Fushata zgjedhore
Zyrtarisht, fushata për zgjedhjet presidenciale në SHBA fillon në janar të vitit të zgjedhjeve presidenciale me një sërë zgjedhjesh të grupeve drejtuese dhe preliminareve nëpër shtete, e përfundon me konventat kombëtare në fund të verës së po atij viti. Ndërsa iniciativat e partive politike për t’i nxitur kandidatët për të hyrë në garën presidenciale fillojnë edhe më herët.
Mënyra e tërthortë për zgjedhjen e presidentit
Neni i II-të i kushtetutës së SHBA-së përcakton mënyrën e zgjedhjes së presidentit dhe zëvendëspresidentit. Saktësisht, paragrafi i parë i këtij neni ishte përcaktues i formimit të një trupe elektorale që zgjedh presidentin. Kjo metodë është specifikë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, dhe njëherësh unikale në botë. Kjo do të thotë se presidenti nuk zgjidhet drejtpërsëdrejt nga vota popullore, por nga ajo elektorale, pra, me mënyrën e tërthortë, nga ana e asaj trupe elektorale që quhet “Kolegj elektoral”.
Kolegji elektoral
Edhe sot funksionon e njëjta metodë e tërthortë e zgjedhjes së presidentit. “Kolegji Elektoral”, i zgjedhur çdo katër vite, mblidhet vetëm një herë, në vitin e zgjedhjeve presidenciale, në muajin dhjetor. Ato madje nuk mblidhen as në kryeqytetin Uashington, por çdonjëri në kryeqendrën e shtetit të vet, dhe nuk vepron si një trup i përbashkët. Ndërsa numri i zgjedhësve për secilin shtet renditet nga 3 deri në 55 elektorë/zgjedhës, varësisht prej numrit të banorëve të secilit shtet. Ky kolegj elektoral sot numëron 538 elektorë apo zgjedhës, bazuar në 100 anëtarë të Senatit, 435 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe 3 zgjedhës nga D.C.-ja (Distrikti i Kolumbisë), si rezultat i amendamentit XXIII të kushtetutës (i miratuar më 1961).
Zgjedhësit (elektorët) mblidhen në kryeqytetet e shteteve të tyre përkatëse dhe votojnë me dy fletë votimi, njërën për zgjedhjen e presidentit dhe tjetrën për zëvendëspresidentin. Këtë vit, elektorët do të votojnë më datë 19 dhjetor. Votat e tyre pastaj dërgohen në Kongres, ku më 6 janar kryetari i Senatit, me këtë rast zv.presidenti Xhozef Bajden, në prezencë të dy dhomave të Kongresit i numëron votat, dhe kandidati i cili ka mbledhur më shumë se 50% të votave elektorale, që do të thotë minimumi 270 vota elektorale nga gjithsej 538 të mundshme, i fiton zgjedhjet presidenciale. Njëherësh mund të themi se vota elektorale është faza e fundit përcaktuese në procedurën e gjatë të zgjedhjeve presidenciale.
“Faithless electors – Elektorët e pabesë”
Prej themelimit të Kolegjit Elektoral e deri në zgjedhjet e vitit 2004, numërohen 157 zgjedhës apo elektorë që e kanë ndryshuar votën, në kundërshtim me zotimin e tyre; këta quhen “faithless electors – elektorë të pabesë”. 71 prej tyre e ndryshuan votimin për kandidatin e zotuar për shkak të vdekjes sëtij në ditën që duhej të votonin zgjedhësit. 3 elektorë nuk kanë votuar fare, sepse kanë vendosur që të abstenojnë, duke mos votuar për asnjë kandidat. Ndërsa 82 të tjerë kanë ndryshuar mendje me vetiniciativë, duke votuar për kandidatët e tjerë, dhe jo për ata për të cilët ishin zotuar se do t’i votonin. Hera e fundit që një elektor nuk ka votuar sipas zotimit të tij ka ndodhur në zgjedhjet e vitit 2000, kur një elektor nga DC-ja ka abstenuar të votojë për Al Gorin, kurse më 2004 një elektor nga Minnesota ka votuar për zv.presidentin në vend të presidentit. Mendohet se kjo mund të ketë qenë gabim, dhe jo e qëllimshme. Ndërsa në këto zgjedhje, të vitit 2016, një elektor nga Florida e ka kërcënuar Trumpin se mund të mos e votojë atë për shkak të deklaratave raciste. A do të ndodhë kjo, e a do të ketë të tjerë, do ta kuptojmë pas zgjedhjeve.
Kandidati me më pak vota popullore mund ta fitojë presidencën
Sistemi i tërthortë i zgjedhjeve presidenciale në SHBA e mundëson një gjë të tillë. P.sh., gjatë shekullit të XIX-të, tri herë ka ndodhur që kandidati presidencial t’i humbë zgjedhjet presidenciale edhe përkundër votave popullore të fituara; për shkak të humbjes së votave elektorale, presidencën e kanë fituar kandidatët me më pak vota popullore, por me më shumë vota elektorale (Xhon K. Adamsi (1824), Ruthërford B. Hajësi (1876) dhe Bengjamin Harisoni (1888). Ndërsa gjatë shekullit të XX-të, asnjëherë nuk kishte ndodhur një gjë e tillë. Por në vitin 2000, kur më së paku pritej se mund të ndodhte ndonjë anomali e tillë, ajo ndodhi. Kandidati presidencial, i nominuari i republikanëve, Xhorxh Bushi, i fitoi zgjedhjet presidenciale pa shumicën e thjeshtë të votave popullore. Kurse kandidati demokrat Al Gor, i cili kishte fituar votat popullore, me mbi 540 mijë vota më shumë se rivali i tij, e humbi presidencën për shkak të humbjes së votave elektorale. Në historinë e SHBA-së, kjo ishte hera e katërt që kandidati i fitonte zgjedhjet presidenciale përkundër humbjes së votave popullore.
