Kam shumë miq, nga Shqipëria e “madhe” dhe ajo e vogël, që më pyesin nëse dhe kur do shkruaj për çështjen e shtetit bektashi të lajmëruar kohë më parë nga ana e kryeministrit aktual të Shqipërisë.
Ndonëse pyetja shpesh ishte e formuluar mu kështu me pyetjen për kohën se kur do shkruaj menjëherë pas “nëse” asnjëherë nuk u përgjigja pozitivisht pasi kisha argumentet e mia se kjo nuk është gjë tjetër pos një truk gazetaresk që ia arriti qëllimit të bëhet temë edhe në disa media ndërkombëtare.
Andaj trajtimin tim të kësaj çështjeje, ndonëse ishte i sugjeruar me dashamirësi nga miqët shkaku i kompetencës time si historian i perudhës osmane dhe hoxhë, e quaja të panevojshëm dhe nuk doja të jem asnjëri nga katërdhjetë të mençurit që do nxirrnin gurin e budallait nga bunari.
Por, ka shumë arsye se si prej “nëse dhe kur” dola në “nejse dhe tani” e nga to ishte se kryeideatori i kësaj nisme dhe gati artikuluesi i vetëm e bëri një tërheqje në paraqitjen e dytë për këtë ide duke mohuar cenimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe ca tërheqje tjera.
Thënë në pak fjalë, e bëri synet vet iniciativën e vet. Aq sa ironikisht bëri të dihej e vërteta historike se tarikati bektashi ishte në esencë dhe historikisht një tarikat syni.
Pra në ndarjen e madhe të tarikateve, rendeve sufiste bektashinjtë, janë një tarikat synit dhe ka të tjera që janë shiite. Vetëm në një episodë historike Irani i sotëm, atëherë mbretëri perse dhe shiite e udhëhequr nga turq etnikë i ka pas përdorur politikisht dhe nga atëherë iu ka mbetur hija shiite alevite.
Iranianët dhe agjentët e tyre atëherë kanë bërë diçka të ngjashme me këtë që dëshiron të bëjë Edi Rama sot. Por, edhe atëherë e edhe sot shumë pak ose aspak do gjenden bektashinj që i mohojnë përkatësinë e vet Islamit, myslimanëve, synetit ose Pejgamberit Muhamed, paqja e Zotit qoftë mbi te!
Arsye tjetër ishte se në opinion u reagua shumë dhe u trajtua nga shumë aspekte absurditeti i kësaj broçkulle mediatike që më pas mbeti e pavazhduar institucionalisht.
Aq sa dukej se budalla kishte mbetur vet duke shikuar në bunar se sa radhë ka bërë guri në ujë ose se sa zë e jehonë do dilte nga aty.
Deri aty sa dukej se vet iniciuesi nuk e kishte haberin nga asgjë nga këto çështje që i trazonte e donte dhe do mësonte nga gjithë kritikat që do vinin më pas si reagime.
Siç edhe u pa në tërheqjen e mëpastajmese ka mësuar shumëçka mu nga ato reagimet.
Unë për vete ndjek parimin se nuk dua t’ia mësoj hasmin as edhe shkakun se pse nuk mundet të më bën dëm, e jo vetëm të mbrohem prej dëmit të tij. Kurse hasëm i imi dhe i gjithë shqiptarëve në botë mbetet çdokush që cënon Shqipërinë. Pasi ai është shteti i gjithë shqiptarëve. Këto dy fjali të mëdha shprehin më saktë atë që dua ta theksoj se nuk është i mundur asnjë zhvillim i mëtejmë i kësaj nisme pa iu ndryshuar karakteri aktual i shtetit shqiptar.
Shqipëria prej përmbysjes së monizmit në 1991 e deri më tani ka qenë kryesisht me karakter anacionalist. Pra një shtet kombëtar i gjithë shqiptarëve, por që nuk ka kryer funksionin e shtetit amë; përkrahës ose strehues i gjithë shqiptarëve kudo që të ndodhen.
