Ka prej natës së mbrëmshme që në rrjetet sociale, ata që quhen “artileri e rëndë” nga krahu i Lulzim Bashës po sulmojnë Edi Ramën që ka lëshuar aq shumë pe nga pozicioni i tij fillestar dhe glorifikojnë kreun e PD-së që ka mbetur intrasigjent në “frëngjinë” e tij të qeverisë teknike.
Në fakt Edi Rama lëshoi shumë mbrëmë me dy negociatorët që jo rastësisht ishin gjermanë, të dy aleatë në qeverinë e Angela Merkelit, duke nisur që nga data e zgjedhjeve që pranoi t’i shtyjë për gati një muaj, aq sa e kishte kërkuar publikisht Nard Noka; ndryshimin e disa ministrave; kreun e KQZ-së, emërimin e 12 shefave të policive nga PD me ndërkombëtarët etj., pra një përulje ndaj 12 pikave të draftit që sollën negociatorët.
Bisedimet apo procesi i një kompromisi bazën e saj e ka pikërisht tek tërheqja e palëve apo lëshimi për të krijuar një bazë konsensusi.
Edhe pse steka mund të jetë e ngritur lart, ka gjëra që quhen të negocueshme dhe të tjera që quhen të diskutueshme. I panegocueshëm mbetet vetëm parimi, që në këtë rast janë zgjedhjet e lira, të cilat me garanci ndërkombëtare mund të krijojnë një ambient ndoshta jo besimi por kontrollimi.
Ky lëshim nuk ishte i vetmi i bërë nga Edi Rama jo vetëm këto 4 vite në pushtet por edhe gjatë kohës kur ishte në opozitë.
Le t’i marrim me radhë:
Mazhoranca e Partisë Demokratike që edhi me votë në vitin 2005 nuk kishte shumicën e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e Republikës.
Në vitin 2007 pas mbarimit të mandatit të Alfred Moisiut, Rama hyri në negociata së bashku me partitë aleate dhe kërkoi një proces konsensusi për kreun e shtetit.
Por Berisha nxori në skenë Bamir Topin që i mori PS-së 5 deputetë për të votuar kryetarin e shtetit.
Ky akt politik tronditi vullnetin përfaqësues që opozita kishte në Kuvend për të kontrolluar mazhorancën.
Shumica i mori të gjitha.
Në vitin 2008, Edi Rama hyri në negociata me messenger hotmail-i me Sali Berishën dhe vendosën që të ndryshojnë Kushtetutën dhe të vendosin sistemin spanjoll në zgjedhje me ndarjen rajonale në 12 qarqe.
Ky kompromis i Ramës me Berishës qëlloi i favorshëm për Kryeministrin dhe i pafavorshëm për opozitën.
Kjo pasi Edi Rama kërkoi vetëm një gjë, që Berisha ia garantoi si pakt gentelmenësh: që KQZ-ja të mos votojë vendimet apo aktet normative me 4 vota por me 5.
Ndaj dhe PS dha votat për të zgjedhur Arben Ristanin kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve të 2009-s kur rezultati doli thuajse pat e pat, Edi Rama kërkoi rinumërim në disa qendra votimi apo hapjen e kutive të materialeve zgjedhore në disa të tilla.
Por as kjo kërkesë nuk u pranua.
KQZ-ja e Ristanit i mori të gjitha veprimet 4 me 3, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor mori vendime të diskutueshme duke shkelur rregullin që asnjë vendim në KQZ nuk merret me 4 vota.
Pas kësaj opozita shpalli protestën e famshme “Hap kutitë ose largohu!”.
Madje hyri edhe në grevë urie për 12 ditë kur u instaluan çadrat para kryeministrisë. Gjatë këtyre ditëve u bllokuan edhe rrugët nacionale në disa akse.
Por Parlamenti Europian mori një nismë negocimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës duke organizuar darkën e famshme në restorant “Krokodili” në Strasburg.
Darka u nda pa kompromis, por Edi Rama doli nga çadra e greva duke thënë se “kauza jonë u ndërkombëtarizua”.
Ndërsa Berisha jo vetëm që nuk u tërhoq por edhe dogji të gjitha fletët e votimit në një akt demonstrativ në transmetim live.
Rama përshkallëzoi protestat e cila arrriti kulmin më 21 janar 2011 pas videos Meta-Prifti.
Protesta e PS-së ishte e dhunshme pasi disa skalione të saj u përleshën me policinë.
Por pas dy orësh ku u dogjën dhe goma e makina përreth, turma nisi të largohej.
Në këtë moment trupat e gardës qëlluan me armë zjarri dhe vranë 4 qytetarë në bulevard: Ziver Veizin, Aleks Niikën, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn.
Asnjëri nga të vrarët nuk ishte në skalionin e përleshjeve.
Berisha kërcënoi Edi Ramën publikisht se nëse do të kishte konfrontime trupat e gardës do të qëllonin edhe mbi vetë atë.
U kryen zgjedhjet lokale të 8 majit 2011. KQZ i mori Ramës fitoren numerike të Tiranës duke ia dhënë Lulzim Bashës postin me një proces që nga OSBE-ODIHR u cilësua si “ekstra ligjor”.
Kreu i opozitës së atëhershme shkroi “Kurban”-in, futi deputetët në Parlament dhe nisi një proces drejt ardhjes në pushtet.
Por Berisha nuk u ndal. Në vitin 2012 zgjodhi President të Republikës, anëtarin e kryesisë së PD-së, Bujar Nishani, i cili në ditët e para në detyrë emëroi shefin e shërbimit sekret të afërt me Berishën dhe shkarkoi Kryeprokuroren Ina Rama duke e zëvendësuar me Adriatik Lallën.
Konceptoi Rilindjen dhe për herë të parë përgatiti një program të plotë elektoral.
Me ardhjen në pushtet, përplasja nisi menjëherë. Opozita sulmoi Edi Ramën që në fillim duke e akuzuar se kishte ardhur në qeveri me vota të vjedhura, edhe pse opozita u tërhoq fare nga KQZ.
Si shembull u dha Lezha ku u numëruan votat nga e para.
Rrahja e Gent Strazimirit nga Arben Noka, të qëlluarit me armë nga Armando Prenga në Laçc dhe arrestimi i deputetit Mark Frroku solli Lulzim Bashën në ofensivë, i cili arriti që t’i marrë Edi Ramës një ligj dekriminalizimi që ishte shkruar thuajse posaçërisht për njerëzit që ndodheshin në krahun e Ramës.
Kryeministri e pranoi, megjithëse pa bërë ndryshime në drejtësi apo shërbim sekret.
Me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve nisi reforma në drejtësi, e cila u shkrua thuajse totalisht nga SHBA-BE.
Por në procesin e miratimit PD e bojkotoi dhe ishte gati të mos e votonte.
Edi Rama kërkoi takim me Lulzim Bassën dhe i tha: “Shkruaj me letër të bardhë gjithçka, nëse ta pranon SHBA e BE unë jam gati të pranoj çdo kërkesë të opozitës”.
Dhe në fund u pranua fakti që opozita do të ketë kontrollin e 50 të komisioneve të vettingut.
Në fakt këtu Edi Rama ngeci, pasi Basha nga 18 shkurti shpalli bojkotin e gjithçkaje, e mbi të gjitha votimit të Vettingut. /tesheshi.com/