Të dashur miq, ndjehuni plotësisht të mirëseardhur në këtë hapësirë të organizuar në respekt të muajit më të shenjtë, të atyre që ndër ne, me besë i përkasin fesë Islame.
Më bëri përshtypje refuzimi i ftesës nga një njeri i ditur, i cili me mirësjellje i tha Protokollit të Kryeministrisë se ishte ateist dhe si i tillë nuk mund të ulej në një sofër si kjo e kësaj mbrëmjeje.
Absolutisht, asnjë arsye për t’u ndjerë të lënduar me refuzimin e mikut në fjalë, por sigurisht, një mundësi për të reflektuar, nëse ka apo nuk ka vend për ateistët në sofrën e iftarit.
Si fillim, ma ha mendja se biem të gjithë dakord që po të ishte iftari një platformë ekskluzive e vetëm atyre, të cilët nuk dyshojnë në ekzistencën e Zotit dhe vetëm i luten Atij me sytë lart në kubenë e qiellit apo të tempullit të besimit të tyre, sonte nuk do të ishin të paktë ata që s’do ishin këtu. Madje them se, nëse iftari do të qe një sofër përjashtuese ndaj atyre që nuk besojnë në Zot, s’do të kishte si të ishte gjithëpërfshirëse për ata që ndryshe prej myslimaneve praktikantë, besimi në Zot u buron gjetkë dhe gjetkë e me rituale krejt të tjera e kërkojnë kontaktin me Zotin e tyre.
Prandaj, unë, që në këtë mes mësova të jem prej vitesh tanimë, në fillim për shkak të detyrës, pak më tutje për shtysë të brendshme, besoj fort se fakti që në sofrën e iftarit mblidhemi pranë e pranë, jo përjashtimisht si myslimanë praktikantë, por si besimtarë të feve të ndryshme dhe pa dyshim dhe droje si jobesimtarë, për t’i bërë respekt ritualit fetar të një pjese prej nesh, është një fakt i plotkuptimtë për një shoqëri si e jona.
E pra, tamam po kështu, pjesëmarrja në një iftar, përtej kufijve që ndajnë kampet tona të lloj-llojta prej besimtarësh apo mosbesuesish, nuk është vetëm një shprehje respekti ndaj myslimanëve, përfshirë në praktikën e admirueshme të Ramazanit. Kjo pjesëmarrje është po ashtu, edhe një mundësi e veçantë për të krijuar dhe përjetuar me njerëz krejt të ndryshëm në kryeneçësinë apo përulësinë e tyre ndaj Zotit, një hapësirë bashkëjetese të çiltër përvoje të çmueshme, shkëmbimi të hapur. Është një atmosferë e posaçme shpirtërore, ajo që krijohet në një hapësirë kaq të përkohshme si kjo, kur sebepi që i mbledh njerëzit ngjan vetëm në sipërfaqe si imponim apo si detyrim për të begenisur formalisht myslimanët praktikantë. Sepse ne brendinë e vet, kjo hapësirë është mundësia krejt e veçantë e konsumimit të lirisë për të qenë të ndryshëm dhe të barabartë në respektin për njeri-tjetrin, pikërisht sepse jemi të ndryshëm.
Disa nga ne kanë ardhur këtu, pas një dite të gjatë të mungesës së bukës dhe të ujit. Disa të tjerë kanë ardhur normalisht për darën e ditës që mbaron. Ndonjë tjetër mund të jetë kujtuar në momentin e fundit që kishte një ftesë për këtë darkë dhe ka mbërritur me ngut, që të jetë në orar. Për disa, me mbarimin e darkës vazhdon rituali i agjërimit me oraret e veta të pazakonshme, deri në ditën e Bajramit. Për disa të tjerë këtu, mes këtyre mureve fillon dhe mbaron historia e Ramazanit të këtij viti.
