Shtysën për të hedhur këto radhë në letër e pata nga një përvojë personale të këtyre ditëve në Klinikën Kirurgjikale Universitare të Neurologjisë në Spitalin nr.5. Ndonëse nuk ishte hera e parë që kisha kontakt me personelin mjekësor në spitale të tjera të Tiranës dhe që, për hirë të së vërtetës, më duhet të pranoj me kënaqësi se në këto kontakte konstatoja një komunikim njerëzor dhe një përkushtim në detyrë të mjekëve dhe infermierëve, përvoja e kësaj radhe ishe krejt e veçantë. E thënë shkurt, ishte tepër impresionuese për mua! Kjo edhe për arsyen e kuptueshme që isha jo një vëzhgues i thjeshtë, por tashmë një përfitues i shërbimit mjekësor. Shqisat e mija, si të thuash, ishin bërë më të ndjeshme se zakonisht ndaj një elementi, që në përditshmëri kalon shpesh pa i kushtuar vëmëndje, ndjenjës së ngrohtësisë njerëzore. Cilido prej personelit të klinikës që më kontaktonte qoftë për dhënie shërbimi, apo rastësisht, më buzëqeshte dhe më pyeste me ngrohtësi në se ndjeja ndonjë dhimbje apo kisha nevojë për diçka. Në veçanti, më bëri përshtypje fakti që kushdo që kalonte në korridor pranë dhomës time në reanimacion (ndarja ishte me fasadë xhami), pavarësisht në se e kishte ose jo detyrë që të kujdesej drejtpërdrejtë për mua, hynte buzëgaz, më pyeste se si ndjehesha dhe me ndonjë bisedë të shkurtër e të këndëshme më jepte ndjesinë që gjithshka ishte në normalitet. Madje në një bisedë të tillë një nga personeli më kërkoi ndjesë se mos më kishin shqetësuar nga që gjatë komunikimit me disa kolegë edhe kishin qeshur pak. Ju përgjigja se vetëm të qarat mund të shqetësojnë, kurse e qeshura veç të sjell një ndjesi të këndëshme që vjen nga induktimi i energjisë pozitive që ajo mbart. Mbas ndërhyrjes, ndryshe nga çfarë prisja, ndihesha çuditërisht shumë mirë, madje nuk kisha asnjë shqetësim, pa lere që dhimbje që jo e jo.
Si reflektim të përjetimeve të tilla, pyesja veten se çfarë kriteresh përzgjedhëse kishin përdorur në rekrutimin e një stafi të tillë që ‘rrezatonte’ jo vetëm përkushtim profesional, por edhe kapacitet në dhënien e mbështetjes psikologjike dhe ndjenjë të natyrshme humane. Dhe jam i legjitimuar që ta bëj këtë pyetje sepse jo kudo përzgjedhjet e personelit kanë dhënë rezultate që i përligjin ato. Ndoshta në ndonjë bisedë shoqërore me shefin e klinikës, Prof. Mentor Petrela, mund të kisha një përgjigje për këtë pyetje.
Një tjetër gjë që më ka bërë shumë përshtypje është se stafi i këtij spitali në tërësi shfaq në mënyrë të dukshme angazhim dhe përkushtim të lartë profesional, duke sakrifikuar shpesh edhe ditët e pushimit dhe duke punuar në të shumtën e herëve pa parë orarin zyrtar. Për të mos folur pastaj për përfshirjen aktive në konsultat e debatet profesionale (dukuri që edhe kjo nuk ndeshet kudo jashtë spitaleve!) që synojnë të gjejnë se çfarë përfaqëson çdo rast klinik në shqyrtim, cilët janë faktorët që e krijojnë apo e ndikojnë atë. Angazhimi dhe përkushtimi në këtë aktivitet kërkimor të mirëfilltë, flet edhe për kërkesat e vlerat e tyre të larta shpirtërore për të vënë në shërbim të profesionit të tyre human edhe rezultatet e hulumtimit në rafshin e interpretimeve shkencore të treguesve të siguruar nga diagnostikimet e ndryshme të rasteve klinike në shqyrtim.
