Zoti, familja, kombi! Një trinom i pandarë për shekuj, që nis dhe mbështetet te Kreatori i gjithckaje, Qenia, Supreme, Absolute. Sigurisht që i Pari dhe themeli i këtij trinomi, është Krijuesi që nuk ka nevojë për askënd dhe për asgjë, por familja dhe kombi nuk mundet të ekzistojnë pa këtë themel, tek i Cili buron ekzistenca e tyre. Zoti nuk është vetëm burimi i ekzistencës së njerëzve dhe të gjithë krijesave, por është gjithashtu burimi i harmonisë së universit, burimi i moralit, drejtësisë, dhembshurisë, mëshirës, tolerancës, dashurisë dhe të gjitha parimeve dhe virtyteve të bukura, pa të cilat nuk do të ekzistonte shoqëria njerëzore dhe nuk do të kishte mbarëvajtje.
Ne si muslimanë dhe si besimtarë në Zot, jemi të bindur plotësisht se njeriu është fryt i krijimit. Njeriu erdhi në këtë botë si krijesë e Zotit dhe më pas, Ai e çiftoi atë, duke krijuar nga i njëjti lloj bashkëshorten e tij, dhe përmes tyre krijoi familjen dhe më pas lindën fiset edhe popujt e termi kombet eshte shume me i mevoneshem.
Kurani, e thotë: “O njerëz! Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, që të njiheni mes jush. Nuk ka dyshim se më i miri tek Allahu është më i devotshmi në mes tuaj.”
Pra, çdo gjë nis me Krijuesin, është Ai që i krijoi njerëzit përmes një mashkulli dhe një femre, duke vendosur kështu themelet e familjes që në gjenezën e saj dhe duke bërë të natyrshme vetëm këtë formë lidhjeje sociale dhe asnjë të dytë. Mashkulli dhe femra, pra burri dhe gruaja janë themeli nga ku lind familja, dhe nga ku lindin më pas fëmijët, fiset, popujt dhe kombet.
Sipas fjalëve të Zotit, ndarja e njerëzve në fise e në popuj është e qëllimshme, sepse përmes kësaj hierarkie ndarjeje, njerëzit njihen dhe organizohen më mirë, përmes kësaj ndarjeje ata zhvillojnë kulturën, gjuhën dhe etninë e tyre përkatëse, duke mbushur kështu botën me larminë e madhe e të bukur shumëngjyrëshe të njerëzve, që në thelb demonstrojnë fuqinë e pafund krijuese të Zotit.
Dhe pikërisht përmes pranimit dhe njohjes së kësaj larmie, ne njohim më mirë Krijuesin tonë dhe e vendosim marrëdhënien tonë ndërnjerëzore mbi bazat e parimeve morale dhe jo ato raciste dhe përjashtuese. Ashtu siç Krijuesi thotë duke tërhequr vëmendjen se dallimet njerëzore, të fiseve dhe kombeve, të racave dhe vendeve, edhe pse janë të qëllimshme, askush nuk ka më shumë vlerë sesa tjetri për shkak të kësaj prejardhjeje që nuk është zgjedhja e tij, por e Zotit, por ndërkohë, ajo që ka vërtet vlerë për njerëzit e të gjitha fiseve dhe popujve, kombeve dhe racave, është pikërisht devocioni ndaj parimeve që Zoti na ka urdhëruar.
Shoqëritë tradicionale për mijëra vjet kanë pasur në themel të tyre këto parime, edhe pse si njerëz, ata shpesh kanë gabuar në zbatimin e kritereve morale, mbi të cilat është ngritur shoqëria njerëzore, por feja dhe mësimet e Zotit ishin gjithmonë aty, për t’iu kujtuar atyre këto parime, pa të cilat shoqëria njerëzore nuk mund të ekzistojë dhe nuk mund të ketë mbarëvajtje.
Këto parime i kanë pasur në shpirt, në mend e në gojë, edhe etërit e kombit shqiptar, muslimanë e të krishterë, kur thoshin “për fe e atdhe”, duke mos e ndarë besimin në Zot dhe fenë asnjëherë nga ndërtimi i këtij kombi.
