Që këto ditë të fundit të korrikut nuk do të ishin të mbara, u mor vesh që kur ca duargjatë guxuan e u futën në ato “shtëpi modeste” në Gjirin e Lalzit, të quajtura ndryshe dhe vila, ku politikanët tanë të stërmunduar gjatë gjithë vitit nga të bërat dhe të pabërat e tyre rreken të gjejnë prehje. Nuk është se morën ndonjë gjë të madhe, duke u mjaftuar me pak gjë. Por fakti që kishin vënë këmbën fshehurazi në shtëpitë e të pushtetshmëve tanë i bëri këta të fundit të tromakseshin.
Në Tiranë prej kohësh vidhen shtëpi e makina pa të keq. Të dëmtuarit zakonisht pajtohen me fatin, e nuk bëjnë më zë, duke u lutur në vetvete që kjo të mos ndodhë sërish, shpresëhumbur se do të bien një ditë në gjurmë të mallit të tyre.
Mirëpo politikanët nuk janë dosido njerëz. Na vjedhin ne tërë kohës me qindra metoda të sofistikuara e jo kështu, ndërtojnë pa hesap ç’të mundin e kapardisen majë makinave të shtrenjta pa pikën e drojës se dikush mund t’i pyesë për burimin e prosperitetit të tyre që i vjen era kilometra larg, ama nuk pranojnë assesi që dikush t’u prekë dhe qerpikun. E kësisoj gurguleja e tyre e pafund për ndopakëz gjë kthehet në pështirësi, ndërsa ca mjeranë u kanë cenuar paprekshmërinë. Askush nuk e përtyp dot faktin se si me vullnetin e tyre këta palo politikanë mbushin faqet e gazetave për “fatkeqësinë” e tyre. Hajde, ta pranojmë, jeni në të drejtën tuaj për të kërkuar rënien në gjurmë të hajdutëve, të cilët nuk kanë bërë dëm as sa një grimcë rëre kundrejt asaj që ju i bëni këtij vendi ditë për ditë, por a nuk mund ta bëni këtë pa zhurmë, pa e marrë vesh i madh e i vogël? Kjo është ose pacipësi, ose, ndryshe, idiotësi. Unë dyshoj se janë të dyja bashkë!
Tani vijmë tek marrja e detyrës së kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës. Dy gjëra bajate ma tërhoqën vëmendjen. Së pari, largimi i përfaqësuesve të opozitës. Me pretendimet idiote se në ceremoninë përkatëse nuk mund të ishte i pranishëm përfaqësuesi i qeverisë, e se kjo na zbulonte dhe faktin se kryetari de facto do të ishte vetë kryeministri. Të dy pretendimet janë fund e krye budallallëk. Por do ndalem te i dyti. Nuk është çudi, madje është krejt e kuptueshme, që kryeministri të ketë ndikim te kryetari i bashkisë më të madhe të vendit kur i përkasin të njëjtit subjekt politik. Aq më mirë nëse ndodh kështu, po qe se bëhet fjalë për interesin publik, ngaqë shmangia e konflikteve artificiale i hap rrugën punës së vërtetë. Tekefundit, askujt nuk i bëhet vonë se kush do të jetë kryetari i njëmendtë, mjafton që të ndriçohen rrugët ku errësira ka pllakosur prej kohësh, të mbyllen gropat pa fund të asfaltit, e t’u bëhet hall pusetave pa kapak. Marrë në një aspekt tjetër, përfaqësuesve të opozitës do t’u bëhej më mirë të qëndronin në sallën me ajër të kondicionuar, se vapa jashtë do t’ua përcëllonte edhe ato pak mendime të vyera që mund t’u sillen në mendje!
Kamerat televizive u përqendruan dje në sallën bashkiake te dy figura emblematike të klerit, te Baba Mondi dhe Ylli Gurra. Ata ka kohë që mund t’i hasësh ngado, në gëzime e hidhërime, ku kanë vend e ku nuk kanë vend. Por shpesh ngatërrojnë mënyrën e qëndrimit, të pavetëdijshëm se ç’e mirë i ka çuar në një ambient të caktuar, duke qeshur aty ku nuk ka vend për qeshje, e duke qëndruar seriozë aty ku gazi duhet shpërfaqur. Të gjithë e kemi ende para syve Yllin buzagaz në rrugët e Parisit, i ngazëllyer nga turma, duke harruar se gjendej atje për tjetër gjë. I pari, sidoqoftë, e mban sadopak veten, kurse ky i dyti bie në sy që nga një përzierje e pashpjegueshme e veshjes klerike me kravatën! Vendi nuk e mban nga dëshira për të folur, por kur nis e flet, nuk ka ekspert të nxjerrjes së kuptimeve që ta deshifrojë, o nga thellësia e idesë, o nga boshësia e thellë e saj! Tanët janë dhe këta!
E fundit, është ndeshja e mbrëmshme në “Qemal Stafa” e Kukësit me Legian e Varshavës. Këta tifozët tanë akoma nuk e kanë kuptuar se në një ndeshje ka vetëm 33.33 për qind mundësi që të fitojë skuadra e tyre. Kështu që gjithmonë duhet të përgatiten për më të keqen. Mbrëmë e bënë baltën me duart e tyre, e tani me gjasa do të bien në qetësi për shumë kohë, se dënimi nuk do të vonojë. Po mirë more, nëse keni aq shpirt protestues, pse nuk dilni të protestoni kundër padrejtësisë, mashtrimit, e gjithçfarë të këqijave që u mban shpina? Pse tërë dufin e nxirrni në një ndeshje futbolli? A nuk e keni kuptuar akoma se fitorja në fushë e skuadrës së zemrës është thjesht një stimul për t’u ndjerë më mirë, por kaq. Nuk bëhet kiameti nëse ajo humb, ndryshe kënaqësia që të jep loja kthehet në një torturë të pakuptimtë!
E këtu pa faj nuk është dhe institucioni përkatës për sigurinë në stadium. Për të garantuar qetësinë çohen në të gjithmonë ca policë që nuk mund të ruajnë shtëpinë e tyre, e jo më t’i bëjnë zap hundëkruajtësit a farangrënësit. E, në vend të vënë vetullat, nxjerrin dhe sytë! Për të ndodhur më pas ajo që ndodhi mbrëmë, që një lojtar mik u godit me një send, e që ndeshja u ndërpre përfundimisht.
A thua mbarojnë me kaq bëmat? Sigurisht që jo! Para kemi gushtin, kur nisin dhe garat e notit. E vetmja shpresë është që ky i gjati që kemi mbi krye të na e kursejë paraqitjen e tij mes detit, ndryshe paraardhësit. Por dhe në ndodhtë kështu, edhe ky se ç’ka një dell për surpriza. Vapë e madhe është, nuk i dihet ç’na pret! /tesheshi.com/