Ka pasë llafe, premtime edhe shfaqje kujdesi, bile edhe nga ky kryeministër i Shqipërisë, por ama ato kanë mbetur llafe: si ai materniteti i premtuar për shqiptarët e Luginës së Preshevës!
E nëse do bëhej diçka në kuadër të realizimit të bartjes së sovranitetit dhe copëtimit të Shqipërisë atëherë shteti aktual shqiptar do duhej të kthehej në karakterin e saj që ka patur gjatë periudhës enveriste: shtet kombëtar antinacionalist.
Një karakter ky, që dorën në zemër, më shumë i vie tamam pasi është shtet kombëtar me më shumë shqiptarë jashtë kufijve të vet se sa ato që ka brenda. E kjo sepse herdokurdo mu shqiptarët jashtë Shqipërisë, pa vota të manipuluara dhe pa patronazhistë, prap do e bënin Shqipërinë.
Mu ashtu si i kanë demoluar, anuluar dhe çliruar turli turli republika brenda teritorit shqiptar në fillet e hershme pas pavarësisë e dhe mandej si e kanë bërë për shqiptarë tërë Kosovën.
Sepse nuk bën të harohet se është dhe mbetet hasmi i madh i gjithë shqiptarëve secili që është hasëm i Shqipërisë, qoftë edhe kësaj të vogle.
Një arsye tjetër se pse tani vendosa të shkruaj është edhe për të nxjerrë në pah se sa i huaj, jabanxhi e edhe axhami është për këtë çështje Edvin Kristaq Rama, siç shpesh e emërton pretendenti për zëvendësimin e tij në zgjedhjet vetëm pas tre muajve, Sali Berisha!
I huaj sepse nëse do dilte një qeveritar ose polikan qoftë edhe si ky Berisha nominalisht mysliman dhe të trajtonte çëshje legjitime për ate nëse Kisha Ortodokse shqiptare ka juridiksion edhe mbi shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë ose Çamërisë. Ose ndonjë përfaqësues politik me emër dhe përkatësi myslimane nga shqiptarët e Maqedonisë të pyeste se pse Vatikani ua dha drejtimin e kishës katolike pakicës katolike sllavishtfolësë në Maqedoni kur ata ishin me rit bizantin dhe nuk ishin me Ipeshkvinë e katolikëve shqiptarë të Shkupit ku lindi Agnesa Gonxha Bojaxhiu e njohur botërisht si Nënë Tereza?! Krejt opinioni do i thoshte ore a je në terezi, çke ti me u përzi?!
Dhe arsyeja e fundit e edhe më e dhimbshmja është se dëmi më i është bërë argumentit shqiptar në Ballkan në korelacion me të tjerët.
Ashtu që kur shqiptarët argumentojnë për gjuhën shqipe në shtetin e Maqedonisë së Veriut, ndonëse historikisht aspak nuk gjason, ata përmendin edhe njohjen e gjuhës maqedone dhe pakicës maqedone brenda Republikës së Shqipërisë.
Pas kësaj budallakie tani maqedonasit mund të kërkojnë edhe ata shtet diku në Liqenas dhe të thonë: ani se jemi pak, na jepni edhe neve sikur ju jepni “bektashinjve”, edhe ne po zhdukemi. Ja pa një “shtet” do na i merr Bullgaria aty njerëzit krejt?!
Ose sa dhe si do argumentojnë shqiptarët tani e tutje për mosdhënie status të veçantë kishës serbe dhe manastirëve në Kosovë kur dikush nga atje mundet të përdorë këtë analogji duke thënë po i jepni një rendi sufit paqartshëm të ndarë nga korpusi mysliman status dhe shtet e pse ne të mos kemi eksteritorialitet kur neve na njeh si të veçantë edhe Kisha Ruse e Patriarkia?!