Ndonëse çmimi i një çadre për tu mbrojtur nga shiu në tregun e Kosovës ndryshon varësisht nga cilësia, ku më e lira është 1,5 euro dhe më e shtrenjta mund të shkojë në 5 euro. Por, siç duket çadrat e tilla nuk janë të përshtatshme për punonjësit e Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë, e cila ka shpenzuar 875 euro për të blerë 50 çadra, që i bie se për një të tillë do të paguajë 17.5 euro.
Blerjen e këtyre ombrellave, MIE e ka bërë përmes procedurës së mbyllur të prokurimit, pra pa njoftim për kontratë.
Në faqen zyrtare të Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Furnizim me ombrella për nevoja të MIE-së”.
Kjo Ministri e cila për momentin është “pa zot shtëpie”, për këtë aktivitet të prokurimit nënshkroi kontratën në vlerë prej 875 euro, për të cilën thotë se ka qenë oferta më e lirë e pranuar nga tre operatorë sa kanë marrë pjesë në këtë tender të mbyllur.
Por, ministrja në fjalë e ka arsyetuar blerejen e këtyre çadrave duke thënë se ato janë të kaulitetit të lartë.
Zyra për Informim e Ministrisë së Integrimit Evropian për “Kallxo.com” thotë se 50 ombrella janë blerë me logo të këtij institucioni.
“Në bazë të kërkesës janë blerë 50 ombrella me logo të MIE-së, të madhësisë mesatare dhe të kualitetit të lartë. Ombrellat janë për qëllime përfaqësimi, si dhurata për personalitete të larta shtetërore që vizitojnë Kosovën dhe kanë takime protokollare me përfaqësuesit e MIE-së” thuhet në përgjigjen e Ministrisë. /tesheshi.com/