Por këto dallime nuk e bëjnë aspak të panatyrshme, përkundrazi, e bëjnë më të bukur sofrën e iftarit, sepse tek e fundit, çdokush ushqehet jo thjesht me çfarë shtrohet në tryezë , por dhe çfarë qarkullon në ajrin e këtij mjedisi, që vetiu përçon diçka ndryshe dhe jo vetëm përmes fjalëve të këmbyera. Për shembull dhe këtë e them pa frikë se gaboj, edhe një ateist i thekur si Filip Çakuli, që si gjithmonë dhe me gjithçka mund të argëtohet dhe të argëtojë tryezën ku është ulur, duke u tallur zemërgjerësisht edhe me këtë ritual, nuk do të mbetet i paprekur, edhe pse sado pa vetëdije, nga energjia pozitive e sofrës së një mbrëmje si kjo.
Në të vërtetë, më e bukura e iftarit të hapur, edhe për Filipin apo edhe për të tjerë, që njësoj si ai për Zot njohin vetëm vetveten, është fakt se iftari ka vend për të gjithë, ashtu siç ka diçka për t’i dhënë të gjithëve, përveç vendit ku janë ulur dhe pjatave që kanë përpara.
Një nga fjalët e para të Kuranit, njësoj si shtrimi i iftarit, është në fakt një ftesë. Kjo ftesë thotë, siç dikur pat thëne edhe Shën Agustini, shkallë-shkallë ateist, agnostik, pastaj besimtar, por pa reshtur deri në çastin e fundit të jetës së qeni një filozof, një mendimtar i lirë, një i dashuruar i përjetshëm: “Lexo!”
Në libra, ne lexojmë çka është shkruar në letër. Në një iftar, ne lexojmë përmes pranisë dhe fjalëve të njeri-tjetrit. Për këdo që kërkon kuptimin e bashkëndarjes së bukës dhe kohës së iftarit mes myslimanësh praktikantë dhe të tjerësh besimtarë apo hiç fare besimtarë, ky moment është si një udhërrëfyes.
Lexo, në librin themeltar të këtij riti vëllazëror se je i mirëpritur këtu dhe kurdoherë. Shkruhet në Kuran: “Nëse Zoti do të kishte dashur, të gjithë njerëzit do të ishin besimtarë. Mendon se të takon të detyrosh njerëzit të besojnë? Mos kujto se, përveç kur zemra është në unison me Zotin, shpirti mund të besojë. Ata, që nuk arsyetojnë dhe pengojnë arsyen, do të ndëshkohen.”
E kush do ta besonte, sidomos në kohërat turbullta që po kalojmë si pjesë e njerëzimit tonë në lidhje me fenë, po të mos e lexonte të zezë mbi të bardhë se Kurani të ndalon t’i detyrosh njerëzit me pahir të besojnë. Madje, kë nuk arsyeton dhe pengon arsyen e tjetrit, Kurani e paralajmëron me ndëshkim.
E ku më mirë, sesa në këtë sofër mund të flitet mes njerëzisht që arsyetojnë pa penguar arsyen e tjetrit, në një ndërkohë kaq të ngatërruar, ku përjetojmë tmerre që ndodhin në emër të një feje, që në fakt është larg, shumë larg së qeni feja që pengon bashkëjetesën në arsye. E nuk është asgjëkundi ideologjia e barbarisë së dalë mendsh në emër të saj.
“Asnjë sforcim në besim!” – thotë Kurani. “Të besojë ai që do, të mos besojë ai që nuk e ndjen”
Kurani e thotë këtë dhe sa mirë na bën sot, edhe këtu, tingulli i këtyre fjalëve, sidomos ne, jo myslimanëve praktikantë që bashkë me ta, jemi ulur në tryeza, të cilat jo rastësisht i kemi emërtuar me emra vendesh që kanë një rëndësi të dorës së parë për historinë e civilizimit lindor, aty ku më pas, bota islame hodhi themelet e veta.
Në një nga tryezat është emri i Palmirës, qendrës monumentale të një qytetërimi antik në kryqëzim të rrugëve tregtare të besimeve të ndryshme, ku ndërthurja e arkitekturës dhe teknikës greko-romake me influencat perse dhe me traditat lokale po minohet tani që ne jemi këtu, në këtë iftar, nga një çetë terroristësh të ISIS-it. Të cilët pasi ekzekutuan brenda rrënojave antike të Palmirës një grup të krishterësh, po përgatiten të ekzekutojnë me dinamit vetë rrënojat, në vazhdën e spastrimit makabër kulturor, që e pamë të ndodhë në mars në qytezës e Hatrës, një perlë e trashëgimisë kulturore botërore në territorin e Irakut, shënuar edhe ajo si emër për një tjetër tavolinë sonte.
