Shoqëria kosovare përveç se përballet me shumë probleme dhe sfida, por edhe me disa anomali, së fundi është përballur edhe me një diskurs ndoshta me shumë lokal që ka të bëjë me profilizimin e njerëzve (qytetarëve) në bazë të pijes, duke i profilizuar ata në dy taborre: a) qytetarë dhe b) katundarë. Ky diskurs lokal ka bërë që një pjesë e madhe e lokaleve në Kryeqytet por edhe në disa qytete të tjera të mos mbajnë pije si: Fanta, Sprite apo edhe lëngje vetëm e vetëm mos të profilizohen si katundar. Madje që disa vite veçmas në shumë lokale në Prishtinë konsiderohet si turp të kërkosh pije të tillë. Ky fakt në sjellë në mendje a-kulturimin dhe kontrakulturën e viteve 60-ta në SHBA, ku “Coca Cola ishte prodhuar për njerëzit me ngjyrë të bardhë, kurse Pepsi për ata me ngjyrë të zezë” (shih: http://www.thewire.com/national/2013/01/brief-history-racist-soft-drinks/61515/)!
Madje, edhe disa kultura fetare siç janë Mormonët përdorimi i kafeinës konsiderohet si tabu apo edhe mëkat! Në fakt, pija (jo alkoolike) është një lloj mjeti për integrimin shoqëror, njerëzit zakonisht dalin në lokale për biseda të ndryshme dhe argëtim, si dhe pija është ai elementi që ndërlidhet edhe me komunikimin/bisedat e tyre. Andaj, edhe profilizimi i tillë në aspektin sociologjik na del kundër barazisë shoqërore – një lloj shtresëzimi social, shpërfaq linçimin që shpeshherë është latent, por shpërfaq edhe një lloj cinizmi të një pjese të disa individëve (kozmopolitanëve) në raport me një pjesë tjetër të qytetarëve. Tek e fundit sociologjia urbane thekson shumë mirë se së pari ka lindur fshati dhe si rezultat i zgjerimit (demografik) të fshatit lindi nevoja e qyteteve e kështu me radhë. Madje, sot vetë elitat e ndryshme perëndimore më shumë jetojnë në fshat sesa në qytet, të paktën këto janë disa nga leksionet e urbanistëve. Ne e dimë se shoqëri pa kulturë nuk ka dhe kulturë pa paragjykime nuk ka. Mirëpo, paragjykimet dhe linçimet t’iu bëhen njerëzve vetëm pse konsumon ndonjë pije të caktuar, kjo është e tepërt! Këto fakte nxjerrin në pah disa dimensione interesante, si:
- Së pari, është e drejtë e secilit/ës të konsumon çfarë të dojë dhe është e drejtë e tyre të shkojnë në cilindo lokal, përderisa ai lokal është i hapur?;
- Së dyti, lokalet janë biznese dhe janë të hapur për qytetarë të cilët i frekuentojnë dhe përderisa një lokal është i hapur, atë mund kush të do ta frekuentojë;
- Së treti, këtu pasqyrohet vetëdija e ulët shoqërore dhe apetitet për një status më të lartë shoqëror;
- Së katërti, me profilizimin e tillë, shoqëria kosovare shpërfaqë cinizmin latent;
- Së pesti, inicimi i kësaj motoje nga disa lokalist (a) që kanë problem me ndërtimin e personalitetit të tyre paraqet edhe kontrakulturë me shoqërinë kosovare;
- Së gjashti, zakonisht këto fërkime kulturore ndodhin në ato shoqëri të vogla ku homogjeniteti është më i lartë sesa heteronigjeniteti;
- Së shtati, njerëzit për shkaqe dhe rrethana të ndryshme dëshirojnë të jenë në qendër të vëmendjes, andaj këto raste përdoren që x persona ose lokale të jenë në qendër të vëmendjes, një lloj egocentrizmi.
Pra, shikuar nga rrafshi kulturor dhe social shohim se profilizime të tilla nuk janë të mira, sepse përveç aspektit psikologjik që i bënë njerëzit të ndihen inferior në raport me të tjerët është edhe tejet diskriminuese dhe jo etike, si dhe i bënë ata që të ndihen edhe më shumë kompleksiv. Secili rajon apo qytet ka kulturën apo lokalizmin e tij dhe ai mburret me të, sepse pasqyron parimet dhe vlerat kulturore. Në raste të tilla etiketimesh, stereotipash apo paragjykimesh ofendohen edhe këto vlera. Siç mund të vërehet qëllimi nuk është vetëm tek pija e caktuar, por qëllimi këtu është veçimi i njerëzve duke përdorur si instrument pijet e caktuara! Ky profilizim ndodhë më shumë edhe si rezultat i ndjenjës superiore të lokalistëve në raport me qytetarët e zonave rurale. Ndoshta më mirë është që të ndalohet alkooli në moshën 18 ose 21 vjeçare ashtu siç është i ndaluar për këtë moshë në shumë shtete të zhvilluara sesa të merret me lokalizma të tillë kulturor. Në fund, zgjedhja dhe shija është e lirë…! Të lutem më sjellë një FANTa!@
Me FANTa#
*MSc. Sociolog
/tesheshi.com/