Nga Memedali Jusufi
Nebi Mërseli, gazetar, analist politik që jeton në Kanada, ka dhënë një intervistë të tij për portalin ‘tesheshi.com’, duke bërë një rezyme të asaj se çfarë po ndodh në Maqedoni dhe se ku i ka rrënjët kjo krizë. Krahas Gruevskit si fenomen, ai e drejton gishtin dhe tek partitë politike shqiptare, e më konkretisht tek dyshja Ahmeti – Thaçi, për atë se çfarë i ka gjet shqiptarët sot nën Gruevskin…
“Afera e përgjimeve“ nxori në pah edhe një herë rastin e gazetarit Mladenov, më herët kishim Kezharovskin të burgosur nga njerëzit me pushtet të fortë, dhe shtrohet pyetje se ku është etika, profesionalizmi, edhe pse as që mund të bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të gazetarit?
Po qe se analizohet e tëra çfarë është publikuar nga kjo aferë, nga këto “bomba” të hedhura të opozitës, në fakt, nuk është edhe ndonjë befasi, sepse rezultatin e veprimeve të kësaj garniture pushtetare e kemi të njohur. Pak rëndësi kanë fjalët që po zbardhen ndër bashkëbiseduesit, kur tërë publiku dhe mediat e kanë njohur sistemin e funksionimit të Nikola Gruevskit. Me pak fjalë, një kontroll i rreptë mbi kundërshtarët, shtim zullumi ndaj atyre që nuk binden.Vetë përzgjedhja e Latasit si spin doctor le të kuptojë se VMRO-DPMNE e Gruevskit është futur në kthetrat e politikës ekspansioniste neoserbe.
Kujtoj vitin 2003 kur në hotel Panorama në Shkup u zgjodh Nikola Gruevski kryetar partie. Atëbotë, ai u bë kryetar me pëlqim formal të Ljubço Georgievskit, por brenda në parti kishte pakënaqësi të mëdha. Nuk e donin Gruevskin lider, por erdhën njërëzit e Gazda Nini nga Beogradi, të cilët kërcënuar delegatët dhe në fund fitoi ky. Që nga ajo kohë përgatitej terreni për funksionim. Shto këtu edhe lidhjet nëntokësore të kushërinjve Mijalkov me nëntokën e Beogradit.
Shumë lehtë e patën rrugëtimin në eleminimin e mediave të pavarura.E kuptuan se Velija Ramkovski është pengesa kryesore. E sakatosën. Të tjerët ulën zërin dhe nuk guxonin të hapnin gojën. U mbeti Nikola Mladenovi. Me gjasë ka diçka të dyshimtë në vdekjen aksidentale të tij. Dhe, Kezharovski e hëngër burgun pse pati guximin të hetojë vdekjen e një kolegu. Pra, ishte vetëm në shërbim të profesionit.
Natyrisht se nuk mund të flitet për liri të mediave, përderisa ato mbyllen ose detyrohen të mbyllen për shkak të ndërhyrjes së qeverisë. Zatën nuk është rastësisht rënia drastike e pozicionimit të Maqedonisë në lirinë e mediave.
Larg mendsh se, në këto rrethana kur hesht e tërë shoqëria nga frika e reperkusionit nga fjala e thënë, mund të flitet për profesionalizëm dhe etikë në përgjithësi në jetën shoqërore, e në media në veçanti. Kemi të bëjmë me shitjen e shpirtit djallit! E ata pak gazetarë dhe media që po mundohen t`i bëjnë ballë pushtetit janë shënjestër potenciale për pushtetin e Gruevskit.
Keni bërë kritika në adresë të disa politikanëve, hipokrizinë e tyre, kur ishin afër jush thoshin “budallenj” për luftëtarët e UÇK-së, më pas nuk zgjodhën mjetet që të futen me ta bashkë në një ombrellë….
Nuk janë kritika. Më shumë i kisha quajtur mbamendje. Sepse aq shumë është përzier qulla pas 2001 sa që është vështirë ta njoh qeni të zotin. U bë një luftë e pakuptimtë në plotë kuptimin e fjalës. U bë luftë pa kushtrim! Dhe, kjo është që më së shumti duhet trajtuar. Ali Ahmeti ka bërë luftë tinzare. Më kujtohet në intervistën që e kisha për numrin e Vitit të Ri 2002 të gazetës Fakti: e pyeta Ahmetin për motivet e luftës që kishte bërë. Tha se para se të kriste luftën kishte shkuar te Arbën Xhaferi dhe Abdurrahman Aliti. I kishte pyetur se cfarë kanë ndërmend të bëjë për të ndryshuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. I kishin thënë se kaq ka qenë maksimumi që është mundur të nxirret nga maqedonasit. Ndërkohë thotë se kishin filluar të dekonspirohen bunkeret e armatimit qe i kishte “instaluar” në Karadak. U bë çfarë u bë për gjashtë muaj dhe Maqedonia shpëtoi falë UÇK-së. U nënshkuar Marrëveshja e Ohrit. U çarmatos UÇK. U formua Këshilli Koordinues i partive shqiptare. I njëjti u sulmua me predha. Ali Ahmeti formon parti. Madje e kisha ekskluzive në Koha Ditore shkrimin për formimin e partisë së tij. Ishte edhe Rufi Osmani në parathemelim, por kur hetoi se do të mbetet nën hijen e Ahmetit, u largua.
