“Zahir Pajaziti”, “Nënë Tereza”, “Skënderbeu” dhe “Pavarësia” janë sheshet më të mëdha dhe më të frekuentueshme në Prishtinë. Njerëzit janë mbledhur historikisht në sheshe për të protestuar për ndonjë pakënaqësi, për t’i përcjellë mesazhet e tyre si grup në mënyrë që thirrjet t’u kenë efekt sa më të madh, si dhe për t’u argëtuar në ndonjë festival kulturoro-artistik. Po ashtu, sheshi identifikohet edhe si vendi i lirisë, ku bashkohen njerëzit pa dallime race, gjinie, kombësie dhe etniciteti, por që i mbledh kauza e njëjtë.
Për autorin postmodern Manuel Castells, koncepti i hapësirës është dimensioni themelor i cili “shpreh” shoqërinë urbane. Sipas Castells-it, përvoja hapësinore e jetës bashkëkohore në qytet shprehet përmes asaj çka ai e quan “hapësira e ngjarjeve (rrjedhave)”, ku njerëzit e kalojnë jetën e tyre të përditshme, i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre personale dhe familjare, si dhe ushqejnë identitetet individuale. Kjo do të thotë se edhe pse komunikimi me masën mund të arrihet sot përmes rrjeteve teknologjike, është prapë sheshi që mban rolin primar. Aty është fryma dhe solidariteti për arritjen e qëllimit.
Ndryshe nga shumë shoqëri të avancuara që sheshet e qyteteve të tyre i përdorin për manifestime, për panaire kulturore dhe festivale të ndryshme, shoqërisë në Kosovë fatkeqësisht, dhe aspak për fajin e saj, i duhet t’i përdorë ende sheshet për të shprehur pakënaqësinë ndaj këtij pushteti e për të kërkuar llogari për dëmet e shkaktuara prej tij.
Dhe këto ditë sheshet e Prishtinës janë të mbushura më shumë se asnjëherë më parë me qytetarë protestues nga të gjitha qytetet e Kosovës. Protestat si ajo e 9 janarit dhe e 17 shkurtit kundër qeverisë “Mustafa”, konkretisht kundër marrëveshjes për themelimin e Zajednicës si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, u cilësuan me të drejtë jo vetëm nga subjektet politike opozitare që ishin organizatore të tyre, por edhe nga analistë të shumtë të shoqërisë civile dhe nga mediat vendore e ndërkombëtare, si më të mëdhatë që nga paslufta në Kosovë. Të vetmit që nuk u pajtuan me këtë realitet të pjesëmarrjes së qytetarëve protestues në shesh ishin pushtetarët. Krerët e këtij pushteti mizor, që tashmë kanë filluar ta ndjejnë frikën për rënien e kësaj piramide diktatoriale, e nën panikun e këtij rrëzimi, vazhduan ta shpërfaqin fytyrën e vërtetë prej diktatori, duke shqiptuar akuza e fyerje, si dhe duke e shtuar agresivitetin e tyre.
Ky pushtet e vazhdoi shtypjen me dhunë të deputetëve dhe të aktivistëve opozitarë. Sepse vetëm nëpërmjet këtyre formave jolegjitime dhe antikushtetuese të shtypjes së qytetarëve dhe të burgosjes së opozitës e aktivistëve të saj është i mundur qëndrimi në pushtet i kësaj kaste politike të korruptuar e të shantazhuar. Dhe, siç duket, ky regjim tashmë i ka ditët e numëruara, sepse ka hasur në rezistencën e fortë popullore, ngase në shesh tani janë qytetarët që kërkojnë me çdo formë rënien e këtij regjimi diktatorial, duke mos hequr dorë gjer në realizimin e qëllimit të tyre për ndryshim. Qytetarë të shumtë, aktivistë dhe zyrtarë opozitarë, nga një rezistencë e vazhdueshme paqësore në kundërshtim të këtij pushteti, tashmë kanë vendosur tendat në sheshet e Prishtinës, duke qëndruar aty ditë e natë të palëkundur prej së martës, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për rrëzimin e kësaj qeverie antikushtetuese.
