Gjëja më e rëndësishme me edukimin është se ai nuk duhet të përkufizohet vetëm tek shkollimi. Nëse me edukim do quajmë vetëm atë çka të rinjtë marrin në shkollë, kjo do ishte njësoj sikur t’u mësonim atyre se mjeku është mjek, vetëm kur ndodhet në spital. Për këtë arsye, brezit të ri u duhet mësuar se edukimi është një proces ku përmirësimi është qëllimi final, e jo vetëm shkollimi.
Shkollimi nuk mund të jetë qëllimi final i tyre, për shkak se ai mund të ndërpritet shumë më herët sesa vet procesi i edukimit i cili mund të vazhdojë për gjatë gjithë jetës. Ka qenë traditë që shkollat apo universitetet e mira, ato me traditë, kanë proklamuar se ofronin në krahasim me të tjerat, një edukim solid e të mbështetur në tekstet më të mira shkollore. Por tashmë kjo frymë pothuajse ka rënë në pjesën më të madhe të botës, e sidomos në vendet e zhvilluara. Universitetet apo shkollat më të njohura gjithnjë e më shumë po fokusohen tek “zhvillimi i aftësive”, pra që të zhvillojnë studentë apo gjimnazistë të aftë për të reaguar, kritikuar apo menduar e vepruar, më tepër se për të ditur, mësuar dhe recituar. Kjo frymë e cila shtyn përpara konceptin e zhvillimit të aftësive, është kthyer në një revolucion kohët e fundit në sistemin arsimor të institucioneve më të famshme në botë.
Me këtë rast, nisur nga premisa se një shkollë e mirë jo domosdoshmërish mund të jap fryte të mira në edukimin e fëmijëve apo të rinjve, rrëzohet poshtë argumenti se edukimi i mirë është ekskluzivitet i shkollave më të mira. Në fakt, edukimi është proces që shpesh del përtej mureve të shkollave apo universiteteve; ai përfshin edhe dijet që nuk merren brenda mureve të këtyre objekteve që kanë të bëjnë me dijen. Në vetvete, edukimi përfaqëson procesin apo rrugën që ndiqet për të shkuar drejt përvetësimit të njohurive, dijes, aftësive, vlerave, besimeve e sjelljeve. Prej këtyre, vetëm dy të parat mund të mësohen në shkollë apo institucionet e të nxënit, ndërkaq, pjesa tjetër i përket ingranazhit të gjatë të jetës, ku hera-herës ato përvetesohen edhe përmes zhgënjimeve, gabimeve, dështimeve etj.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet mirëmarrëdhënia mes edukimit dhe dështimit. Ajo çfarë nuk përmendet aspak në shkolla apo kurrikula, është se gabimi apo dështimi është ana tjetër e medaljes së edukimit, por jo gjithnjë ana negative e tij. Pavarësisht faktit se një koncept “simplicist” mundohet t’u mësohet fëmijëve e të rinjve në orën e detyrës praktike apo përmes eksperimentit, ku ka dhe dështim apo mosrealzim të eksperimentit, ajo që nuk thuhet është se dështimi i një eksperimenti mund të na jap rezultate të ditura, ndërsa gabimi i një nxënësi apo studenti në jetën e tij, mund ta shpjerë atë drejt gabimeve edhe më të mëdha me pasoja sociale. Kështu, ballafaqimi ndërmjet edukimit dhe dështimit bëhet shumë i vështirë. Një nxënës, edhe pse nuk mund ta përfundojë shkollën, apo i riu universitetin, nuk mund të klasifikohet mes të dështuarve. Në kohët e sotme kemi parë figura të njohura si Mark Zuckerberg apo Stiv Jobs, të bëjnë revolucione teknologjike e sociale ende pa mbaruar shkollimin e tyre ose duke mos e pasur fare atë. Kjo na tregon se edukimi nuk është vetëm procesi që kryhet brenda institucioneve shkollore apo universitare, por ai në shekullin e XXI, është pikërisht procesi që e shtyn shoqërinë të jetë në pararojë të zhvillimit të aftësive, që jo domosdo vijnë e mësohen vetëm në shkollë apo universitet.
Prej këndej mund të thuhet se koncepti i njohurive lineare – ai që mësohen në institucionet e të nxënit, apo i teksteve që tentojnë t’u mësojnë fëmijeve njohuritë bazë – ngec në lakun e kohës dhe shekullit të ri, sidomos kur autodidaktizmi po rritet përtej pritshmërisë normale. Platforma të tëra online apo e-learning po përhapen kudo, duke krijuar mundësi për t’u zhvilluar e mësuar përtej formave tradicionale skolastike. Mbështetja e këtyre platformave, edhe pse ende nuk ka studime të mirëfillta për pasojat e tyre, tregon se një erë e re ka filluar në rrafshin e edukimit.
Teksa dy miq të mi më kërkuan të takoheshim para disa ditësh e të diskutonim për mundësinë e zhvillimit apo përhapjes së një platforme të të nxënit online, u ndjeva mirë dhe i dhashë gjithë mbështetjen time për t’i krijuar një mundësi që ata ta prezantonin atë në institucionin ku unë punoj. Sigurisht që kjo platformë nuk është shembulli më ideal i edukimit, por ajo shkon përkrah idesë se tashmë nuk kanë më rëndësi vetëm dijet, por aftësitë që zhvillohen përmes dijeve dhe praktikës. Ajo është një kombinim i mundësisë për të mësuar e praktikuar njëkohësisht pa patur frikë se ngel apo se nuk kalon klasën, pra është një mundësi tërësisht e lirë, e cila u hap një dritare të re atyre që jo vetëm duan të përmirësohen por dhe që duan të zhvillojnë aftësitë e tyre. Jam i mahnitur çdo ditë e më shumë, se sa vjen e shtohet numri i atyre që zotërojnë “profesione të lira”, të paçertifikuara, por që i kanë mësuar vet përmes platformave të ndryshme. Ndjekja e një specializimi si dhe shtyrja e nxënësve dhe studentëve për të zhvilluar aftësitë e tyre jashtë auditorëve të institucioneve arsimore, mbetet një mundësi e artë për të ndryshuar problemin që ka vendi ynë, papunësinë e lartë, dyshifrore. Kjo gjë do t’u krijojë atyre një mundësi rikualifikimi, e cila nuk kërkon muaj apo vite, por ndjekjen e një kursi që zhvillon aftësitë përmes programeve të ndryshme online.
E duke qënë se në Shqipëri mundësia e zhvillimit dhe ndryshimit të perceptimit se edukimi i përket shkollës është një realitet i trishtë, potenciali dhe financimi i projekteve alternative apo ndjekes së trendit prej institucioneve private kthehet në një detyrim për të gjitha ata që duan të kapin tempin e kohës, zhvillimit dhe ndryshimit botëror. /tesheshi.com/