Ashtu si dhe qyteza e Nimrudit, themeluar 13 shekuj para erës sonë, një nga shembujt më drithërues të qytetërimit të Mesopotamisë, të cilën barbarët e ISIS-it e hodhën në erë me dinamit dhe e bënë rrafsh me buldozer, në 5 marsin e kaluar; Muzeu i Mosulit, me statujat 3500 vjeçare; Varri i profetit Jonas i njohur si Nabi Yunus në Bashkësinë Islame; Biblioteka mijëra vëllimesh e historisë së kulturës islame po në Mosul; Fortesa e Tal Afarit; Statuja e Abu Tammam, poetit të madh arab të shekullit të 9-të janë tanimë shkrumb e hi për shkak të së njëjtës dorë barbare.
Po kështu, shkrumb e hi është sot kisha e gjelbër e Tikritit, simboli 1300 vjeçar i bashkëjetesës mes besimeve në Lindjen e Mesme, e cila, parafytyrojeni, i mbijetoi masakrave dhe shkatërrimeve të pushtuesve mongolë në vitin 1258, por jo dinamitit të ISIS-it në vitin 2014. Që me të njëjtën verbëri të pamëshirshme dinamitoi edhe mauzoleun Al Arbain, vendvarrimin e 40 figurave të ndritura të Islamit, mes të cilëve disa shokë të ngushtë të Profetit Muhamet.
“Besimtarë, qofshi ju dëshmitarë të drejtë. Që asnjë urrejtje mos ju shtyjë në krahët e padrejtësisë praktikoni drejtësinë, kjo është përshpirtshmëria e vërtetë,” – na thotë Kurani.
Dhe praktika e drejtësisë e besimtarit të vërtetë e ka zanafillën tek njohja dhe mbrojtja e të drejtës së tjetrit për të mos qenë i të njëjtit besim, i të njëjtës bindje, i të njëjtit mendim. Iftari i hapur për të tjerët e mishëron këtë praktikë, si një kulmimin të pranimit të tjetrit përmes bukëndarjes.
Njohësit e Islamit janë unanimë për faktin se iftari nuk thyen një agjërim, i cili për qëllim do të kishte mirëqenien e trupit, apo kënaqësinë e çliruar prej një forcoje fizike të çuar vendosmërisht deri në fund, sepse në fakt, i vetmi qëllim i këtij privimi, i agjërimit, pra, si vetëmohim i përditshëm, është falja e tepricës mbi altarin e arsyes.
Një hadith i Profetit të Islamit thotë se “Ai, të cilit i mbetet qoftë dhe vetëm hija e një teprice, ta ndajë më vëllamin e tij.”
Dhe mua më duket se kjo porosi e lartë për si njeriu duhet të sillet, qoftë dhe me hijen e mbetur të një teprice, e çon përmes iftarit fenë Islame tek origjina burimore semitike e shkretëtirave, e cili me Judaizmin dhe Krishtërimin, por edhe me civilizime të hershme, përfshirë pse jo, edhe atë tradicional shqiptar, bashkëndan vëllaminë e përbetuar mbi bukën e ngrënë sëbashku, zemërbardhësinë në mikpritjen e çdo të huaji, tolerancën e secilit në besim, aksesin e të gjithëve në të mirat materiale që Krijimi ja ka falur njeriut dhe që njeriu i ka amanet nga fëmijët.
