Nga Gëzim Hashimi
Ohh ky Vithkuqi pllaja pllaja….
Ç`bukuriiiiii, hë morreeee…
Kështu këndonin, apo thënë ndryshe ia merrnin me iso, djemtë vithkuqiotë tek filmin “Beni ecën vetë”. Sepse vërtet, Vithkuqi, është një fshat që i bukur.
Vithkuqi renditet ndër fshatrat parësorë të Korçës për potencialin turistik. Mbart deri në ditët tona histori e tradita të veçanta, ka natyrën e njerëzit që të afrojnë prehje dhe argëtim. Nuk është më pak se Voskopoja dhe Dardha për nga resurset që trashëgon. Ama, ndryshe nga këto dy fshatra tyë tjerë, cilësohet si një zonë turistike pa turistë. Probleme alla shqiptare i kanë stepur vithkuqarët të zhvillojnë sa duhet kushtet e përshtatshme për ardhjen e më shumë vizitorëve.
Duke nisur nga rruga prej afro 20 kilometra që lidhet me Korçën e që ka mbetur gjithnjë pa dore si një rrugë rurale dhe jo nacionale. Me mungesën e një masterplani e të azhornimit të pronave në fshat që u lidh duart vendasve si për ndërtime të reja edhe për shitblerje banesash.
Ngërçi që e ka mbërthyer me çështjen e pronave, pra me mungesën e tapive për banesa e toka, bëhet pengesë dhe ul interesimin e investimeve në Vithkuq. Ende nuk është ndërtuar ndonjë hotel, ndërsa tre apo katër lokale nuk ofrojnë ndonjë komoditet kushedi se çfarë. Megjithse fshati i 100 krojeve dhe 24 kishave nuk ka se si të mos tërheqë pushues atje.
Një tabelë, e vendosur diku në aksin rrugor Korçë-Ersekë, pak kilometra pasi del nga qyteti, tregon se në të djathtë të kësaj rruge ndodhet fshati Vithkuq, një nga zonat më të njohura turistike në të gjithë juglindjen. Por, kjo rrugë e amortizuar bën që gjithkush të mendohet mirë përpara se të vendosë të udhëtojë dhe të kalojë një fundjavë në Vithkuq, në fshatin jo vetëm turistik, por edhe të njohur për trashëgiminë e pasur historike dhe kulturore.
Veç natyrës së bukur, pozicionit gjeografik dhe mikpritjes tradicionale, Vithkuqi ka një pasuri të lakmuar kulturore dhe disa ngjarje të rëndësishme e lidhin atë me historinë e vendit tonë. Në këtë fshat ka lindur autori i abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi, por për këtë patrioti nuk ka një shtëpi muze.
Vithkuqi është i njohur veçanërisht për kishat dhe varrin e pagëzimit. Quhet kështu se një fëmijë i sapolindur vdiq nga të ftohtët para se të pagëzohej. Thuhet se prindërit donin që shërbesa e pagëzimit të kryhej në gjuhën shqipe dhe jo në greqisht, por nuk i pranuan në asnjë kishë dhe fëmija vdiq.
Për këtë arsye i është ngritur një varr madhështor në krahasim me varret e tjera të asaj kohe. Gjithsej fshati ka pasur 24 kisha, tani ka vetëm 14 të tilla, gjashtë prej të cilave janë monumente kulture të kategorisë së parë.Vithkuqi ze një vend të veçantë në Shqipëri përsa i përket kishave, jo thjesht për nga numri i tyre, por arkitektura e ndërtimit dhe zbukurimet.
Manastiri i Shën Pjetrit, i ndërtuar mbi një breg të bukur, ka patur edhe pasuri të madhe.Në këtë manastir, zhvillohet një panair i madh çdo 19 qershor me njerëz që vijnë nga Korça dhe fshatrat përreth. Në Vithkuq, vlerësohen si të vjetra dhe me famë edhe kisha të tjera si ajo e Kryeëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit etj.
Rreth 300 vjet më parë, fshati ka pasur shtatë lagje dhe kishte 24 mijë banorë. Midis dy luftrave botërore, Vithkuqi është djegur tre herë. Përpjekjet greke në luftën e parë botërore për ta joshur këtë enklavë të popullsisë ortodokse të rrethuar nga një tjetër popullsi e besimit mysliman, dështuan. Si pasojë, prej grekërve fshati u dogj e rrafshua krejt me masakra të papara.
Në luftën e dytë botërore, Vithkuqi u quajt ” Stalingradi shqiptar” pasi atje u përqëndrua drejtimi i luftës dhe u krijuan disa njësi të mëdha partizane. Fshati u dogj si nga italianët ashtu dhe nga gjermanët, edhe për një fakt tjetër, se nga rreth 300 familje, të gjitha u hodhën në krahun e nacionalçlirimtares.
Ndërkohë që sot aty jetojnë aktualisht vetëm 1200 banorë. Gjatë 20 viteve të fundit, shumë prej vithkuqarëve janë larguar në emigracion ose drejt Korçës apo qyteteve të tjera, pasi fshati i tyre u la si në harresë. Ata që kanë mbetur këtu nuk investojnë dot për ta kthyer këtë fshat me të vërtetë në zonë turistike, për shkak të problemeve me pronësinë.
Azis Panariti, kryetar i komunës, thotë se Vithkuqi vuan që pas viteve 1990-të mungesën e një masterplani. Ai shton se nuk janë azhornuar tokat e fshatit, si toka bujqësore edhe toka truall, dhe kjo ka ndalur në vend çdo inisiativë në dobi të mirqënies e zhvillimit.
Por, ka edhe vithkuqarë që vazhdojnë të kujdesen për fshatin e tyre dhe ta bëjnë atë një nga alternativat e turizmit për rajonin e Korçës. Vasil Shoren, një prej këtyre banorëve, e takon pranë oxhakut në lokalin e tij të zbrazur, edhe pse është fundjavë. Në këtë fshat ka vetëm tre lokale dhe asnjë hotel, dhe kjo bën që të interesuarin për turizmin këtu të hezitohen gjatë për të vizituar Vithkuqin.
Banorët ruajnë një nivel jetese cilësor, të trashëguar që nga mesjeta kur Vithkuqi ishte një qytet i lulëzuar. E veçantë dhe mjaft e pasur është kuzhina e këtij fshati me pastërmatë, trahanasë, petkave e turshive, me lakrorët me miell gruri e misri, tavave me qumështorë e perime. Në Vithkuq, mjaft interesante janë edhe veshjet me lesh dhe pambuk, të punuara me finesë në vegjë e grep nga gratë dhe vajzat vithkuqare.
Qilimat, velenxat, kuvertat, perdet e kortinkat e punuara nga duart e këtyre grave janë nga më të bukurat. Krahas natyrës malore me vlera kurative, ku duket se Vitkuqi shpalos një verë të artë dhe dimrin si parajsë, edhe këto tradita e trashëgimi e bëjnë këtë fshat një bukuri ende të fshehur të turizmit. Zyrtarë të komunës thonë se kanë paraqitur prej vitesh projektet e tyre, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje që do të nxisë hapa shprese për Vithkuqin.
Në rrethanat kur në këtë fshat nuk ka asnjë investim për infrastrukturë apo edhe lokale dhe hotele që të plotësojnë kërkesat e turistëve, këtyre të fundit iu mbetet që fundjavat apo ditët e pushimit t’i kalojnë në Voskopojë dhe Dardhë, aty ku iu ofrohen kushtet më të mira.
Ndaj për momentin, mund të këndohet vetëm me këto vargje: Ohh ky Vithkuqi halle halle…
/tesheshi.com/