Me dashje ose jo, Neymar bëhet çështje ngado shkon. Së fundmi, emri i tij është kthyer në dhembje koke për presidencën e PSG.
Shumëkush mund të habitet me këtë konstatim, sepse skuadra po bën shumë mirë në kampionat, ku ka fituar 6 ndeshje në 6 të luajtura e ku Neymar po shkëlqen e dëfrehet. Pikërisht ky është “problemi” i ri që ka dalë për klubin parizien: fanella e Neymar është “stërshitur” dhe në dyqane vështirë se mund të gjesh bluzë me numër 10 të PSG-së.
Shitjet kanë qenë të menjëhershme dhe dyqanet ku është shpërndarë fanella e Neymar, kanë rritur me 75 përqind. Nga ana tjetër, sipas informacioneve që ka marrë sektori i marketingut pranë klubit nga Parisi, një furnizim tjetër me fanella do të ketë vetëm në muajin nëntor. E diçka e tillë i ka shqetësuar drejtuesit e klubit, të cilët nuk e kishin parashikuar këtë “boom” shitjesh, e nga ana tjetër, nuk mund të lënë dyqanet pa bluzën e lojtarit më të famshëm të tyre.
Kostoja e arkëtuar deri tani nga PSG ka qenë 8 milion euro, por shifrat duhet të jenë edhe më të larta.
Nga ana tjetër, PSG duhet të jetë “korrekt” nga pikpamja financiare, edhe me rregullat e caktuara nga FIFA, e cila e ka në vëmendje këtë klub, për shifrat stratosferike që shpenzoi në merkaton e verës. Sido të vijë puna, ai “dreq” Neymar e ka të gjithë fajin: luan aq mirë e argëton aq shumë, saqë të fut në bela për të gjetur një fanellë të tij në dyqan. /tesheshi.com/