A po lëviz vendi në drejtimin e duhur? Për t’u përgjigjur dhe për të kuptuar se çfarë ndodh në Shqipëri, gjërat duhen vlerësuar nga larg dhe duhen analizuar nga afër. Parë nga larg, dhe krahasuar me qeveritë e së shkuarës, ajo çka spikat te Rilindja e Edi Ramës është vullneti për ta shndërruar filozofinë e ndryshimit në një realitet. Kjo është thuajse absolute, nuk nxë kundërshti! As Sali Berisha nuk mund të gjejë argument për ta kontestuar këtë gjë. Në rreth 2 vite qeverisje të Rilindjes, mirë a keq, krahasuar me të parët, gjithçka bëhet ndryshe. Në parim, ndryshimi është mënyra më e mirë për të krijuar një dinamikë qeverisëse, e cila është pozitive nëse ecet në drejtimin e duhur, dhe anasjelltas. Por, në çdo rast, është më mirë se rutina, se asgjëja!
Të bësh ndryshe diçka do të thotë t’i hapësh luftë publikut, rutinës së tij, që zakonisht është i prirur ta refuzojë ndryshimin.
Analizuar nga afër, është e natyrshme të supozohet dhe të konstatohet që çdo ndryshim do të krijojë dilema, kundërshti, kompleksitet, apo pakënaqësi publike. Aq më tepër që shoqëria jonë është ende e varfër dhe e brishtë. Shoqëria jonë nuk e do ndryshimin, e ca më pak dhimbjen që e shoqëron atë, për shkak se kultura e saj ka në thelbin e vet një lloj egoizmi primitiv.
Çështja është se a janë këto ndryshime në drejtimin e duhur?
T’i marrim me radhë dhe t’i analizojmë.
Pagesa e energjisë elektrike
A duhej bërë lufta psikologjike në perceptimin e qytetarëve për pagesën e energjisë elektrike? Askush nuk dyshon më në këtë gjë. Në kohë rekord, vetëm në disa muaj, Rilindja e shndërroi në rutinë, e më pas në zakon, vullnetin e shtetasve për të paguar energjinë, duke e shkatërruar atë të mëparshmin me masa të forta, por të shëndetshme. Nuk mund ta ndryshosh perceptimin e një turme që nuk paguan, veçse me këtë mënyrë. Me vullnet, me dhimbje. Të shkatërrosh brenda 20 muajve një rutinë 20-vjeçare abuzimesh dhe ta zëvendësosh atë me një të re, të dhimbshme, por të nevojshme, kjo gjë meriton edhe duartrokitjen e kundërshtarëve.
A është përmirësuar rendi?
Është hera e parë që emri i një ministri shqiptar simbolizon rendin dhe sigurinë në përmasën e përkushtimit dhe ndershmërisë së një titullari. Jo se rezultatet janë masive dhe rendi është në nivelin e duhur për të bërë krenare një qeveri dhe një vend, por sepse, ndryshe nga paraardhësit e tij, e me shumë gjasa ndryshe nga pasardhësit, Saimir Tahiri jo thjesht prishi rutinën e frikshme të mungesës së rendit dhe të qetësisë në vend, por theu disa tabu, dhe, kryesorja, transformoi imazhe. Me transformim kam parasysh këtu paraqitjen dinjitoze të policisë së shtetit, që është fytyra e shtetit. T’i kthesh dinjitetin institucionit që mision të parë ka ruajtjen e dinjitetit të njerëzve është më shumë se të sjellësh ylberin mbas kiametit ku e zhytën ish-qeveritarët me radhë. E them me kënaqësi, dhe pa drojë që, për mua, Saimir Tahiri, përveçse një nga politikanët më të emancipuar në vend, është dhe ministri i Rendit më i suksesshëm i tranzicionit shqiptar. Këto edhe për një arsye të thjeshtë, që ka të bëjë me thjeshtësinë: ai si rrallëkush i ka mbyllur derën dukjes, shfaqjes e demagogjisë, i është shmangur inercisë të të bërit shfaqje më shumë sesa punë, duke bërë thjesht të kundërtën e paraardhësve dhe bashkëvendësve. Nëse do të vlerësosh dikë, mos dëgjo çfarë thotë ai, dhe si e thotë. Zakonisht njerëzit përdorin shumë fjalë për t’u fshehur pas tyre. Shikoji veprimet që bën. Ato flasin më shumë. E përsëris, jo se ndryshoi ngjyra e qiellit, dhe jo se rendi nuk ka probleme, por, më shumë se në çdo drejtim tjetër, rezultatet në Ministrinë e Rendit janë të dukshme, të matshme, të prekshme. Janë materie. Ama, jo thjesht e vetëm për këtë. Duke përfaqësuar denjësisht besimin dhe detyrën e tij, Saimir Tahiri imponoi dhe kultivoi qartazi respektin për rregullat, për ligjin, për shtetin, çka në fakt është kushti kryesor që një shtet ta krijojë dhe ta ruajë vetveten. Mjafton të shikojmë qarkullimin rrugor! Në orientimin final, çfarë është shteti? Shteti është vullneti kolektiv i shtetasve për ta njohur, respektuar dhe mbështetur atë nëpërmjet respektimit të rregullave të përbashkëta. Këtu ministri i Rendit mban flamurin.
Ç’po ndodh në arsim?