Nuk e di çfarë do të kisha thënë sonte unë, nëse miku ateist, që refuzoi ftesën, duke u vetëpërjashtuar nga një sofër gjithëpërfshirëse, do të kishte ardhur dhe refuzim nuk do të kishte, por me siguri që më duhet ta falenderoj sinqerisht mikun që mungon, sepse në përpjekjen për ta shpjeguar me veten time, refuzimin e tij, mu dha mundësia ta zgjeroj arsyetimin tim dhe të gjej se në fakt, kushdo lë zbrazur vendin e tij në një iftar ku është i ftuar, lë zbrazur një vend që është i tij dhe jo i dikujt tjetër, sepse në iftar ka vend për të gjithë. Ftesa për një iftar nuk është një ftesë për të besuar çka nuk beson, por për të mos lënë bosh vendin tënd, edhe si mosbesues qoftë, në një sofër që është kaq e veçantë, pikërisht sepse kaq thjeshtësisht pranon veçorinë e secilit dhe garanton ndarjen e bukë mes gjithsecilit.
Teksa duke shkruar këtë fjalë, po mbaroja së foluri në distancë me mikun ateist që refuzoi ftesën, mu kujtua një përshkrim i Islamit që gjendet në faqet marramendëse të “Shtatë kolonave të Urtësisë” të Lorencit të Arabisë.
“Islami është i ndryshëm në çdo kontinent. i zhveshur nga hulumtime metafizike, përveç në vetëgjyqësinë mistike të devotshmërisë perse, ai shfaqet i ngjyrosur me larmi të pasosur në kontinentin e zi, i çliruar nga zinxhirët e literalizmit shterp në Indi, i rrënjosur në monoteizmin e pastër të shkretëtirave dhe në formën e një Zoti të përkujdesur e mirëbërës në Arabi”
Megjithëse pa një unitet të dukshëm, Islami ka ditur të gjejë vetveten, sa herë që ka ditur që përulësisht ka bërë të tijin binomin e besimit dhe të arsyes, për të cilin, Papa Gjon Pali II ka thënë se “Janë si dy krahët që ndihmojnë shpirtin njerëzor të njohë vetveten dhe të vërtetën.”
“Ji përherë plot arsye; kërko prej tjetrit të mbajë barrën që i takon dhe asgjë më tepër; përmbaju të mirës që pranohet si e tillë nga të ngjashmit e tu; mos ki asgjë të përbashkët me ata që kanë humbur arsyen.”
Kështu, në vendin tonë të vogël duket tamam sikur Islami ka gjetur vetveten, duke u bërë mishërim i gjallë i gjithë porosive që huazova sot prej shkrimeve të shenjta dhe duke qëndruar me madhështi si një nga kolonat e bashkëjetesës fetare. E një bashkëjetese fetare që shkon përtej fesë, në formën e një vëllazërimi ndërfetar dhe mishëron me shqiptarëve, besimtarë ose jo, njësoj si ky Iftar, vëllazërinë dhe bukën e ndarë sëbashku.
Nëse besimi nuk është djep kulture, ai është thjesht një mashtrim. Dhe për ta thënë përmes Dostojevskit, “nëse besimi nuk gjeneron të bukurën, ai nuk mund të shërojë kërrkënd”.
E pra, ndërsa ndajmë sëbashku bukën e këtij iftari, në tryeza që mban emra bukurish të vrara nga barbaria ekstremiste, le t’i gëzohemi po sëbashku këtij momenti, që të gjithë siç jemi në veçorinë tonë, duke ndjerë pavarësisht besimit apo mosbesimit tonë në një Zot, përkëdheljen e madhe të fatit tonë që u lindëm dhe po jetojmë në një tokë që mban thesarin e paçmueshëm të vëllazërisë fetare. Thesar që është barra jonë ta ruajmë si dritën e syve dhe për dritë syve t’ua përcjellim fëmijëve tanë.
Më pëlqen miq të dashur, që ju shoh të mbledhur sot, këtu, në një mjedis institucional historikisht të mbyllur. Më pëlqen se më kujton fjalën e madhe të një njeriu të urtë dhe të përulur, Omar ibn Al Hatab, pasardhësi i dytë i Profetit: “Hape derën tënde ndaj çdo qytetari dhe përkujdesi të kesh ndaj tij, mikpritje dhe dëgjesë. Në të vërtetë je një i tillë edhe ti, sepse Zoti të dha vetëm një barrë të rëndë më shumë për të mbajtur.”
Faleminderit dhe ju bëftë mirë!
*Fjala e Kryeministrit shqiptar, në iftarin e shtruar në oborrin e selisë së Qeverisë (Titulli është i redaksisë)