Askush nuk ndjehet mirë me kërkesat e fundit të disa shteteve të BE-s ndaj Shqipërisë për përforcimin e kërkesave e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në Zonën Shengen. Komentet shkojnë deri aty se Shqipërisë mund t’i rikthehen vizat për në BE, një fenomen që shqiptarët vështirë ta harrojnë për vuajtjet psikologjike që ju shkaktonte.
Sidoqoftë, ndërsa shtete si Hollanda apo Franca janë të shqetësuar për aplikimet në rritje të azilkërkueseve shqiptarë për shkaqe ekonomike, ne si shoqëri duhet të jemi të shqetësuar për largimin e atyre pak artistëve dhe profesionistëve që po emigrojnë jo vetëm për shkaqe ekonomike. A nuk ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë së pari për mbajtjen e trurit në vend dhe së dyti, krijimin e lehtësirave për ata të cilët duan të kontribuojnë nga diaspora?
Ndërkohë që vihet re një farë reflektimi i politikës ndaj këtij shqetësimi qoftë edhe kozmetik, ajo që është po aq shqetësuese është ndarja e shoqërisë në trajtimin e fenomenit. Disa e shohin largimin e trurit gati me frymë nacionaliste. Emigrimi i trurit konsiderohet ndër rreshta si një farë tradhëtie, një farë braktisje alla kadareiane e Shqipërisë në fillim vitet ‘90-të. Është e drejta e kujtdo të largohet por jo kushdo mund të flasë keq për vendin dhe problematikat që ka. Madje ata intelektualë që emigrojne shihen edhe si njerëz të përkëdhelur nga sistemi të cilët dobësinë e tyre për të përballuar vështirësitë normale që kalon një shoqëri në tranzicion ia faturojnë shoqërisë dhe shtetit.
Pjesa tjetër e sheh këtë eksod emocionalisht, me nota migjeniane dhe gati fataliste. Pra truri emigron se “ky vend nuk bëhet më” dhe ka shekuj që e ka treguar këtë. Një pjesë tjetër e sheh shumë ftohtë dhe e trajton largimin e trurit si një zgjedhje krejt personale ku në një shoqëri post-moderne të shohësh interesin tënd është krejtësisht normale. Vetë reagimi shoqëror ndaj fenomenit tregon se sa të paqartë jemi si shoqëri, mbase kjo edhe për faktin se të gjitha që u thanë më sipër mund të jenë shkaqe për t’u konsideruar.
Sidoqoftë, paçka që aspekti ekonomik ka rëndësinë e tij, ajo që duhet konsideruar seriozisht është ana politike e fenomenit. A është ky problem çështje personale, pra një padurim i intelektualit apo artistit që duhet të tolerojë deri në asht për hir të atij vendi ku i ka rënë koka? A është emigrimi i trurit dhe i artit një proces social normal i vendeve të varfëra të cilat kërkojnë t’i bashkohen kampit të të pasurve? Apo kemi të bëjmë me një emigrim “truri” i cili gradualisht nga emigrim për arsye ekonomike po kthehet në një emigrim për arsye gati politike?P ra a duhet të jemi të shqetësuar për një politikë zhvillimi pa intelektualizëm, një politikë anti-intelektuale?
Që në krye të herës, Albert Hirschman në librin e tij “Exit, Voice and Loyalty” (1970) (Largim, Protestë dhe Besnikëri) nënvizon se anëtarët e një organizate ose shoqërie e cila nuk funksionon kanë vetëm dy mundësi për ta ndryshuar atë: ose të largohen (Exit) prej saj me gjithë asetet e tyre financiare dhe intelektuale, ose të protestojnë (Voice) dhe të ngrejnë zërin kundër padrejtësisë dhe problemeve në rritje të shoqërisë.
Rritja progresive e largimeve (Exit) është tregues se shoqëria është në ngërç dhe se sistemi i qeverisjes është drejtë monopolizmit të pushteteve në dorën e një elite politike e cila nuk lejon tregun e konkurencës së ideve. Kjo sjell sipas Hirschman largimin ose emigrimin e anëtarëve të shoqërisë si një formë proteste e cila në kushtet e një shoqërie vitale mund të funksionojë si presion dhe mesazh për votuesin për të krijuar mundësinë e hapjes e tregut konkurrues së të mirave politike për të gjithë shoqërinë.