Gjatë përsiatjeve e përjetimeve të tilla papritmas m’u kujtua se në media kisha parë më shumë njoftime për raste kur qytetarë të ndryshëm ankoheshin jo thjeshtë për mungesat materiale në spitalet publike, por sidomos për nivelin e shërbimit mjekësor, se sa njoftime për të vlerësuar punën e përkushtimin e personelit të shërbimit shëndetësor. Për të mos përmendur këtu edhe njoftimet e dhimbshme, tragjike të ushtrimit të dhunës ndaj personelit mjekësor, në veçanti mjekëve, në rastet kur këta të fundit nuk kanë patur sukses në përpjekjet e tyre për diagnostikimin e kurimin e disa rasteve klinike në shqyrtim. Të shkretët qytetarë që ankohen për mjekët kur përpjekjet e tyre nuk kanë patur sukses, ndërkohë që ata do të duhej t’u shprehnin mirënjohje atyre për përkushtimin, pavarësisht nga rezultati i këtyre përpjekjeve! Si një specialist i vjetër i ‘artit’ (teorisë dhe metodologjisë) së bërjes së kërkimit shkencor, mund t’i sigurojë këta qytetarë se një rezultat negativ i përpjekjeve për diagnostikim dhe kurim të pacientëve të tyre, në përgjithësi nuk tregon aspak papërgjeshmëri, moskompetencë profesionale apo neglizhencë në detyrë të tyre. Thjesht, në veprimtarinë e tyre për zbulimin e llojit të sëmundjes dhe të gjetjes së mënyrave për kurimin e suksesshëm të saj, mjekët janë në rolin e një kërkuesi që përpiqet t’i japë zgjidhje një problemi duke identifikuar disa nga shkaqet që e prodhojnë atë. Veçse për mjekët ky proces hulumtimi zhvillohet në një ‘terren tepër të minuar’, ku gabimet sado të vogla mund prodhojnë edhe pasoja të rënda për shëndetin apo edhe jetën e pacientëve. Teoricieni i shquar i shkencës, Karl R. Popper, thekson se në kërkimin shkencor vepron, në thelb, e njëjta skemë që vepron në çdo proces biologjik – ‘tentativë dhe gabim’ (‘trial and error’), kapërcim i gabimit dhe tentativë e re e kështu deri sa qenia të jetojë. Në rast se gabimi është i madh, qenia humbet jetën. Kurse në kërkimin shkencor, nënvizon Ai, një gabim i tillë shkakton ‘vdekjen’ e hipotezës së ngritur për të shpjeguar problemin në studim. Pra, si kudo, edhe në kërkimin në fushën e shërbimit mjekësor, që synon me domosdo diagnostikimin sa më të saktë të rastit klinik, identifikimin e një ose disa shkaqeve që e prodhojnë atë dhe përcaktimin e rrugëve (kurave) për zgjidhjen e tij, gabimi njerëzor (që kushtëzohet nga mundësitë e kufizuara njohëse të qenies njerëzore) është i pranishëm dhe vetëm lypset të kërkohen rrugët për kapërcimin e tij me sa më pak pasoja. Parë në këtë këndvështrim, nuk mund të pritet që mjekësia, po ashtu si dhe vetë shkenca, të bëjë ‘mrekullira’. Ato thjesht bëjnë më të mirën e mundshme në kushtet dhe nivelin e zhvillimit ekzistues të vendit. Prandaj, lypset të jemi sa më të drejtë dhe mirënjohës ndaj mjekëve shqiptarë për sakrificat që bëjnë duke ushtruar profesionin e tyre human dhe shumë të vështirë!
Fakti që mediat i bëjnë më shumë jehonë rasteve të opinioneve negative, se sa atyre pozitive lidhur me punën e stafit mjekësor të spitaleve publike, mund të ketë shumë arsye, gjë që e ka konstatuar me mjaft profesionalizëm në një nivel përgjithësues studjuesi Gjokutaj në një artikull të botuar disa ditë më parë në këtë gazetë. Personalisht këtu do të doja të theksoja më shumë nevojën që ka një shoqëri si e jona, e cila në masën afro 80-90% karakterizohet nga një profil vleror jo shpirtëror (‘të mbijetesës’, siç e cilëson atë studjuesi Ronald Inglehart), për afirmimin dhe nxitjen e përqafimit të vlerave shpirtërore nëpërmjet vlerësimit më të spikatur mediatik edhe të rasteve që nxjerrin në pah punën vetmohuese të mjekëve shqiptarë në spitalet publike.
Sqarim: Shkimi u muarr nga faqja në FB e Profesorit të njohur universitar Aleksandër Kocani.
Para shkrimit, ai kishte dhe këtë shënim pararendës:
Po postoj një artikull që kisha dërguar më 24.11.2019 për botim te një gazetë, por që, me sa duket, tërmeti e ‘nxorri jashtë loje’. Nëpërmjet tij nuk doja thjesht të shprehja mirënjohjen time personale për shërbimin e shkëlqyer që më ofruan në spitalin nr.5, por të përpiqesha sado pak të shlyeja një borxh të madh që i ka opinioni shqiptar personelit mjekësor të spitaleve publike për sakrificat dhe përkushtimin e tyre humanitar.
Nga ana tjetër, të kontribuoja për vetëdijësimin e këtij opinion edhe për pritmënite realiste që duhet të ketë ndaj shërbimeve shëndetësore publike në vendin tonë. Personeli mjekësor nuk mund të bëjë mrekullira, po ashtu siç nuk mund të bëjnë mrekullira edhe shkencëtarët!! Në mjekësi, ashtu si në çdo veprimtari njerëzore, gabimi dhe dështimi janë pjesë e pandashme e punës së lodhshme e me sakrifica dhe për to nuk ka përse të fajësohet askush!