Me gjithë kontestimet, në arsimin publik shqiptar fryn erë e re. Arsimi në Shqipëri ka qenë në frymën e fundit, dhe nëse nuk ka ende rezultate të qarta të reformave të ndërmarra, kjo ka shkaqet e veta. Së pari, sa më i sëmurë të jetë një sistem, dhe sa më e rëndësishme të jetë ndërhyrja në të, aq më vështirë është, dhe aq më shumë kohë duhet për t’u përmirësuar. Natyrisht, nëse është krijuar një vorbull paqartësie, kjo mund të jetë edhe pasojë e mungesës së përvojës të administratës së re të MAS-it, por, në çdo rast, është i qartë vullneti dhe përkushtimi i Lindita Nikollës për të nxitur ndryshimin dhe zhvillimin. Në këtë pikë, të kuptohemi, zhvillimi është gjithmonë pasojë e përplasjes së shkaqeve të ndryshimit, dhe jo e pasojave të tyre. Shkak zhvillimi në këtë rast janë idetë, programet, vizionet, që nuk i mungojnë MAS-it. Pasojë është tensioni social që rrjedh drejtpërdrejt nga përplasja e nevojës për ndryshim me dëshirën publike për ndryshim. Nëse duam të flasim për zhvillim, duhet ta mësojmë veten të durojmë përfundimin e reformave të ndërmarra, që bëjnë ndryshimin. Ndryshimi është vetëm hapi i parë. Në fund të fundit, finalja e këtyre reformave do të jetë prova që në arsim Rilindja ka projektuar strategjinë e duhur për drejtimin e duhur.
Si është qeverisja në tërësi?
Kjo dinamikë, me synim ndryshimin tërësor të psikologjisë së ndryshimit, që supozohet t’i paraprijë zhvillimit të vendit sipas strategjisë së Rilindjes, i ka shoqëruar në fakt, ku më shumë e ku më pak, të gjitha ministritë e qeverisë. Këtë zell patën edhe reformat ambicioze që nisi të kryejë edhe Ministria e Mirëqenies Sociale nën drejtimin e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Erjon Velisë. Edhe Erjon Veliaj solli një risi, atë të krijimit të një impulsi të ri në perceptimin kolektiv të reformave. Edhe pse është herët për të parë apo për të vlerësuar rezultatet e punës së tij, për shkak se çdo aksion ministror i këtij lloji do kohën e vet për t’u shteruar, jemi në kohë të vlerësojmë dobinë e optimizmit që sjell zelli për punë, që qartazi dhe me shumë pasion shfaqi ish-ministri.
Duhet thënë se vonesa e rezultateve në disa drejtime nuk do të thotë mungesë rezultatesh, ashtu siç mund të jetë, sigurisht, paralajmërim dështimesh, kështu që, ndoshta për befasinë e të gjithëve, këshilla e duhur në këtë rast është durimi. Durim do të thotë të vazhdosh! Aq më tepër që strategjitë e zhvillimit dhe të përparimit në çdo vend, vlerësim e vullnet, kanë në themel logjikën e kohës, çka do të thotë se ajo duhet marrë në konsideratë. Rilindjes i duhet dhënë koha e duhur! Kjo vlen dhe për drejtime ku, në kohën që flasim, situata duket e mefshtë: mjekësia, ekonomia, papunësia, zhgënjimet masive; drejtime të cilat aq më shumë duan kohë dhe mbështetje, dhe aq më shumë duhen kritika dhe ide, ngaqë në to janë përqendruar realisht edhe sfidat sublime të kësaj mazhorance.
Problemet e Rilindjes
Problemet më të mëdha të Rilindjes janë drejtësia, apo vonesa e reformimit të saj, mosndëshkueshmëria e pushtetarëve që kanë abuzuar me fondet publike, dhe inflacioni! Natyrisht, Rilindja ka edhe inflacion! Çdo shtet në botë ka inflacionin e vet. Mund të themi se ky koeficient është ende i lartë në Shqipëri. Sido që, për një analogji arsyetimi, inflacion i Rilindjes nuk do të thotë “vdekje” e saj. E shumta, siç zbehet njeriu në një luginë ku fryn erë e ftohtë, momenti i fillimit të reformave mund të përshkruhet si “zbehje imazhi”. Dhe është e natyrshme. Rilindja, në mes të stuhisë, presioneve, problemeve të mëdha të trashëguara nga e shkuara, përballë vetvetes, përballë inflacionit të vet, është normale të ketë vështirësi, e të jetë në vështirësi. Inflacioni i çdo shteti është pjesë e rutinës së tij, që shkaktohet edhe nga shpërndarja e pushteteve, shpërdorimi dhe vështirësia e kontrollit të këtyre pushteteve. Dhe këtu nuk e kam fjalën për pasojat që sjell mungesa e integritetit, apo servilizmi i disa drejtuesve të administratës ndaj titullarëve të tyre. Këtu supozoj të kundërtën. E kam fjalën për shpërdorimin e pakontrolluar të pushtetit nga persona të cilëve u është dhënë pushtet, në dëm të Rilindjes. Inflacioni shkaktohet edhe nga korrupsioni i administratës, nga abuzimet me fondet publike, nga emërimet e gabuara, nga njerëzit e gabuar, nga nepotizmi, etj.
Kur them inflacion, e kam fjalën edhe për meritokracinë. Edi Rama është në provë për të vërtetuar pikërisht këtë gjë: nëse thellë në shpirt është vërtet meritokrat, siç ka premtuar gjatë tërë kohës, apo mekanizmi i tij përzgjedhës është njëlloj me atë të paraardhësve të tij, dhe administrata, parlamenti, kandidatët, do të vlerësohen e zgjidhen njëlloj në vazhdim, me kriteret e vjetra, apo pa kritere fare, pa kaluar në filtrat e duhur të vlerave dhe moralit.
/tesheshi.com/