Pas formimit të BDI-së, aty u vërsulën “i hunit e i konopit”. Thjesht Ahmeti kishte nevojë për numra e jo për cilësi apo proviniencë. Jorastësisht aty e gjetën veten edhe shumë njerëz të dyshimtë, fëmijë të njerëzve që kishin punuar për pushteti e mëparshëm.Aty e gjetën vetën edhe Teuta Arifi e Nevzat Bejta për shembull.Pasojat e një konglomerati të tillë po e përcjellin BDI-në edhe aktualisht.Është parti e njerëzve lakmitarë që nuk janë të bindur në vetë partinë.Janë njerëz amorf që duan të përfitojnë. Dhe, as që kanë fare turp nëse Jankullovska u thotë indianë, racë e egër…. Durojnë sepse kanë mbaruar me turpin, e frikën nuk ia kanë askujt!
Si e vlerësoni krizën aktuale politike në Maqedoni, duke bërë një krahasim para vitit 2001 dhe më pas, ku “lufta për lirë“ tashmë është shndërruar në një robëri, heronjtë e luftës janë në pritje të një historibërje…?
Gjithë kjo krizë aktuale dhe vazhdimësia e turbulencës që nga ardhja në pushtet e Gruevskit ka një emërues të përbashkët: shqiptarët në pushtet. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi i morën në qafë shqiptarët. Ata ua vërsulën Gruevskin, i cili qysh nga 2006 ka kthyer Maqedoninë në “pjesëlojën e dytë” të luftës së 2001. Plot 11 vjet ai po u hakmerret shqiptarëve në mënyrë institucionale dhe shtetërore. Bëri dhe po bënë cfarë po do me shtetin. Shkupin e shndërroi në një muze të pavlerë, po luan me identitetin e maqedonasve, po ndërton shtet kishtar, e për shqiptarët as që do të dëgjojë. Sa më shumë që i ankohen shqiptarët ai aq më shumë ua shton dajakun.
Nëse kriza e 2001-ishit ishte produkt i një pakënaqësie të një pjese të shqiptarëve të cilët dikur ishin betuar për bashkimin e trojeve shqiptare, duke bërë një blitz-krieg për t’u faktorizuar në jetën politike, kriza e tanishme, ka po të njëjtin aktor. Ali Ahmeti është emër i përvecëm! Ai mund të ndal Gruevskin dhe huxhumin e tij. Po cfarë të bësh!? Ahmeti me çdo kusht po do Maqedoninë ta fusë në NATO dhe BE, ndërsa Gruevski nuk çan bythën për kahjen e shtetit.
Dalja e BDI-së nga qeveria me automatizëm do të thotë edhe rënie e këtij sistemi totalitar. Por, Ahmeti e ka thënë disa herë se po qe se del nga qeveria nuk di ku të shkojë! Jemi pengje të Ahmetit! Edhe të Thaçit po ashtu!
Ka zëra se Arbër Xhaferi është i vetmi nga politikanët që ka bërë emancipimin politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Çfarë roli mund të kenë intelektualët në politikë?
Po qe se ndalemi te Arbën Xhaferi hasim në dy personalitete: Arbën Xhaferi, si fenomenologjist dhe bartës i frymës kiergarteniane në filozofinë politike, është padyshim koka më e spikatur e një mendimtari politik ndër shqiptarët; dhe Arbën Xhaferi, si kryetar i PDSH-së, që ka hequr në zbatimin e filozofemave teorike në praktikë.
Ka bërë emancipimin e jetës politike ndër shqiptarët, por më tepër ka pas impakt ndër maqedonasit, ngase kuptuan se edhe shqiptarët kanë një intelektual të mirëfilltë që di t’i konceptualizojë fenomenet shoqërore dhe politike. E kishte vështirë të veprojë ndoshta më shumë për shkak të gjendjes së tij fizike, por edhe më vështirë e ka pasur të jetë afër Menduh Thacit, i cili nuk duron intelektualë në parti. Po qe se kishte kapur timonin e drejtuesit të vërtetë të partisë dhe drejtpërdrejt merrte pjesë në ekzekutiv, ndoshta do të kuptonim Arbër Xhaferin e vërtetë.