Në kushte të vështira atmosferike, të përballur me propagandën e vazhdueshme kërcënuese drejtpërdrejt nga pushteti, të rrethuar nga të gjitha anët me forcat e njësive speciale të policisë së pushtetit, të ballafaquar me shantazhe e fyerje nga më të ndryshmet prej mizorisë së pushtetit, qytetarët vijojnë të qëndrojnë stoikë në shesh. Ata janë të vendosur të sakrifikojnë gjithçka për një frymë të re drejt lirisë, barazisë qytetare, progresit dhe zhvillimit shoqëror e ekonomik. Në shesh tashmë janë qytetarët që e duan shtetin e tyre me sovranitet të plotë shoqëror e territorial, qytetarët që kanë sakrifikuar pa fund për shtetin dhe për kombin e tyre. Po qëndrojnë në shesh sepse janë zgjuar, dhe tanimë, ngjashëm me shoqëritë e avancuara, e kanë kuptuar domethënien e vërtetë të demokracisë së sheshit. Qytetarët po qëndrojnë në këto sheshe sepse kanë vendosur t’i shndërrojnë përfundimisht ato nga të uzurpuara prej pushtetit në mishëruese të fitores qytetare. E kanë zgjedhur demokracinë e sheshit sepse sheshi është hapësirë publike objektive që gjallërohet sa herë ndodh grupimi i qytetarëve që në këto hapësira bashkohen për kauza të përbashkëta, për ta përdorur arsyen e tyre në diskutime të pakufizuara mes të barabartëve. Qytetarët e kanë kuptuar tashmë se brenda sheshit si hapësirë publike, dhe nga diskutimet e tilla të përbashkëta, është e mundur që shumë shpejt të zhvillohet një kulturë e përbashkët qytetare, e cila ndër të tjera u ndihmon pjesëmarrësve për t’i zbuluar dhe për t’i shprehur nevojat dhe interesat e tyre, e, njëkohësisht, për ta çuar përpara konceptin e të mirës së përbashkët.
Ky koncept qytetar për të arritur të mirën e përbashkët, i shfaqur në këto arena të brishta të shtetit tonë, e njëherësh të shenjta për shoqërinë tonë, dalëngadalë po e orienton shoqërinë kosovare drejt një kristalizimi të qartë të rrugës që duhet ndjekur, në mënyrë që të jetë e mundur mbrojtja dhe përmbushja e interesave të përbashkëta shtetërore dhe kombëtare. Prandaj, brenda këtyre shesheve, ku çdo ditë e më shumë qytetarët po e zgjerojnë pushtetin dhe ndikimin e tyre, po ngjet dhe progresi i tyre. Nga një shoqëri e shtypur dhe e degraduar, tash, nga pjesëmarrja në shesh, qytetarët po e rigjejnë besimin në vetvete, dhe ngadalë po e kthejnë rolin e kontrolluesit, po e kthejnë legjitimitetin, dhe po përfitojnë kompetenca në demokracinë pjesëmarrëse dhe në sistemin qeverisës shtetëror.
Demokracia e sheshit është shembulli më pragmatik i jetës aktive qytetare, ashtu siç shprehet edhe Jurgen Habermas-i, i cili e koncepton sferën publike “si një hapësirë brenda së cilës subjektet përfshihen si të barabarta nëpër diskutime racionale në kërkim të së vërtetës dhe në kërkim të së mirës së përbashkët”. Ashtu po ndodh aktualisht edhe me lëvizjen qytetare të shoqërisë kosovare, e cila e grumbulluar në sheshe publike po e prek nga afër realitetin e hidhur të këtij regjimi politik. Dhe duke e njohur tashmë në detaje një diktaturë të shpërfaqur nga ana e pushtetit, qytetarët po e kuptojnë që kundërvënia ndaj këtij regjimi politik është e mundur vetëm nëpërmjet unitetit qytetar, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këto lëvizje gjithëpopullore. Sepse, në të kundërt, mbyllja në sferën private është shmangie e përgjegjësisë qytetare në radhë të parë, dhe, njëkohësisht, kjo shmangie i shkon për shtat regjimit politik, që për mision të tij ka largimin e qytetarëve nga vendimmarrjet politike publike. Gjithashtu, synimi i këtij regjimi politik të instaluar në Kosovë është margjinalizimi gjithnjë e më i madh i zërit qytetar. Ngaqë vetëm në këtë mënyrë, duke e përndjekur dhe duke e përjashtuar qytetarin nga pjesëmarrja aktive në jetën politike dhe në vendimmarrje publike, ky pushtet e ka të garantuar kapjen e shtetit dhe zgjatjen e jetës së tij. /tesheshi.com/
* Bukurije Rrustemi, absolvente në studimet master për Marrëdhënie me Publikun dhe Publicitet në Universitetin Ege, ka përfunduar masterin për Sociologji dhe ka bachelor për Gazetari dhe Sociologji në Universitetin e Prishtinës. Ajo është aktiviste e shoqërisë civile.