Sot më shumë se kurrë e gjithë bota është bërë e pasigurt për investitorët. Të investosh në shtete të konsoliduara nga ku kërcënohesh nga konkurenca solide dhe kriza e rrallë financiare, apo të ‘’zbulosh’’ tregje të reja në vende të pazhvilluara të cilat sa hap e mbyll sytë mund të përfshihen nga luftërat civile? Këto pyetje sot tundojnë shumë investitorë apo kompani globale që duan të zgjerojnë tregun e tyre.
Me një Greqi që pritet të gjunjëzohet nga falimenti dita-ditës, pasi borxhi saj publik përllogaritej në raport me GDP-në 170%; me një Itali që mund ta pasojë atë me një borxh publik prej 112%; me një Spanjë që pret pas dere rradhën; apo me një Francë e cila po ashtu nuk ka raporte të mira me statistikat? Pa dyshim pra që BE-ja nuk është më ai Bashkim Europian joshës dhe i sigurt sa ç’ishte më parë.
Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një “metropol” globl i investimeve dëshmuan se mund ta pasojnë nga kriza sa hap e mbyll sytë. Shumë ekspertë ekonomikë sot flasin për krizën që goditi Amerikën, por pak prej tyre apo për të mos thënë aspak, nuk e thanë se Amerika e pasoi këtë krizë njëkohësisht tek të gjithë investitorët globalë që kishin investuar pjesën më të madhe të kapitaleve të tyre në Amerikë. Edhe BE-ja prandaj u sëmur financiarisht.
“Ariu Rus” dëshmon se sa më shumë të sanksionohet ekonomikisht aq më shumë të sanksionon. 82% të Gazit, i cili është oksigjen për europianët, fatkeqësisht sigurohet nga Rusia. Po ashtu, siguria e disa vendeve të Kaukazit dhe e disa vendeve Balltike kalon nga filtrat rusë. Askujt nuk do t`i interesonte një shpërthim inatçor atomik rus.
Edhe Kina nuk ka mbetur mbrapa në këtë pjesë, që përveç ekonomisë synon tashmë edhe një hegjemoni globale në diplomaci dhe gjeopolitikë. Krijimi i Bankës Aziatike për investime infrastrukturore me anë të së cilës joshi të gjithë aleatët kyç të SHBA-ve ishte vetëm hapi i parë i kësaj ambicieje. Ky plan afatgjatë po ashtu nuk mjaftohet me sukseset e korrura në gjeopolitikë, por nga ana tjetër ai konsiderohet edhe si sfumues i FMN-së dhe BB-së, sepse logjika është shumë e thjeshtë: një shtet sot preferon më mirë të marrë hua nga një bankë e sapokrijuar, sesa të durojë kalvarin e peripecive dhe burokracive të institucioneve financiare globale egzistente.
Kjo iniciativë financiare globale e Kinës po ashtu eklipson edhe brendarajonistë të saj, siç është ADB-ja (Banka Aziatike për Zhvillim), të udhëhequr nga Japonia dhe një tjetër aleat i Amerikës në rajon.
Lindja e Mesme, me të gjithë konglameratin e luftërave dhe kërcënimeve, po ashtu ia shton ujin baltës së ngjarjeve globale. I vetmi lajm pozitiv në këto ngjarje është prania e një aleati besnik për perëndimorët siç është Turqia. Por Turqia nga ana e saj po ashtu ka probleme të brendshme, të cilat nga historia e saj ka dëshmuar se mund ta hedhin në erë stabilitetin e atjeshëm sa hap e mbyll sytë.
Në njëfarë mënyrë pra Turqia është më e sigurt jashtë shtëpisë sesa brenda, çka do të thotë se nuk mund t`i besosh asaj një rrol kyç afatgjatë në rajon, sepse në çdo moment qeveritë e atjeshme mund të pësojnë grushte shteti, luftëra civile, protesta apo rrevolta të dhunshme, etj.
“Pseudo pritshmëritë”
Sado alarmante të jetë situata, është detyrë e institucioneve financiare dhe qeverive që jo vetëm nuk duhet ta lëshojnë veten, por nga ana tjetër ato duhet ta shohin gotën gjysëmplot, pasiqë kështu inkurajojnë investimin, punësimin, konsumin, eksportin etj. Shkurt, ata janë motivuesit kryesorë të ekonomisë dhe kuruesit e klisheve apo fobive negative të psiko-ekonomisë.
Pak ditë më parë në Uashington u mblodhën ministrat e financave të G20-ës të cilët shprehën optimizmin e tyre mbi perspektivat e ekonomisë globale. Por paralelisht me zërin e tyre optimist i cili nuk bazohej në argumenta bindës, ministrat e financave të G20-ës, dhe komiteti për çështjet monetare i mbledhur në takimin FMN-së dje dhe BB-së, listuan disa probleme e rreziqe që i kanosen ekonomisë globale. Dhe ajo që është më e habitshme është se të gjitha këto organizma të ndryshme nga njëra-tjetra listuan po të njëjtat probleme dhe rreziqe për ekonominë e globit. Ne po mjaftohemi duke përmendur problemet më kyçe:
- Rritja e probabilitetit për falimentin e Greqisë, si pasojë e mungesës së likuiditetit financiar
- Inflacioni ulët i cili rrezikon të pasohet nga katastrofa e deflacionit dhe që në vetvete konsiderohet një “tumor belinj” për ekonominë e çdo qeverie.
- Ekonomitë në zhvillim, kanë dëshmuar së fundmi “një fluturim të kapitaleve jashtë”’, pasi investitorët i transferojnë paratë e tyre nga këto ekonomi tek Shtetet e Bashkuara për të korrur fitime më të mëdha.
- Ndërsa ekonomitë e vendeve të zhvilluara po kurohen, vendet në zhvillim e sipër janë dëmtuar nga dobësimi çmimeve të mallrave dhe eksporteve.
- Luhatjet e kurseve të këmbimit
- Prania e pabarazive e cila është faktor destabiliteti social dhe rritjeje kriminaliteti
- Fuqizimi dollarit i cili ka rritur koston e lëndëve të para në bursa me 30% dhe i cili po ashtu po çon në faliment shumë biznese dhe po redukton kërkesën për këto të mira dhe shërbime.
- Ngadalësimi rritjes ekonomike së Kinës.
- Rritja ekonomike e dobët e vendeve në zhvillim.
Nuk është e nevojshme të jesh ekspert ekonomik për të kuptuar se të gjitha këto janë shenjë alarmi për ekonominë e globit dhe se kjo e fundit ka hyrë në sallë operimi tashmë. Politika financiare perëndimore është e qartë tashmë: “të shpëtojmë ç’të mundim!”. Dhe s’kishte sesi të ishte ndryshe ekonomia e një bote kur për një kohë të gjatë tashmë ajo mban mbi supe kapriço ekspansioni ekonomik që shpesh pasohen me luftë. /tesheshi.com/