Bisedoi: Artlind Reçi
Gazetari Nazim Rashidi, fillon sezonin e ri të programit të tij “200” që transmetohet në Alsat, tashmë çdo të martë në ora 22.30.
Sllogani i këtij sezoni të ri është “Vendi i ideve”, dhe pikërisht për disa ide të tija e bëjmë këtë intervistë, rreth zhvillimeve të fundit dhe efektet që krijojnë atë në shoqëri. Ai thotë se klasa politike shqiptare është në krizë sepse merr si model atë maqedonase që është nën çdo nivel të politikëbërjes.
Kurse të gjithë së bashku, kanë mungesë të madhe kapacitetesh demokratike dhe përgjegjësie. Në të kundërt sipas tij, asgjë nga ajo që shohim, kund tjetër as që do të lejohej të ndodhte.
Si e vlerësoni krizën aktuale në Maqedoni?
Kriza aktuale është fillimisht rrjedhojë e mungesës së thellë të kapaciteteve demokratike. Ne si shoqëri, të gjithë, shqiptarë e maqedonas, duhet të kuptojmë se kryesisht qeverisemi nga njerëz që nuk kanë as një sens përgjegjësie ndaj publikes, rëndësisë së shtetit, njerëzve. Mungesa e këtij koncepti bën, që një strukturë e tërë, aq lehtë t’i lejojë vetes për shembull përgjime dhe veprime të cilat janë thuajse të njëjta si në librin më të famshëm të George Orwell, “1984”.
Një ilustrim: ky është libri nga i cili ka dalë termi dhe koncepti “Big Brother”. Një ambient i përgjuar në mënyrë konstante. Nga ky libër është edhe thënia e famshme “Lufta është paqe. Lira është skllavëri. Injoranca është fuqi”. A nuk jetojmë edhe ne këtë realitet? Një gjendje konstante konflikti, duke përdorur edhe tensionet ndëretnike. Degradim i lirive të njeriut, e mbështetur nga raportet relevante ndërkombëtare, dhe inkurajim i injorantëve kudo. Kjo është pamja që ne shohim, dhe mbase politika se ka të qartë se çfarë projekton. Por vetëm njerëz pa asnjë sens për qytetarin, shtetin, publiken, njeriun, mund të lejojnë degradime të tilla.
Kjo është aq e tmerrshme sa zhduk çdo lloj shprese. Dhe sërish e gjitha vjen se struktura, klasa aktuale politike, as që njeh, e ku më të përqafojë frymën e filozofëve, apo ideatorëve të demokracisë. Ne duhet ta pranojnë se udhëhiqemi nga njerëz të paditur (me përjashtime); shikoni strukturat e partive, të mbushura me njerëz me dije të dyshimta, të cilët gjithçka interpretojnë sipas interesave të tyre. Ky është realiteti, i cili prodhon këtë gjendje që shohim. Gjithçka tjetër pastaj shndërrohet në ngjarje, që vjen tek njerëzit si skandale, korrupsion, afera…
Mungesa totale e përgjegjësisë dhe llogaridhënies për shkak të ushtrimit të dhunës (në të gjitha format) sjell situatë të tillë, ku klasa politike s’ka më asnjë kredibilitet.
Shumë flitet për neglizhencë të afateve të marrëveshjes së fundit që u arrit ndërmjet faktorit ndërkombëtar dhe partive më të mëdha politike…
Kjo është produkt i atij mentaliteti që përshkrova më sipër. Nëse ka kapacitete reale demokratike, dhe nëse pak e duan Maqedoninë, ndërkohë që derdhin lot krokodili për të, do lejohet diçka shumë e thjeshtë: Liria!. Sistem i lirë zgjedhjesh, ku njerëzit do shprehin të lirë vullnetin e tyre. Një sistem të lirë drejtësie. Nëse s’kanë bërë gjë, nga se kanë frikë? Ose nëse shkojmë edhe më tej, përse do vësh nën kontroll gjithë sistemin juridik, kur gjithçka që bën do të duhej të ishte transparente?
Lojra të tilla nga të cilat qytetarët janë lodhur, vijnë vetëm për shkak të dëshirës për kontroll, frikës nga humbjet (jo vetëm në zgjedhje), mosbesimi i ndërsjelltë.
Megjithatë presionet ndërkombëtare do të vijojnë, dhe sa do që të zgjaten këto procese, për çka tendenca është evidente, gjërat do të lëvizin.
Si e vlerëson pozitën dhe opozitën shqiptare në këto momente delikate?
Nuk ka dilemë, nga gjithçka u pa e dëgjua, se pozita dhe opozita shqiptare, ajo që është në tavolinën e negociatave, është tolarente, në mos dhe më shumë, me konceptet e VMRO DPMNE-së. Kjo gjë perceptohet nga njerëzit dhe prandaj vijnë ato reagime dhe sidomos zhvlerësimi i tyre dhe zhgënjimi ndaj tyre. Sado që këto parti thonë se bëjnë çmos që të mbrojnë njerëzit, fakti dhe tendenca për të justifikuar gjithë atë që ndodhi me përgjimet, shkon në kundërshtim me ndjesitë dhe bindjet e njerëzve për VMRO DPMNE-në. Aq të humbur dhe deligjitimuar janë sa që krijohet një hapësirë boshe mes vullnetit të njerëzve dhe kanalizimit të këtij vullneti, që në rrethana normale do ishte pikërisht përmes subjekteve të tjera (të reja ose jo) politike. Kjo hapësirë sa krijon shanse të reja, aq edhe sjell rrezik sepse mosartikulimi i strukturuar i vullnetit të njerëzve krijon përplasje të tjera shoqërore. Por kjo është një çështje tjetër.
