Shumë vite më herët, aty pas 1990-ës, ku dyert e hapura të vendit i dhanë mundësi çdo burokrati europian ta përmbushte egon e vet profesionale të mbetur mangut diku tjetër, një trupë estrade pati vënë në skenë një pjesë humoristike që mes të tjerash përcillte frazën, “rakia e rrushit bëhet nga rrushi”.
Kjo frazë, e shumëdashur për çdokënd asokohe, dhe e kthyer në shprehjen më reflektuese të bezdisë së krijuar ndër njerëzit me të huajt që guxonin t’i jepnin vetes të drejtën të flisnin për çdo gjë, e të nxirrnin prej goje edhe gomarllëqe të këtij niveli, i shoqëroi shqiptarët në vitet e para të tranzicionit.
Po a mori fund kjo histori? Të gjithë jemi dëshmitarë të përfoljes së përfaqësuesve të organizmave të huaja të kapluar nga qejfet me dolli birrash e me dhënie pas qofteve që të nesërmen na shfaqen si përçues të demokracisë ndër ne. Jemi po ashtu dëshmitarë të dhjetëra fjalimeve që në thelb kanë patur mësimdhënien se rakia e rrushit bëhet nga rrushi!
Sali Berishën mund të mos e duash, mund ta kundërshtosh për shumëçka, por nuk mund ta sulmosh për kundërvënie ndaj Perëndimit thjesht për arsyen e vetme se na paska kritikuar një ambasador!
Ky ambasador, pikërisht përfaqësuesi më i lartë i Gjermanisë në vendin tonë, nuk ka ngurruar ta kritikojë djegien e bunkerit në protestën e opozitës, e ta qortojë më në përgjithësi dhunën në këtë dalje të njerëzve kundër qeverisë.
E Berisha me të drejtën e tij as ka marrë mundimin ta fshehë pakënaqësinë, duke lëshuar një lumë kritikash në drejtim të ambasadorit.
Ku qëndron problemi këtu? A nuk ka një absurd në të gjithë këtë? Ambasadori na paska të drejtë të flasë për gjithçka, edhe pse ka caqe në funksionin e tij, kurse ish-kryeministri e ish-presidenti i vendit na u dashka të qëndrojë si guak, e madje të na e duartrokasë atë për çka tha!
A nuk kanë parë Gjermania, Franca, Italia, e thuajse çdo vend tjetër europian, protesta shumë herë më të dhunshme e me më shumë tym se kaq? A do të guxonte një ambasador shqiptar në vendin përkatës të hapte gojën? As që mendohet!
Të thuash pastaj se Berisha nuk na e paska me ambasadorin, por me tërë Perëndimin, që nuk e pranoka filozofinë e tij të dhunës, ashtu siç është shprehur një deputet i shumicës qeverisëse, është e tepërt fare. Eshtë absurd!
A nuk u zemërua opozita e djeshme kur Berisha u quajt burrë shteti prej ambasadorit të shtetit më të fuqishëm në botë? A nuk e shprehu hapur qejfmbetjen?
Vërtet, ua kemi nevojën ambasadorëve për gjithçka, për të na numëruar votat, për të na dhënë leksione demokracie, qoftë edhe për përurime, por çdo gjë e ka një masë…
Fare mirë e dimë se sovranitetin e kemi të cunguar, por fare mirë edhe ambasadori gjerman mund të tregohet paksa më i përkorë, duke na e kursyer pakëz sovranitet në punët tona. Ndryshe do na duhet ta pyesim edhe për gjërat më banale pastaj.
Tekembramja, edhe ambasadori të mos e vrasë mendjen aq shumë për bunkerin, se një bunker i djegur mirë i bën qeverisë; asgjë e keqe nuk i vjen prej saj, veç ardhjes në vete.
Mos e duaj Berishën, por jepi atë që i takon Berishës!
Më mirë një Berishë që kritikon një ambasador, se një republikë bananesh që u kanë hequr dhe lëkurën! /tesheshi.com/