Ajo që kryeministrin tonë e ka bërë të pranueshëm për një publik të gjërë edhe kur idetë e tij kanë qënë “jashtë binarëve”, ka qënë koherenca me vetveten dhe gjithshka përfaqëson. Kjo koherencë formale, duke mos guxuar të pretendojmë se dimë ç’mban ai në mendje dhe në zemër, e ka bërë të pamundshmen të mundur në sytë e opinionit publik, si ndozot pranimi i tij prej socialistëve si lider i tyre.
Por ndërkohë po shohim që kjo koherencë dita ditës po humbet dukshëm. Kam besuar, për shembull, që ai ka urryer me shpirt, madje ka stigmatizuar thekshëm me sarkazmën e tij deri në cinizëm, çdo karakteristikë e fenomen të dynjasë shqiptare që na ekspozonte menderejashtë faqe botës. Edhe kur i është dashur të gëlltisë apo komentojë këto gjëra për konsum publik në politikë dhe në retorikë politike, tashmë si njeri i kësaj të fundit dhe jo thjesht njeri i penës, e ka tejkaluar me finesë momentin apo rastin (veç gjuhës së trupit që e ka tradhëtuar).
Një prej tyre është përtacia jonë klasike dhe nevoja për argëtim pa cak mes mishit e rakisë, mbuluar medemek me mikpritjen tonë proverbiale, që në të vërtetë i takon një konteksti krejt tjetër nga ç’shitet. Dhe vijmë kështu tek krijimi i miteve, ku veç mikpritjes hyjnë edhe besa, trimëria, liridashja, viktimizimi prej të gjithëve dhe të gjitha kohërave, etj. Çdo njeri me cipë druhet kur i thotë me zë të lartë këto hynere. Se sa janë reale dhe ekskluzive të shqiptarëve këto emblema (duan t’i quajnë), është temë shumë e gjërë diskutimi, por ai që do të kuptojë dhe do ta shohë të vërtetën në sy, e sheh dhe e kupton. Dihet mirë se si, përse dhe nga kush u frynë në kohëra ujra të tilla. Për fenomenin “original” të shqiptarocentrizmit, do të mjaftonte leximi i “Katër përralla nga Zullulandi” të Faik Konicës.
Tash kësaj kurore na i shtohet edhe bektashizmi si “monument kulture”, madje i gjallë! Dhe këtë na e dëshmon vetë kryeministri!
Nuk po flas për besimin se kjo histori vetëm me besimin s’ka të bëjë. Megjithatë kjo është çështje kuptimi dhe në këtë vend jemi mësuar që njerëzit të konsiderojnë besim çdo marrëzi që u vjen nëpër mend. Nuk çuditet askush. As nuk janë te reja. Gjatë historisë ka patur individë, me pushtet ose jo, komunitete, grupe shoqërore, popuj, që kanë formësuar për vete lloj lloj “besimesh”, vetëm nga egoizmi i tyre i pafre e mendjemadhësia edhe kur udhëzimin e kanë patur te hunda. Këta soje e dinë Zotin shakaxhi(!!??), i Cili ndërkohë që ka sjellë Udhëzim, Libra Hyjnorë, të Dërguar, ka strukturuar një histori të tërë të njerëzimit me besim dhe moral dhe të keqes përballë, ka lejuar (Zoti më faltë!) që të vijë dikush apo shumëkush që të korrigjojë, modifikojë a të plotësojë veprën e Tij! Ky është me pak fjalë nënkuptimi i skizmave, të paktën në Islam. Ato që janë pjesë e besimeve të tilla, që i ndjekin ata, apo që bëjnë pazare me ta në kurriz të së vërtetës, duhet ta kishin mësuar parimin e madh të jetës, që çdo hap që hedh të çon diku, që çdo vepër e mirë a e keqe në raport me referencën Absolute, ka faturën e vet dhe llogarinë e vet para të Gjithëpushtetshmit! Nëse s’kanë arritur ta mësojnë këtë, zëre se s’kanë jetuar. Punë për ta.
Ndërkohë po sfidoj këdo që merr erë nga historia, nga historia e këtij vendi dhe e besimeve të tij (po them historia dhe jo legjendat urbane që qarkullojnë tash sa mot këtej pari), që të sjellë disa argumente historike, qoftë edhe sa gishtat e dorës, për meritën ekskluzive të bektashinjve për t’u quajtur “monument kulture”! Dhe pse kjo etiketë, bie fjala, nuk ju takoka muslimanëve, ortodoksëve a katolikëve, (të më falin për tradicionalizmin ngjyrimet e reja fetare në Shqipëri)? Gjithashtu edhe për meritën e tyre ekskluzive në bashkëjetesën fetare të këtij vendi!
Historikisht, drejtuesit fetarë të bektashinjve kanë përdorur çdo influencë dhe kanë shfrytëzuar çdo rast për të përçarë bashkësinë më të madhe fetare të vendit, atë të muslimanëve.
Gjithashtu edhe për një kontribut intelektual, akademik, një formulim, tezë a çdo qoftë, në historinë më të re tridhjetë e kusur vjeçare të Shqipërisë, që do kishte mpiksur ndonjë prej plagëve të saj shoqërore. Një tezë, një kumt, jo risi se është sfidë e madhe, por një asosh që të mbetej në mendjen e publikut.
Në fund tre shënime për t’u mbajtur mend:
- Është, më së paku, e treta herë në historinë e shtetit shqiptar, që politika ka keqpërdorur bektashinjtë për hesapet e veta dhe përfundimet kanë qënë katastrofike. Të tilla për bektashinjtë dhe për ata që i kurdisën. Dështoi në mënyrë spektakolare edhe komunizmi që dukej se i kishte të gjitha në dorë. Në fund, ky është një përfundim i natyrshëm i përpjekjeve për të mposhtur të vërtetën me të tilla lojra pa shije.
- Nëse vërtet dikush është shqetësuar për statusin e një komuniteti fetar dhe këtë shqetësim e zgjidh me një akrobaci të tillë, atëherë duhet ditur se statuset aktuale (përfshirë dhe statutet) e të gjitha komuniteteve fetare duhen rishikuar thelbësisht. Kjo po që është punë që duhet bërë dhe duhej të ish bërë me kohë. Në të kundërt, s’di pse mendja dhe kujtesa më bëjnë një lidhje me shprehjen e studiuesit italian të besimeve fetare ne Shqipëri Roberto Moroco Dela Roka, për bektashinjtë, kur i quan: “…Një Islam për Perëndimin…(!!)”. Ky është vërtet një hall i madh!
- Ky është dhe një propozim: të futet tallavaja në programin e Teatrit të Operas dhe Baletit, madje duke spostuar ndonjë prej shfaqjeve të zakonshme klasike. Do na bënte shumë origjinalë! /tesheshi.com/