Një ditë në shesh mes policëve dhe lumit gjigant të protestuesve
Vlorë – Është shkurt, por në Vlorë bën vapë, tmerrësisht vapë. Jo delli, por edhe portretet e ndezura të mijëra vlonjatëve të largojnë sakaq dimrin. Biseda të ashpra, parulla, mllefe dhe inate, por edhe të qara. Nuk është kollaj të cilësosh me një fjalë të vetme Vlorën e këtyre ditëve. E ndezur do të ishte pak, mbase është më mirë të thuash, njerëz të mashtruar, mjeti i vetëm i protestës së të cilëve është dalja në rrugë duke shpresuar se dikush do t’i ndihmojë në hallin që i zuri në këto të këqija. U kishin premtuar parajsën, dhe për pak kohë kjo formulë nisi të funksionojë, por gjetën në shkëmbim të saj një zhgënjim pa fund. Tani ndjehen të mashtruar, të inatosur, të varfër, të revoltuar. Udhëtimi në Vlorën e përfshirë nga protesta e dhjetëra mijëra vetëve, kalon më parë nga të tjera qytete që vazhdojnë të vuajnë nga plaga fajde…
Lushnja pa kokore
Në Lushnje nuk janë më ushtarët me kokore të një jave më parë, të paktën tani ata e kanë lëshuar vendin e rrethuar me tela në hyrje të qytetit ku u strehuan për ditë me radhë. Edhe këtu duket se është rishfaqur qetësia. Godina e djegur e bashkisë ka nisur të mermetohet me urgjencë. Mjeshtërit e ndërtimit kanë nisur të punojnë nën shikimin indiferent të kalimtarëve. Ushtarët tani kanë shpëtuar, janë kthyer në repart për të numëruar sërish ditët që u kanë mbetur.
Fier, policët nisin të shtohen
Sikur të mos ishin policët e shtuar në çdo kryqëzim, askush nuk do ta besonte se qyteti vetëm një ditë më pas do të përfshihej nga vala e protestave. Sa më shumë i afrohesh Vlorës, aq më shumë makina policie dhe uniforma laramane sheh rrugës, por në rrugët kryesore të bien menjëherë në sy fytyrat e njerëzve afër disa pemëve. Në to janë të mbërthyera shpalljet që bëjnë fjalë për procedurat e kthimit të parave. Disa e gjejnë vendin dhe datën, të tjerë nuk e kuptojnë se ç’bëhet, kthehen nga të tjerë për të mësuar ndonjë hollësi, por shohin vetëm një ngritje supesh dhe kaq…
“Çdo ky oficer me ju?”
Na kishin thënë se është e pamundur të hysh në Vlorën e protestave. “Nuk të lë policia” kishim dëgjuar të thuhej në Tiranë. Në fakt, çdo frikë doli e kotë, policia kontrollon vetëm dokumentet dhe gazetarët mund t’i afrohen “Qytetit të Flamurit”. Vetëm nëse do që të ndodhë kjo, duhet të sqarosh njëherë mirë policët që janë në postbllokun kryesor, në të dalë të Fierit. “Ku vini”, tashmë makinës sonë të ndaluar në postbllok i është afruar një polic. Kur ne i themi se jemi nisur “të vemi në Vlorë”, atëherë mbërrin sakaq pyetja e dytë, e thënë me ton edhe më të fortë “Pse?”. Kur mëson se jemi gazetarë, se jemi nisur për punë, fytyra e tij zbutet dhe ne zgjasim dokumentet. “Uë, po çdo ky oficer këtu me ju?”, ne rrotullojmë sytë por nuk shohim asnjë oficer në makinën tonë. Pas disa minutash habie – ndërkohë polici vazhdon të këmbëngulë “Ja është e shkruar këtu” duke treguar dokumentet e fotoreporterit belg të revistës së re shqiptare “Klan” – njëri prej nesh kujtohet: “Mos e ka fjalën për Oliverin?”. Belgu, që s’kupton se çfarë po ndodh vazhdon të qëndrojë i qetë në sediljen e tij, derisa më në fund keqkuptimi zgjidhet. Nga nxitimi, polici emrin Oliver e ka lexuar “oficer” dhe po mundohej të gjente se për kë punonte. Gjithçka sqarohet shpejt dhe policia na hap rrugën. “Bëni kujdes andej” shton duke buzëqeshur. “Ah c’est bon”, kaq thotë belgu ndërsa i rrëfejmë ç’kishte ndodhur pak minuta më parë.
