Nga Ylli Pata
Zbulohen prapaskenat e negociatave mes ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Shqipërisë: Kotzias dhe Bushati, që u zhvilluan sot në Tiranë.
Tesheshi.com ka arritur të sigurojë disa prej asaj pjese të rezervuar që është lënë larg syve të publikut.
Siç mësohet, ministri i jashtëm grek, Nicolas Kotzias, ka mbërritur sot në Tiranë me një plan konkret për të shantazhuar qeverinë shqiptare me veton e saj në Bashkimin Europian, nëse do të ngrinte çështjen çame apo do të shtronte zyrtarisht heqjen e ligjit të luftës, siç kishte deklaruar Edi Rama të shtunën publikisht para përfaqësuesve të komunitetit çam.
Por, kësaj performance të Athinës, Bushati i është përgjigjur me një shtrim dhe përforcim të çështjes çame dhe rrjedhimisht kërkesës për heqjen e ligjit të luftës mes dy vendeve.
Shefi i diplomacisë greke, ka përsëritur të njëjtin qëndrim që mban këtu e tre vjet, duke thënë se ligjin e luftës e ka hequr me një deklaratë kryeministri i vitit 1987 Andreas Papandreu, i cili shkriu akujt me Shqipërinë e Enver Hoxhës, ndërsa qeveritë e 30 viteve të fundit nuk kanë arritur dot të arrijnë atë nivel.
Por, burime diplomatike thanë se përveç kërcënimit, Ministri i jashtëm grek ka paraqitur një peticion të intelektualëve të zonës së Bregut që akuzojnë qeverinë shqiptare se u ka marrë pronat, duke e konsideruar veten si minoritar.
Siç mësohet në këtë listë, të mbledhur prej ditësh nga Fredi Berberi, ish-kandidati i PBDNJ-së për kryetar bashkie në Himarë dhe nja dy gazetarë të njohur në Tiranë, rezultojnë emra të njohur edhe të letrave që janë me origjinë nga Bregu, por që për 20 vite kanë marrë pension nga Greqia dhe aktualisht kanë edhe shtetësinë greke.
Bushati, duke i dhënë përfundimisht përgjigjen i autorizuar nga kryeministri Edi Rama, i ka bërë të ditur se pa heqjen e ligjit të Luftës “de juro” Tirana nuk avancon dot marrëdhëniet me Athinën.
Ndërkaq, siç mësohet për çështjen e kufirit detar është folur shumë, por po mbahet çdo gjë sekret.
Një kompani ruse që pritet të kërkojë naftë në ujërat greke dhe një kompani amerikane që do të kërkojë naftë në ujërat shqiptare do të negociojnë për ndarjen e të ashtuquajturit “shelfit kontinental” duke u bazuar në hartat precize gjeologjike.
Këtë pati parasysh edhe ministri shqiptar Ditmir Bushati, kur theksoi se “Do të zbatojmë pikë për pikë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Megjithatë, ardhja e rusëve në Greqi, ishte edhe arsyeja e vizitës në Athinë të Presidentit rus Vladimir Putin, i cili shkon në Greqi për të dytën herë brenda një kohë të shkurtër.
Në një farë mënyre, Putin ka hapur çështjen e diskutimit të Paktit të Jaltës, sipas të cilit Stalini ia dha përfundimisht Greqinë Perëndimit.
Por rikthimi i Putinit, duke përkrahur një nga trashëgimtarët e komunistëve grekë, sot kryeministri Alexis Tsipras, ka shqetësuar NATO-n dhe kryesisht anglo-amerikanët.
Ndaj dhe çështja e delimitimit të kufirit me Shqipërisë po kthehet në një problem ndër-aleat.
Mësohet se Edi Rama ka mbështetjen e fortë të SHBA-së dhe vendeve të NATO-s që të mos bëjë asnjë hap prapa në çështjen e detit, pasi përndryshe pjesën më të madhe të naftës që besohet se ekziston poshtë detit, do ta merrte Greqia.
Ndaj duke parë këtë situatë, ministri i Jashtëm Grek, Kotzias erdhi në Tiranë për të shantazhuar Shqipërinë me veton e saj në BE, që vendos a hapen apo jo negociatat.
Dhe pikërisht në këtë atmosferë, Tirana organizoi protestën e madhe të PDIU-së para ministrisë së Jashtme, e cila ishte një goditje e fortë për Athinën, që e vë qeverinë greke para një presioni publik.
Por në fakt një gjë mund të thuhet për vizitën e sotme të ministrit të jashtëm grek në Tiranë: të dyja palët treguan vullnetin për t’i mbajtur marrëdhëniet në situatën aktuale dhe jo për ti çuar ata në një nivel më të mirë.
Përveç biznesit për çështjen e naftës në det, palëve pak u intereson për marrëdhëniet mes dy palëve, me të cilat realisht kurdisin një show me mirëkuptim. /tesheshi.com/