Për ta ilustruar këtë, mjafton të përmendim fjalët e ideologut më të madh ndoshta të Rilindjes Kombëtare, Sami bej Frashërit, i cili në manifestin e tij kombëtar “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (f. 96) shprehet: “Të mos rrimë më të mpitë e të ngrirë, të lëvizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim dëlirë në udhën e Perëndisë, në udhën e së drejtës;
PERËNDIJA, E DREJTA, KOMBI, GJUHA!
SHQIPËRIA, SHQIPTARIA!
Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruar! Ja besa jonë! Gjithë ata që kanë këtë qëllim janë vëllezërit tanë!”
Kjo tregon se nacionalizmi shqiptar, besimin në Zot e kishte pjesë jetësore të tij, fakt ky, që është injoruar qëllimisht nga historiografia zyrtare, sidomos ajo komuniste, me të cilën janë formuar një pjesë e madhe e brezave të sotëm. Sami Frashëri këtu, para kombit dhe Shqipërisë vendos Zotin dhe drejtësinë, dhe nuk i sheh si të ndarë prej tij. Madje fakti që i vendos të parët, tregon pikërisht atë, se një komb e një shtet nuk mund të ngrihet pa pasur në themel të tij së pari besimin në Zot dhe parimet morale, siç është drejtësia. Pra në thelb, besimi në Zot dhe parimi moral i paraprijnë në aspektin moral kombit dhe përkatësisë etnike, qoftë kjo shqiptare apo diçka tjetër, sepse ne, së pari jemi qenie humane që kemi nevojë t’i japim kuptim jetës dhe të jetojmë si njerëz e të jemi të drejtë, para se të jemi shqiptarë dhe të kemi gjuhën, traditat dhe zakonet tona.
Kështu që slogani “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, përveçse është formuluar në një kontekst të caktuar historik, që synon të nxisë bashkimin e shqiptarëve, nuk ka aspak si qëllim të përcaktojë themelet e ndonjë feje me emrin “shqiptari”, por të mbrojë identitetin kombëtar shqiptar dhe tërësinë territoriale të shqiptarëve nga zhbërja që i rrezikohej nga shovinizmat fqinjë dhe ndasitë fetare. Madje vetë autori i këtyre vargjeve, Vaso Pasha, thotë në po të njëjtën poezi, duke e mbyllur atë, thekson se mungesa e atdhedashurisë dhe sakrificës për të, është turp para Zotit:
“Asht tok’ e jona, t’parët na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara Zotit”.
Familja e kombi nuk janë pra thjesht konstrukte sociale, që përmbushin nevojat materiale të njeriut në këtë botë, ato janë gjithashtu prehje shpirtërore dhe emocionale, janë identiteti i njeriut, dhe ato marrin kuptim vetëm përmes besimit në Zot, se ato janë dhurata të Tij, ndaj dhe duhen ruajtur me ‘fanatizëm’ në natyrshmërinë e tyre, me të cilën janë ruajtur për shekuj me radhë.
Fakti që ky trinom i natyrshëm: Zot, familje, komb, i kanë rezistuar historisë për mrekulli për mijëra vjet, është një provë e pakundërshtueshme, se çdo eksperiment dhe inxhinieri humanoido-sociale që synon të dëmtojë apo shpërfytyrojë këtë natyrshmëri, duke cenuar besimin në Zot ose familjen tradicionale, të natyrshme dhe vendosur mbi atë parime të tjera, rrezikon jo vetëm zhdukjen dhe zhbërjen e kombit, por edhe të vetë racës dhe virtyteve njerëzore, të tilla siç i kemi njohur deri më sot.
Qoftë lëvduar, Allahu; Zoti, të Cilit i lutemi të na e ruajë besimin në Të, të na ruajë familjen dhe kombin tonë! Amin!
*Ky referimi i imamit të njohur të Tiranës u mbajt në një konferencë të Koalicionit Shqiptar – Pro Familjes, pro Jetës, iniciuar nga pastori Akil Pano.