Deputetët duket se janë një klasë e re ekonomike në Kosovë, bazuar në pagën që marrin nga buxheti i Kosovës, apo nga xhepi i qytetarëve. Mbështetur në të ardhurat që marrin si deputetë, duke lënë mënjanë privilegjet e tjera, rezulton se do të ishte më mirë që ato para t’i dedikoheshin shëndetësisë, fëmijëve jetimë, apo kategorive në nevojë, sesa t’u jepeshin kot atyre. Kosova ka nevojë urgjente t’i reduktojë në minimum të ardhurat dhe privilegjet për deputetët, në mënyrë që njerëzit të mos nxiten për t’u marrë vetëm me politikë pa e ditur se ç’është ajo, por të orientohen në ekonominë e tregut, që është baza e sistemit te sotëm ekonomik të vendit. Për të vijuar më pas me zvogëlimin e dikastereve qeveritare, që mund të jenë e shumta dymbëdhjetë; pra, të ndodhë fuzionomi i plotë i administratës, e të reduktohet numri i madh i zyrtarëve administrativë të shtetit. Politika në Kosovë po shërben si biznes i mirë, madje edhe po të jesh veç deputet. Andaj ka shumë njerëz që janë deputetë për herë të katërt pa ua parë kush dobinë, e më së paku qytetarët; përfitimet kanë qenë vetëm për ta dhe familjet e tyre.
Ka shumë arsye që të zvogëlohen privilegjet e këtyre njerëzve, të cilët nuk bëjnë asgjë, veç sillen vërdallë, dhe mund t’i takoni te sheshi duke pirë kafe, apo duke shëtitur aty pari. Pse duhet që qytetari të paguajë paga të kota për këtë kategori njerëzish, që në atë pozitë kanë ardhur në mënyrë të çuditshme, pa kontribuar aspak dhe për askënd? Pse duhet humbur kohë me ta, kur edhe ashtu shumica prej tyre nuk kanë kurrfarë ndikimi në parlament? Në këtë kuvend, sikurse edhe në shumë legjislatura të mëhershme, këta deputetë asnjëherë nuk i kanë tërhequr vërejtje kryeministrit për mungesat në interpelanca, e po kështu as ministrave. E tëra kjo tregon se këta deputetë janë sa për formë, dhe se askush nuk i ka në hesap për gjëra të vogla apo madhore. Kundërshtimi më i madh i Kuvendit është mospranimi i themelimit të Gjykatës Speciale, ndërsa dhe për të për pak sa nuk votuan.
Puna e legjislaturës është më tepër formale; deputetët i thërrasin në interpelancë ministrat, e ata rrallëherë paraqiten në Kuvend, me arsyetimin se janë jashtë shtetit me punë zyrtare, apo duke lobuar për njohjen e Kosovës. Janë disa deputetë që pyetjet për ministrat ua shkruajnë të tjerë jashtë parlamentit, ngaqë nuk dinë as se çfarë të pyesin. Shpesh ndodh që dhe të tjerë jashtë Kuvendit kontaktojnë privatisht me deputetët dhe i nxisin të debatojnë mes kuvendarëve për interesa të dikujt. Shumica e këtyre njerëzve janë pjesëmarrës veç fizikisht, sepse gati gjatë gjithë seancës japin e marrin me mesazhe telefonike. Se janë të dobët dhe joseriozë këtë e dimë, por ata nuk paguhen nga qytetarët për ta çuar kohën kot, e veç kësaj të kenë dhe përfitime të tjera. Ca individë për tre mandate rresht nuk kanë bërë gjë prej gjëje, porse kanë marrë paga të majme. E sikur kjo të kishte ndodhur diku tjetër, në një vend demokratik, i tërë shteti do të ishte vënë në lëvizje për ta ndryshuar gjendjen. Se në parlament ka gjithçka; ka vozitës të dikujt më herët, ka njerëz që rrinë kot, ka persona që nuk kanë njohuri për asnjë fushë, ka dhe prej atyre me shkollim të dyshimtë. Gjithçka ka aty!
Partitë politike nuk obligohen të propozojnë njerëz me kredibilitet dhe integritet moral për pozitën e deputetit; ata thjesht i propozon shefi, dhe në listat për deputetë futen miq, shokë të ngushtë, persona të bindshëm, e gjithçka tjetër. Kjo është arsyeja pse nuk kemi deputetë të aftë, të përgatitur, që të vijnë nga një fushë e spikatur, të vijnë nga një punë e shquar e bërë në një sferë të jetës shoqërore, ekonomike, etj. Prandaj kemi njerëz të shumtë që janë marrë me punë boshe, e s’kanë mundur për tre legjislatura të jenë njëmend deputetë. Për sa kohë nuk reformohen partitë politike, nuk ka ndonjë perspektivë as parlamenti. Kjo është gjendja aktuale në shtetin tonë: qeveria merret me ligjet, me dokumentet strategjike, dhe ata si deputetë nuk kanë nevojë të dinë, e as të shkruajnë dy rreshta. /tesheshi.com/