Vizatimi i kufijve të qartë mes edukimit dhe indoktrinimit është një sipërmarrje shumë më sfiduese nga ç’mund të pandehet. Arsyeja lidhet pikërisht me faktin se shpesh kemi të bëjmë me dy bashkësi, pikëprerjet e shumta të të cilave krijojnë një mozaik të ndërlikuar, ku guralecët ngjyrëndryshëm përplotësojnë njëri-tjetrin, duke pamundësuar përvijimin e mureve ndarës mes influencave të edukimit elitar, të proklamuar nga çdo institucion arsimor, dhe indoktrinimit, si synimi në hije, që kamuflohet nën aureolën përndritëse të edukimit.
Sot është e pamundur të piketosh një sistem edukativ a arsimor, apo qoftë edhe një institucion të vetëm, shkollë, fakultet a universitet, që të pohojë aplikimin e praktikave indoktrinuese. Madje as si metodologji, pasi si mision a qëllim vështirë edhe të imagjinohet.
Aspak për t’u habitur nëse sjellim ndërmend se edhe sistemi arsimor komunist refuzonte de jure t’i mbivendoste edukimit indoktrinimin, edhe pse dogmat marksiste-leniniste ishin prologu i çdo lëmi shkencor. Por pavarësisht këtij mospranimi, pakkush mund të mohojë se arsimi komunist ishte para së gjithash një sistem indoktrinimi.
Madje aq i pamëshirshëm ishte në hovin e tij indoktrinues, saqë ua kalonte për nga verbëria ideologjike edhe shkollave dhe kolegjeve më ortodokse fetare, bartëse të frymës së kongregacioneve më skajore dhe ekstreme, ku pikëpyetjet dhe dyshimet, sado bazike dhe të sinqerta, shpesh meritonin të trajtoheshin si herezi, madje edhe të ndëshkoheshin.
Megjithatë, pavarësisht shembjes së fushëbetejës së madhe ideologjike, elementët indoktrinues vazhdojnë ta sundojnë filozofinë e shumë institucioneve edukative, si dhe të jenë të pranishëm si metodologji pedagogjike në veprimtarinë e tyre. Bëhet fjalë për institucione laike që pasaktësisht konsiderohen si të zhveshur nga ideologjitë, nga roli indoktrinues apo delli propagandues. Një prezumim ky krejt i pathemeltë, pasi etiketimi si institucion arsimor laik nuk e përjashton aspak misionin indoktrinues, përkundrazi, në disa raste ai materializohet më ethshëm se në kolegjet më të disiplinuara fetare.
Edhe pse kapitalizmi nuk mund të konsiderohet si ideologji, por thjesht si një sistem ekonomik që mund të funksionojë në kontekste të ndryshme politike (rasti i Kinës e ilustron këtë), indoktrinimi vijon të mbetet një proces po aq i domosdoshëm dhe i pranishëm sa dikur në vendet ish-komuniste.
Në të dy kontekstet politike, indoktrinimi i shërben të njëjtit qëllim, parandalimit të ngritjes së pikëpyetjeve dhe hamendjeve mbi fakte jetësore dhe realitete njerëzore të konsideruara konjukturalisht si aksioma, si ligje natyrore të pandryshueshme, që duhen pranuar duarlart, pa rebelizëm intelektual, pavarësisht argumenteve racionale që mund të sillen për t’i përgënjeshtruar. E tillë është aksioma me status thuajse hyjnor e “dorës së fshehtë” të Adam Smithit, sipas së cilës, në kushtet e konkurrencës së lirë, tregjet kanë aftësinë të vetërregullohen, duke sjellë mirëqenie optimale edhe pse gjithsecili nga operatorët kujdeset vetëm për interesin e tij. Një aksiomë që ngrihet mbi premisat e mosndërhyrjes rregullatore të shtetit, por që siç zhvillimet ekonomike kanë treguar, veçanërisht në kohë krizash, kjo mosndërhyrje ka rezultuar me jo pak vuajtje.
I mësipërmi është thjesht një ilustrim, që mund të pasohet edhe nga shumë teza, qëndrime e versione zyrtare të çimentuara në disiplina të ndryshme, ku spikasin historia, sociologjia, por edhe shkencat e natyrës, në të cilat mitet apo mitologjitë e ndërtuara nën diktatin e rrethanave të ndryshme politike është e pamundur t’ia nënshtrosh kritikës, sado e kthjellët dhe e argumentuar të jetë ajo.
Ky lloj indoktrinimi, pasiv dhe i pandjeshëm krahasuar me agresivitetin dhe harbutërinë e atij komunist apo fashist, pra, diktatorial, është njësoj depërtues dhe i efektshëm, pavarësisht se subjekteve të tij u injektohet në mënyrë më pak të “dhimbshme”. Në shumicën e rasteve ai krijon individë sinqerisht të bindur, pra, të pavetëdijshëm për nënshtrimin e tyre.
Duke e përqendruar energjinë në përgatitjen e profesionistëve të zotë, të aftë të njohin dhe të menaxhojnë imtësira tulatëse, të tilla institucione të edukimit elitar shmangin diskutimet mbi çështjet bazike, thelbësore, që ndihmojnë në mbrujtjen e individit me shpirtin e lirisë, të pavarësisë dhe të të menduarit kritik. Personat që janë në gjendje të bëjnë pyetjet e duhura gëzojnë kapacitetin të bëjnë zgjedhje morale, të qëndrojnë të papërkulur përballë presionit të jashtëm, prandaj pyetje të tilla meritojnë të shmangen me elegancë.
Si produkte të një sistemi indoktrinues, që përdor edukimin si mjet, individë të tillë janë të paaftë të bëjnë gjykime parimore dhe të pozicionohen përballë krizave morale. Kryesisht ata mbeten apatikë ndaj asaj që ndodh përtej tyre, ndërsa në të tjera raste zgjedhin thjesht të injorojnë shumëçka për hir të ruajtjes së statusit të tyre. Sepse indoktrinimi, si metodë e garantimit të bindjes, ndryshe nga edukimi, synon të pengojë zhvillimin e ndërgjegjes njerëzore.
Ky lloj indoktrinimi i padukshëm është i aftë të krijojë përbindësha, të cilët Hannah Arendt i etiketon si “askushë”, si qenie njerëzore që refuzojnë të jenë persona (individë të aftë të bëjnë vlerësime duke u bazuar mbi kriteret e moralit dhe të drejtësisë).
“Duhet të frikësohemi,” thotë Arendt, “nga ata, sistemi moral i të cilëve është ngritur mbi strukturën e bindjes së verbër. Duhet t’u frikësohemi atyre që nuk janë në gjendje të mendojnë.”
Autorë të shumtë, ndër të cilët amerikanë, rendisin disiplinën thuajse ushtarake si metodë që kultivon bindjen, dhe përdorimin e gjerë të testeve të standardizuara si ndër elementët kryesore indoktrinues të sistemeve edukative. Studentët trajtohen të gjithë si qenie uniforme, dhe formulat e komplikuara, së bashku me detajet e tjera profesionale, janë kriteri i vetëm për sukses.
Një mozaik i tillë i mbiquajtur edukativ, po ku dominojnë nuancat e indoktrinimit, shërben për prodhimin e ekspertëve dhe profesionistëve që mishërojnë postulation e nihilizmit moral. Njerëz eficientë dhe të ftohtë, që i kryejnë mrekullisht detyrat e tyre të komplikuara pa menduar asfare për pasojat e veprimeve të tyre, të cilat jo rrallë mbjellin vuajtje, por edhe vdekje. /tesheshi.com/