Në marshim nga Skela
Në të hyrë të Vlorës gjithçka duket e qetë. Disa policë, uniformës së të cilës i kanë shtuar edhe një jelek fosforeshent ku shkruhet “Police” bëjnë kujdes me trafikun. Asnjë shenjë nuk të lejon ta kuptosh se stuhia po afrohet. Në një nga kryqëzimet e bulevardit kryesor, një polic na këshillon: “Ndaleni makinën, po vijnë dy grupet e mëdha”, janë në fakt me dhjetëra njerëz që kanë marrë rrugën për në Sheshin e Flamurit. Sapo afrohen drejt qendrës nisin parullat e thëna tashmë për ditë me radhë. Të rinj, gra, njerëz të të gjitha moshave dhe profesioneve e kanë vendosur: do të demostrojnë paqësisht. Paqja, në fakt, është një fjalë që tingëllon disi absurde në atmosferën e ndezur të korteut gjigant të demostruesve, por megjithatë është vërtetë kështu. Kur shohim se policët e shoqërojnë qetësisht turmën, atëherë bindemi se konfrontime, të paktën këtë ditë, nuk do të ketë. Pak minuta në Sheshin e Flamurit dhe më pas nis sërish rruga për në sheshin e prefekturës. Marshimi vazhdon qetësisht deri atje dhe ne kemi rastin të bisedojmë me protestuesit.
“Duam paratë tona”
“Duam paratë, vetëm paratë, nëse kjo qeveri nuk na ndihmon atëherë le të ikë, ç’na duhet?”, këto fjalë i thotë gati me të bërtitur një grua e shtyrë në moshë. Të tjerë mundohen ta qetësojnë dhe ta vënë në radhë, më pas na tregojnë se ajo vetë ka humbur gjithë kursimet e veta, shtëpinë dhe paratë e dërguara nga e bija emigrante. Këtu, tashmë histori të tilla nuk përbëjnë më lajm, aq të shumtë janë njerëzit si kjo grua që sapo kemi takuar. Vargu i njerëzve mbush dalëngadalë sheshin e Bashkisë dhe këtu nis vallja e parullave dhe protestave. Dy herë një grup të rinjsh tenton të çajë vargun e hollë të policëve, po vetë turma i kthen pas. Dikush hedh një parullë politike, turma vihet në lëvizje dhe mundohet të gjejë cili bërtit: “Nuk kemi punë me politikë”. “në shesh, në shesh”, dëgjohet diku nga mezi i turmës pas afro një ore dhe njerëzit marrin rrugën për në Sheshin e Flamurit. Deri atje policë e qytetarë ecin sërish bashkë, duket gati-gati një shëtitje e thjeshtë. Dhuna të dyja palëve në Vlorë u duket e kotë.
Folklori merr hov
Vlonjatët, ca nga inati e ca nga prirja e tyre tradicionale për të krijuar togfjalësha të goditur, i kanë dhënë një hov të ri folklorit. Shumë parulla, këngë, madje edhe vjersha të veçanta janë hartuar këto ditë sipas talentit të njohur të lebërve. Shumë prej tyre janë drejtuar kësaj radhe kundër Berishës dhe Qeverisë. Disa tashmë janë të njohura në krejt Vlorën, të tjera improvizoheshin në çast. Disa të moderuara, disa aq të “guximshme” sa në faqet e një gazete nuk janë të përshtatshme për t’u riprodhuar. Shumë vetë kan vazhduar, ndërsa improvizonin parulla, të krijonin edhe versione të tjera më personale, por që ishin për përdorim të gjerë. Ndërsa vargu i gjatë i njerëzve i afrohej gardhit blu që ruante bashkinë, një i moshuar i nxehur thërriti: “Jashtë na bashkia qentë që janë fshehur”. “Ç’qën o xhahxa”, – i është përgjigjur një djalë i ri që ecte pranë tij, “po atje s’ka mbetur më asnjeri”. Debatet dhe bisedat me “xhaxhanë” kanë vazhduar edhe ca kohë, sipas mënyrës së shtruar labçe, kuptohet. Grumbulli i të rinjve mbledhur sakaq rreth të moshuarit ka vazhduar t’i shpjegojë se tashmë nuk bëhet fjalë për bashkinë, por xhaxhai ka këmbëngulur në të tijën: “Jo or jo, unë e kam me këta, vetëm me këta, të tjerët s’më duhen gjë mua”.
