbatohet përmes Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të rregullta, të cilat duhet të marrin parasysh vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
- Efektet tjera janë edhe ato të instrumentalizimit të dhunës – ku një portal mund të bënë thirrje për dhunë ose nxitë urrejtje e të tjera.
Ndërsa sa i përket kredibilitetit apo besueshmërisë, kjo mund të themi se është relative, por një përparësi tjetër që e kanë portalet apo mediat elektronike në raport me ato të shkruara është fakti se edhe nëse ndodhë ndonjë gabim ai mund të përmirësohet, ndërsa tek ato të shkruara jo. Po ashtu, këto ndryshime tektonike kanë shpërfaqur edhe një lloj konflikti i cili deri vonë ka qenë latentë, kjo për shkak se si rezultat i këtyre ndryshimeve, shumë njerëz (kryesisht gazetar) të moshave të ndryshme kanë mbetur të pa punë dhe ata janë afër një zgjedhjeje “take or leave it”, pra të transformohen kundrejt ndryshimeve ose të mbesin pa punë.
Si përfundim mund të themi se portalet aktualisht janë duke i zëvendësuar mediat e shkruara dhe thjeshtë mund të themi se në një të ardhme të afërt, virtualiteti apo mediat online do të jenë e ardhmja e informacionit dhe medias. /tesheshi.com/