Numërimi i votave në Kongres dhe shpallja e fituesit
Ligji për numërimin e votave elektorale në Kongres është dekretuar më 1887. Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve mblidhen në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve në orën një të mesditës të asaj dite, dhe pas numërimit të votave shpallet edhe fituesi. Kushtetuta e SHBA-së parasheh që nëse asnjëri nga kandidatët nuk e fiton shumicën e votave elektorale, atëherë nga tre kandidatët me më së shumti vota elektorale, Dhoma e Përfaqësuesve zgjedh me fletë votimi presidentin me nga një votë për secilin shtet, dhe kandidati i cili i merr votat e shumicës së të gjitha shteteve i fiton zgjedhjet.
Për dallim nga rasti i presidentit, që në këso rastesh e zgjedh Dhoma e Përfaqësuesve, zv.presidentin e zgjedh Senati nga dy kandidatët që kanë numrin më të madh të votave në listë. Kuorumi për këtë qëllim përbëhet nga dy të tretat e numrit të përgjithshëm të senatorëve, e për zgjedhjen e tij është e nevojshme shumica e numrit të përgjithshëm të tyre.
Por nëse Dhoma e Përfaqësuesve dështon ta zgjedhë presidentin, vazhdon rrethi i dytë i votimeve në Dhomën e Përfaqësuesve, deri sa të zgjidhet presidenti i ri. Nëse kjo nuk arrihet as deri më 20 janar, kur presidenti i ri duhet të bëjë betimin, postin e presidentit e ushtron zëvendëspresidenti i zgjedhur nga Senati, nëse është zgjedhur deri atëherë. Por nëse as Senati nuk ka arritur ta zgjedhë zëvendëspresidentin, atëherë veprohet sipas amendamentit të XX-të, sipas të cilit, “Kongresi mund të shpallë ligjërisht se kush do ta kryejë funksionin e presidentit, ose mënyrën sipas së cilës do të zgjidhet personi që do ta kryejë këtë funksion.”
Kush do t’i fitojë zgjedhjet e 2016-tës?
Sistemi elektoral në SHBA shpeshherë mund të sjellë edhe befasi, kështu që është vështirë të jepet ndonjë vlerësim. Megjithatë, edhe vlerësimet paraelektorale nganjëherë mund të jenë të sakta kur mbështeten në sondazhe serioze dhe kur ato i krahasojmë me rezultatin e zgjedhjeve të kaluara. Sivjet ka pasur mjaft sondazhe, dhe ato dhe janë mjaft reale. Nëse bazohemi në këto sondazhe, kuptojmë se këto zgjedhje do të jenë shumë të ngushta në rezultat.
Shtetet bastione të republikanëve në zgjedhjet e vitit 2012, të këtij viti dhe ato të 2020-s, janë shtuar pas regjistrimit të fundit me 6 vota elektorale më shumë se demokratët. Sidoqoftë, në këto zgjedhje rëndësi të madhe do të kenë votat e shteteve të luhatura.
Swing States – Shtetet e luhatura
Shtetet e luhatura quhen ato që nuk votojnë zakonisht për të njëjtën parti çdo herë, pra, nuk votojnë si militantë partiakë, por konsiderohen si votues më avangardë. P.sh., Florida, prej vitit 1996, tri herë ka votuar për demokratët e dy herë për republikanët; po ashtu edhe Ohajo, tri herë për demokratët dhe dy herë për republikanët. Kurse, në anën tjetër, kemi shtetet që njihen si bastione të njërës apo tjetrës parti. P.sh., Kalifornia prej vitit 1992 e deri më sot vazhdimisht voton për demokratët, sikurse Teksasi prej vitit 1980 e deri sot vazhdimisht voton për republikanët.
Risia e këtyre zgjedhjeve është se kemi disa shtete të cilat njihen si bastione të njërës apo tjetrës parti, por që në këto zgjedhje, sipas sondazheve të fundit, po duken të luhatura. P.sh., në këto zgjedhje janë katër shtete që po i sfidojnë të dy partitë. Arizona dhe Xhorxhia, të cilat zakonisht kanë votuar për republikanët (në katër palë zgjedhjet e fundit 2000 – 2012), në këto zgjedhje janë të luhatura. Në anën tjetër, Pensilvenia dhe Mejn, të njohura tradicionalisht si bastione të demokratëve (në gjashtë palë zgjedhjet e kaluara), në këto zgjedhje janë të luhatura, ku tani kandidatja demokrate, Clinton, ka një epërsi të lehtë dhe jo të sigurt. Sikurse Trump ka një epërsi të lehtë në dy bastionet e tjera, të përmenduar më lart.
Për të mos dalë nga kornizat profesionale, nuk po dua të jap ndonjë prognozë se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por sipas këtyre sondazheve, ai që i fiton të paktën dy nga këto katër shtete të reja të luhatura, respektivisht Pensilvaninë dhe Floridën, të cilat edhe ashtu kanë më shumë vota elektorale, do t’i fitojë edhe zgjedhjet. /tesheshi.com/
*Autori është magjistër i shkencave juridike, e njëherësh autor i librit, “Zgjedhjet Presidenciale në SHBA – në rrugën e kontinuitetit apo ndryshimit të këtij sistemi elektoral”