Ishte deputet dembel. E nënvlerësonte Parlamentin dhe veten me mosparaqitjet në debate. Sikur e ndiente veten mbi njerëzit e rëndom të politikbërjes, andaj edhe nuk ishte fare populist. Tregonte njëfarë arrogance intelektuale, dhe me këtë ka nënvlerësuar gjithë shtresën intelektuale shqiptare për të cilën ka bërë shumë pak. Përshembull, në sferën e mediave në gjuhën shqipe. Ushtroi gazetarinë me vite dhe asgjë nuk bëri për gazetarinë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Në cilësinë e intelektualit të mirëfilltë nuk ia doli të kryejë rolin e vokacionit të vet. Xhaferi ishte i pëlqyer në retorikën e tij deskriptive të gjësendeve në politikë.
Qasja neutrale ndaj fenomeve të pushtetit, duke harruar se ishte tërthorazi pjesë e pushtetit, e zbeh homo politicusin tek ai. Ishte pjesë e ngritjes së Nikola Gruevskit së bashku me PDSH-në. Me shkuarjen e Xhaferit shkoi edhe fryma intelektuale ndër partitë shqiptare. Partitë ekzistuese kanë aversion ndaj intelektualëve dhe të urtëve. Krerët partiakë më tepër parapëlqejnë kokëtullacët, muskulorët, dallavergjinjtë, matrapazët..sesa njerëz që dinë të mendojnë politikisht. Dhe kur ke një ambient të tillë i dituri hesht, sepse ka dy mundësi: t’i bashkohet politikës dhe të kapitulojë me bagazhin e tij intelektual, ose të shkruajë e të jetë në shënjestër të ushtarakut partiak të mëhallës së tij, i cili në pikë të ditës mund t’i shkrep shapulla në emër të partisë. Nuk është që intelektualët duhet të heshtin, ngase në kohëra të turbullta duhet të thonë të vërtetën, por kur ke një popull që nuk mbyllë sytë dhe veshët para të së vërtetës atëherë pritja është argumenti më i mirë.
Si e përjetoni këtë ndryshim të madh mediatik, janë ndryshuar format në këtë boom, ta quajmë revolucion kibernetik të informimit masiv, ku në vend të gazetave tashmë kemi portalet?
Nuk thonë kot se një shoqëri më së miri detektohet nëpërmjet mediave. Mediat janë pasqyra e funksionimit të një sistemi, të një shoqërie, të pushtetit, të shtetit. Kurrë nuk ka pasur media më të kontrolluara nga pushteti se sa tani. Ato edhe subvensionohet në mënyra të ndryshme nga qeveria. Shqiptarët e kanë humbur edhe luftën mediale. Partitë shqiptare kanë arritur të nënshtrojnë gazetarët shqiptarë, të cilët hasin në vështirësi të mëdha. Ndërkaq, ndryshimi i formatit të informimit mbartë në vete veti pozitive, por ka edhe dobësi të natyrave të ndryshme. Zëvendësimi i gazetave me portale është transformim i kohës. Por, në këto portale ka difekte të mëdha. Janë thyer të gjitha normat dhe parimet gazetareske. Nuk respektohet asnjë rregull i këtij profesioni. Shumica e portaleve janë copy-paste. Edhe në revolucionet kibernetike ne shqiptarëve jemi mbrapa.Andaj, impakti i mediave është i vogël. Dhe, këtë e ka kuptuar mirë Ali Ahmeti kur thotë se e kanë kot mediat, kur e kemi popullin që na voton!
Ikja e trurit nga Maqedonia vazhdon të jetë një temë aktuale. Ndërkohë, mërgata shqiptare është në mes të misionit për shkak ndihmesës për prurjen e demokracisë nga vendet ku jetojnë në Maqedoni dhe asimilimit të brezave të rinj. Si e shihni ndërlidhjen e mërgatës dhe trendit të ikjes së trurit?
Shqiptarët e Maqedonisë kurrë nuk u dalin hakësh mërgatës. Madje në pamundësi për ta ndihmuar, pushtetarët shqiptarë ua vështirësojnë ardhjen në vendlindje, duke ligjësuar me burokraci të panevojshme .Edhe përgjatë “Aferës së përgjimeve” kuptuam se maqedonasit nuk lejojnë që një shqiptar nga mërgata të investojë në Shkup. Dhe, nuk ke çfarë pret më shumë nga ky konstelacion politik. Ndërsa ikja e trurit ndër shqiptarët e Maqedonisë është e motivuar nga të palët – maqedonasit dhe shqiptarët politikë. Të përkujtojmë se, për shembull, vetëm nga shqiptarët e Maqedonisë që janë larguar nga vendlindjet e tyre, mund ttë bëhet një përfaqësuese e fortë e futbollit. Mustafi, Mehmedi, Kasami, Xhemajli… janë emra të futbollit evropian. Për cdo ditë lexojmë të arriturat e shqiptarëve nëpër gjithë botën.
Mjerisht, ky fenomen do të përndjek edhe më tutje shqiptarët, ngase këtë e duan maqedonasit dhe shqiptarët politikë. /tesheshi.com/