Shumë gjëra janë përmirësuar gjatë gati shtatë dekadave mes dy vizitave zyrtare të liderëve të Shqipërisë në Beograd: Shqipëria nuk është më fushë përqendrimi e rrethuar me bunkerë, ndërsa Serbia, pas të gjitha luftërave në të cilat ka qenë e kyçur, me hapa të mëdhenj po ecën rrugës drejt integrimit evropian. Mirëpo, të kuptuarit mes liderëve të Tiranës dhe Beogradit është zmbrapsur.
Liderët e Shqipërisë dhe Serbisë kuptohen më pak se kurrë, dhe jo vetëm qenësisht, çfarë është gjë e njohur, sepse ai moskuptim dhe ato dallime janë lajme kryesore që kanë përcjellë takimin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit në Beograd, në nëntor të vitit të kaluar, por edhe teknikisht. Pohoj se Aleksandër Vuçiq nuk ka kuptuar çfarë i ka folur Edi Rama, dhe anasjelltas. Kjo gjë ka ndodhur pikësëpari, për shkak se Rama nuk e flet serbishten, por as Vuçiq nuk e flet shqipen, ndërsa ata që duhej të mundësojnë të kuptuarit mes tyre – përkthyesit – nuk e kanë plotësuar detyrën. Përkundrazi!
Pa dëshirë që të merrem me analizën e qëndrimeve të shprehura nga vetë folësit, si person që është rritur në mjedisin dygjuhësor, duke trashëguar në mënyrë të barabartë të dy gjuhët, shqipen si gjuhën e nënës dhe serbokroatishten e dikurshme si një gjuhë të mjedisit në të cilin jam rritur dhe në të cilën e kam mbaruar shkollimin tim nga shkolla fillore deri tek fakulteti, dhe të dy kultura dhe të gjitha që përbejnë njohuritë e një populli, dhe përfundimisht si person që vite me radhë në mënyrë profesionale merrem me përkthime në nivele të ndryshme, para të gjithave nga shqipja në gjuhë malazeze dhe serbe dhe anasjelltas, në mënyrë profesionale pohoj se niveli i përkthimit gjatë takimit në Beograd, së paku ajo pjesë që ishte e hapur për publikun, ishte i tmerrshëm. Përkthimi simultan i deklaratave të dy kryeministrave me cilësi të vetë nuk ka qenë në lartësi as të folësve por as vetë evenimentit.
Incizimi i konferencës për shtyp tregon praninë e së paku tre përkthyesve. Karakteristikat kryesore të përkthimit nga serbishtja në shqip janë: (1) anashkalimi i pjesëve të plota të fjalive, por edhe ka disa fjalive në radhë; (2) konstruksionet konfuze gjuhësore; (3) përkthimi i gabuar ose jo mjaft preciz, shpesh vetëm përkthimi i fjalëpërfjalshëm; (4) shkurtimi i fragmenteve vetëm në një sintagmë të thjeshtë, ku mungonte transmetimi i mesazheve të qarta dhe të kuptueshme që e kanë dërguar folësit.
Një nga shembujt eklatant të mesazheve të transmetuara në mënyrë të dobët tregohet nga fakti që në qarqe diplomatike pas konferencës për shtyp është diskutuar a e ka përdorur një nga folësit nocionin “papërkulur” apo “pakontestueshëm”, atëbotë janë argumentuar pasojat politike të të dy nocioneve, ndonëse folësi faktikisht e ka përdorur nocionin “pandryshueshëm” – që në kontekstin përkatës nuk është as afër nocioneve të lartpërmendura.
Kështu, vizita e Kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, që nga mediat u quajt “historike”, në vend që të kontribuoj shkrirjes së marrëdhënieve të acaruara mes dy popujve më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor, çfarë do të ishte në interes jo vetëm të Ballkanit, por të Evropës në tërësi – procesi është rikthyer prapa, mes tjerash, edhe për shkak të përkthimit të papërshtatshëm që pa dyshim ka kontribuar fjalëvrazhdësisë së pazakonshme të dy kryeministrave gjatë konferencës për shtyp.
Duke pasur parasysh se Beogradi, qendra intelektuale dhe universitare rajonale, ka qenë foleja e përkthyeseve gjigant të shkollës jugosllave për gjuhë të ndryshme, të cilët e kanë pasuruar vendin me përkthime magjepse të veprave të letërsisë botërore dhe të cilët njëkohësisht mbi supet e veta i kanë mbajtur takimet e panumërta diplomatike në nivelin më të lartë, ka qenë e pritur që për nevoja të përkthimit gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar, që ndodh në momentin shumë të ndjeshëm politik, do të angazhohen përkthyesit simultan më të zhdërvjelltë, që, së paku gjatë konferencës për shtyp, të evitohen lëshimet, paqartësitë dhe/ose keqinterpretimet.
Marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Serbisë, që, me ndihmë të përzemërt të tabloideve të etur për sensacione si dhe veprimtarëve ekstrem dhe komentuesve të ndryshëm politik nga të dy anë janë tejet të acaruara, më datën 10 Nëntor 2014 e kanë fituar edhe një komponentë vështirësuese – pikërisht atë që duhej të siguroj të kuptuarit më të lehtë dhe më të thjeshtë. Dhe çfarë të bëjmë në raste kur përkthyesi në vend që të jetë “trapaxhiu që përmbajtjen e fjalëve të folura duhet ta kaloj përmbi lumit të moskuptimit nga bregu i një gjuhe tek bregu i gjuhës tjetër” transformohet në Haronin, dth. bëhet ai që Kuptimin e kalon në Skëterrë?
As pajisjet teknike nuk mund të janë arsyetim për atë çfarë ndodhi në Beograd para sa muajsh. Kjo për shkak se vizita e parafundit e kryeministrit shqiptar në Beograd ka qenë në vitin 1946, në kohë kur në Nuremberg janë gjykuar nazistët. Pikërisht gjatë këtij procesi gjyqësor, me mbështetje të kompanisë amerikane IBM, u promovua përkthimi simultan, sipas modelit që njëzet vite më parë u përdor gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Punës. Nga kjo kohë teknika e përkthimit është bërë e përsosur. Në botë – po, por pa dyshim jo edhe në rajonin tonë.
Ku është, pra, thelbi i problemit? Përgjigja është në atë që burokratet e quajnë “faktori njerëzor”. Përkthimi simultan, këtë e din çdokush që merret seriozisht me këtë formë të përkthimit, paraqet një proces gjatë të cilit në mënyrë paralele zhvillohen disa aktivitete të ndryshme, nga dëgjimi, përmes analizës së përmbajtjes, parashikimit të atyre që nuk janë thanë, përkthimit në gjuhë përkatëse dhe vetë të folurit, shqiptimit.
Përkthyesi simultan në situata kur atmosfera është tejet e brishtë ose e ndjeshme, nuk është vetëm personi që i njeh dy gjuhë, por personi me aftësi që fjalët e folura në një gjuhë njëkohësisht ti transmetojë në gjuhë tjetër duke i përshtatur frymës së asaj gjuhe në mënyrë që pranuesi i mesazhit të ketë përshtypje që ato fjalë janë folur ashtu edhe në gjuhën nga e cila përkthehet. Përkthyesi, simultan apo konsekutiv, ekziston vetëm në funksion të ndërmjetësuesit, ose siç e kanë quajtur në gjuhë franceze truchement apo trucheman.
Kush nuk e beson, le ta pyesin të mjerin përkthyes nga Çekia që ka turpëruar shumë vetën por edhe vendin e vetë kur në Pragë Madlen Olbrajt, që është lindur në Pragë, së pari disa herë e ka përmirësuar dhe pastaj ka kërkuar të heshtin dhe ka vazhduar fjalën në gjuhë angleze dhe pastaj edhe në gjuhë çeke – në gjuhë në të cilën i ka folur edhe fjalët e para në jetën e saj!
Roli esencial i përkthyesit, simultan apo konsekutiv, si ndërmjetësuesit amorf, përjashtimisht në funksionin e transmetuesit të mesazhit dhe asnjë gjë më shumë se kaq, është pasqyruar më së miri në anekdotë të famshme nga Tetori i vitit 1986. Përgatitjet për Samitin historik të liderëve të SHBA dhe Bashkimit Sovjetik, në Islandë, kanë zgjatur gati një vit.
Armiqtë e Luftës së Ftohtë në mënyrë precize dhe pedante kanë përpunuar çdo detaj, nga kolltukët dhe drejtimet ku do të janë të kthyer folësit deri tek vjetërsia e druve me të cilat do të ndizet zjarri i oxhakut. Të dy palët ishin të kënaqura me ecurinë e Samitit, dhe në një moment janë thyer suazat e ngurta të protokollit, siç edhe ndodh shpesh. Personalitet me sharmë siç ishin Regani dhe Gorbaçovi kanë vazhduar në atë drejtim duke shkaktuar shumë kokëdhimbje për protokollin dhe sigurinë e të dy palëve.
Ashtu, në një moment të paplanifikuar, pranë Reganit është gjetur vetëm përkthyesi i liderit sovjetik i cili, edhe kundër rregullave që thonë se për çdo president përkthen përkthyesi i tij personal, me qetësi ka vazhduar të kryej punën e vetë – përkthimin për të dy presidentë. Kanë vendosur që mos të ndërpritet biseda, ashtu që kjo treshe i ka kaluar dhjetë minuta në një bisedë joformale. Biseda e paplanifikuar ka përfunduar dhe kthimi në suaza protokollare është bërë nga presidenti Regan, i cili me manierizëm Holivudi i ka thanë përkthyesit sovjetik: Keni qenë i mrekullueshëm, as që e kam vërejt praninë tuaj! AMDG!
*Shkrimi është botuar në një nga mediat më prestigjoze online të Beogradit “Pescanik” dhe po ribotohet nga “tesheshi.com” pasi nuk është marrë nga mediat në gjuhën shqipe. Agron M Camaj është jurist dhe filolog, punon si përkthyes profesionist nga shqipja në sllavisht dhe anasjelltas në Podgoricë. Ai ka marrë pjesë në takime të rëndësishme mes krerëve shtetërorë, politikë dhe kulturor të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Titulli është i redaksisë.