Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë mblidhen sot në qytetin e Korçës, në shenjim edhe të festave të nëntorit, me pritshmëri të mëdha për firmosjen e disa marrëveshjeve të rëndësishme.
Mbledhja e dy qeverive pritet të fillojë rreth orës 16:00, në shtëpinë e Flamurit, ndërsa dy kryeministrat respektivë do të japin konkluzionet për mediat, përpara se gjithçka të përmbyllet me darkë zyrtare.
Memorandumet dhe marrëveshjet qe pritet të nënshkruhen janë ato të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në politikën e jashtme, në anëtarësimin europian, apo edhe në fushën e diasporës.
Po ashtu marrëveshje të pritshme janë:
-Marrëveshje bashkëpunimi për qendrat kulturore në Diasporë.
-Marrëveshje për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension.
-Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e ndërmarrjeve në Kosovë-KIESA dhe Agjencisë Shqiptarë të zhvillimit të Investimeve-AIDA.
-Marrëveshje për financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Diasporë.
-Memorandum bashkëpunimi mes MKRS-së dhe ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.
-Protokoll për bashkëpunim teknik dhe ekonomik në fushën e bujqësisë për njohjen bilaterale të certifikatave veterinare dhe produkteve me origjinë shtazore dhe jo shtazore.
-Memorandum mirëkuptimi për themelimin e bursës së përbashkët të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Më 28 nëntor, pritet që dy qeveritë të zhvendosen në Vlorë. /tesheshi.com/