Sidoqoftë, studiues seriozë si Ivan Krastev ngrejnë shqetësimin se emigrimi si mjet presioni nuk ka funksionuar në shtetet post-komuniste të Europës Lindore. Madje emigrimi i trurit por dhe i moshës më cilësore, 25-50 vjeç, mosha që mund të sjellë ndryshimin, i ka shkuar për shtat vendeve pritëse në BE. Pra emigrimi si formë proteste i profesionistëve, artistëve dhe intelektualëve, vështirë të prodhojë efektet e duhura për ndryshim; kjo për shkak dhe të rritjes së cinizimit që ka jo vetëm elita politike ndaj këtij fenomeni por dhe publiku.
Janë jo të pakët zërat të cilët e shohin largimin masiv të shqiptarëve dhe asaj pjesë të shkolluar mjaftueshëm si një largim gati dëshpërues, pra si mjetin e fundit të reagimit publik. Këta të fundit në përgjithësi konsiderohen një shtresë e cila ka arritur të sigurojë një mirëqënie ekonomike dhe janë arsye të tjera ato të cilat e shtyjnë të largohen.
Emigrimi shihet si një akt vetëvrasës social ku segmente të shoqërisë pranojnë të largohen duke dhënë dorëheqje nga statusi i tyre dhe pranuar të jetojnë të harruar publikisht diku tjetër në Perëndim. Shumë prej tyre pretendojnë se ata largohen si rezultat i një të ardhmeje të pasigurtë për ta dhe për fëmijët e tyre; se meritokracia përfundimisht është një normë e shkruar në ligj por aspak e zbatuar në praktikë.
Aksesi në politikë dhe politikbërja sa vjen e ngushtohet në disa duar dhe politizimi i mediave tashmë konsiderohet diçka normale (lexo opinionistët në Tv). Shoqëria civile duke e sterilizuar intelektualisht dhe e pafuqishme të tërheqë publikun drejt qëndrimeve kritike ndaj politikës. Ajo që përbën shqetësim real është qëndrimi cinik i shoqërisë ndaj emigrimit të trurit, e njohur edhe si qasje anti-intelektuale.
Në përgjithësi, anti-intelektualizmi është produkt i qasjeve populiste të cilat i shohin intelektualët si bashkafajtorë të elitës e cila korrupton shoqërinë. Ndonëse kjo mund të jetë e vërtetë, paradoksalisht, në kontekstin shqiptar kjo duket e vështirë pasi truri po emigron por jo elita politika e korruptuar.
Në kuptimin Hirschman, emigrimi i trurit është akt politik i cili me mosveprimin kërkon të japi mesazhe politike. Dhe nëse këto mesazhe nuk dëgjohen dhe respektohen nga shteti dhe shoqëria në përgjithësi, dikush fare mirë mund t’i komentojë sjelljet cinike të shtetit ndaj këtij fenomin si një farë persekutimi të sofistikuar politik, ose sjellje politike anti-intelektuale.
Ndonëse persekutimi politik konsiderohet atëherë kur një individ apo nje grup i shoqërisë ndiqen ligjërisht për bindjet e tyre të ndryshme politike apo kritikat ndaj qeverisë, në masat që synojnë shuarjen e mendimit të kundërt mund të përfshihet dhe neglizhenca dhe mungesa e politikave për ruajtjen dhe thithjen e trurit.
Pra emigrimi i trurit duhet riparë dhe ridiskutuar ne kontekstin shqiptar si një “arratisje” e intelektualit apo ekspertit nga shoqëri të cilat janë armike të intelektualizmit dhe kjo është shqetësuese.
Duhen cilësuar si hapa pozitivë disa aksione politike të integrimit të diasporës apo dhe ftesës së fundit të hapur për bashkëqeverisje të Ramës, por do të na ngelet të shohim mbas formimit të qeverisë nëse kjo e fundit do të jetë një qeveri pro ose kundër intelektualizmit. Nga ana tjetër, qasjet pro intelektualizmit nuk duhet të jenë vetëm postulate të politikës por mbi të gjitha të shoqërise. Kjo e fundit duhet të ushtrojë presion që elita politike të ketë një marrëdhënie miqësore me pjesën me të edukuar të shoqërisë dhe të ketë programe të vërteta për integrimin e trurit në proceset e zhvillimit të vendit. /tesheshi.com/