“Duhet të thoni të vërtetën”
Vlonjatët janë të irrituar, të zhgënjyer, të mashtruar dhe protestojnë. Sipas mënyrës së tyre. Dalin çdo ditë në Skelë dhe më pas vazhdojnë të marshojnë përmes Sheshit të Flamurit deri përballë godinës së djegur të Bashkisë. Qyteti zien jo vetëm nga protestat e dhjetëra mijëra vetëve, por edhe nga pikëpyetjet e mëdha: “Ç’u bë me paratë tona? Të premten në Vlorë kemi qenë vetë dëshmitarë të një proteste qytetare të admirueshme. Asnjë gur, asnjë shkatërrim, vetëm kërkesa për zgjidhjen e problemit të madh të Vlorës. Tashmë është bërë e ditur për të gjithë se Vlora ka nisur të protestojë. Imazhet e vlonjatëve të të egërsuar kanë dalë thuajse në të gjitha agjencitë dhe kanalet televizive të pjesës më të madhe të botës. Për ne, njerëzit e shtypit ka qenë një lajmë më tepër për t’u pasqyruar. “Hë, or ditëzinj se na çmendët”, na ka thënë njëri prej protestuesve të irrituar. Kur kemi kërkuar shpjegime se pse ky qëndrim ndaj shtypit, atëherë shumë vet na janë përgjigjur: “Duhet të thoni të vërtetën në sy dhe jo të bëni dredha”. Kjo fjali e thënë nga njerëz të thjeshtë dhe të dëshpëruar na ka vënë seriozisht në mendime. “A e kemi bërë vërtetë detyrën tonë, pra a kemi informuar realisht jo vetëm mbi Vlorën, por mbi gjithë “aventurën” që mban tashmë emrin fajde?” – kemi pyetur veten. Përgjigjen gjithsesi nuk mund ta japim vetë. Do të jenë lexuesit, mes tyre edhe vlonjatët, që vazhdojnë të protestojnë, ata që do të japin vlerësimin e fundit. Që të ndodhë kjo, ne mbase duhet të shohim njëherë njëri-tjetrin. Për shumë nga kolegët tanë të mediave shtetërore kemi dëgjuar fjalë që më mirë të mos i përmendim.
Polic me automatik ruan tani zyrat e “Gjallicës”
Nga bulevardi kryesor vazhdojnë të jehojnë brohoritjet e protestuesve. Ne marrim rrugën për te ndërtesa e “Gjallicës”. Ky emër është në themel të trazirave të fundvitit në Vlorë. Shumica e qytetarëve bregdetarë i kishin futur pikërisht në këto sportele të rrethuar nga hekura paratë e tyre të fituara me mund. Mjafton të devijosh pak nga bulevardi kryesor i Vlorës, diku në afërsi të teatrit dhe të gjendesh përballë zyrave të firmës së njohur. Një grup qensh endacakë ha i pashqetësuar ushqimin e përditshëm duke rrëmuar në grumbullin e plehrave që janë vetëm disa metra larg selisë së firmës që konsiderohej si “multmilionere”. Më pas shohim disa fëmijë që mësojnë biçikletën. Për ata është njëlloj, ushqimi në një farë mënyre do të mbërrijë në shtëpi dhe hallet e më të rriturve ende nuk kanë mundur të hyjnë në botën e tyre. Një polic bën roje te rezidenca e “Gjallicës”. Vihet disi në siklet nga prania e aparateve fotografike, pastaj vendos. “Epo mirë, le ta bëjnë, unë bëj punën time”. Nga të dy anët e rezidencës së “Gjallicës” shohim disa uniforma të larme. “A u lodhët?” i pyesim. Sampistët na përgjigjen me mirësjellje. Nuk duken edhe aq të egër sa kur mbajnë kasat dhe mburojat plastike dhe nuk merren fare me ne. Vetëm presin kush e di se çfarë urdhri. Vetë zyrat e kompanisë që shkaktoi “stuhinë vlonjate” i ngjajnë një apartamenti të zakonshëm. Një shkallë pallati, nga ato të zakonshmet e pasuvatuara është modifikuar në zyra e sportele. Asnjë tabelë, asnjë reklamë, sikur të mos ishte polici me automatik, që bën roje në hyrje të shkallës, do të kishim kuptuar se është një vend i zakonshëm banimi.
Publikuar në: Gazeta Shqiptare, 9 shkurt 1997
Përgatiti: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/