Prandaj ndërkohë në horizont kemi edhe nisma dhe parti të tjera. Por në mendimin tim, po aq të pa artikulurara dhe të paqarta. Shfaqja e konflikteve mes tyre ende pa u formuar mirë, dhe në vend që të merren në mënyrë konstante me realitetet e rënduara, vetëm sa verifikon në sytë e njerëzve imazhin se duan të kopjojnë partitë në rënie. Në vend një artikulim i ri politik, ata riciklojnë imazhin e konflikteve. Prandaj dhe mbështetja e tyre është e kufizuar, ndërkohë që me gjithë këtë pakënaqësi do të duhej të kishin më shumë mbështetje.
Situata aktuale them se do sjellë shumë humbje kolaterale, por mbase do të sjellë një mundësi për vetëdijesim. Dhe vetëm atëherë do të mund të shfaqet një retorikë të re, e mbështetur në ide dhe dije reale dhe sidomos në traditën e politikëbërjes shqiptare, fuqishëm e rrënjosur drejt perëndimit dhe laicizmit, kjo ose nëpër strukturave aktuale politike ose të reja fare. Deri atëherë gjithçka do të mbesë derivat i gjendjes aktuale e mbështetur totalisht në interesa të vogla pa vizione dhe në mosdije.
Ka pasur një tendencë që edhe protestat të bëhen në frymën e konceptit “qytetar të shtetit”, por kjo mbeti në harresë menjëherë pas Marrëveshjes së Përzhinos. Cili është vlerësimi juaj për konceptin “qytetar të shtetit”?
Ka dy momente këtu. E para, reagimi mbarë popullor dhe përtejetnik erdhi si produkt i imazhit se gjithçka në shtet diktohet nga VMRO DPMNE dhe prandaj dhe revolta e çdo qytetari (shqiptar e maqedonas, e të tjerë) iu drejtua kësaj strukture politike. Sepse perceptimi ishte se kjo strukturë vendos për fatet e të gjithëve. Dhe në këtë aspekt, shqiptarët e dhanë mesazhin e tyre me prezencën relativisht të madhe në protestën e opozitës. Me këtë u dha dhe një mesazh shoqëror, si asnjëherë më parë se njerëzit mund të pranojnë koncepte përtej etnike.
Por momenti i dytë është tashmë barrë e subjekteve maqedonase. Janë ato që duhet të sheshojnë frikërat nga realiteti multietnik brenda etnisë së tyre dhe të pranojnë pa hezituar çështjet e hapura që janë kërkesa shqiptare. Tu sqarojnë maqedonasve se të drejtat e shqiptarëve nuk rrezikojnë asnjë. Në të kundërt, ky moment do të zhytet. Kam frikë se retorika nacionaliste do të rritet, sepse do të përdoret si mashë për interesa partiake dhe do të mbetet të shihet se si pjesa tjetër e subjekteve maqedonase që prezantohen më liberale, do të përballet me frikën e humbjes së mbështetjes nga vetë maqedonasit. Të mbetur në këtë rreth vicioz, ky koncept do të mbetet vetëm ideal. Në një situatë të tillë të gjithë do t
i rikthehen gjirit etnik. Prandaj është momenti që liderë maqedonas të jenë të guximshëm dhe të mbështesin dhe artikulojnë një vizion të ri për Maqedoninë. Në të kundërt do të kemi vetëm një shfaqje të vjetër me aktorë mbase të rinj, të asaj çka shohim. Ironia është se e gjithë klasa politike thotë se koncepti qytetar është e ardhmja, por askush nuk punon për këtë. Dhe ky koncept arrihet kur të gjithë qytetarët janë të barabartë, që nuk është e pamundur më.
Por nëse sheshohen “problemet” me karakter etnik, mbesin problemet reale për t`u zgjedhur. Ato janë më të vështira se sa tensionet ndëretnike që prodhojnë vetëm emocione dhe tejkalohen po vetëm me emocione.
Cili është vlerësimi juaj për këtë indiferencë të intelektualëve tanë? A mos po presin të emërohen ministra dhe ambasadorë në të ardhmen?
Shikoni, në esencë angazhimi i intelektualëve nuk është asgjë e keqe. Nëse janë të aftë ata mund të kontribuojnë më së miri. Por indiferenca e tyre është e pafalshme.
Një akademi e tërë shkencash, hesht dhe hesht për gjithë këto fenomene. Dhe sërish imagjinoni, janë njerëz me status dhe të siguruar dhe s‘kanë guxim të flasin. Kanë frikë se mos ndodh çoroditje e komoditetit në të cilën gjenden? Nëse do të ndodhte të sulmoheshin sepse japin kontributin e tyre, ky do të ishte zgjim për të gjithë. Por ata heshtin dhe humbasin kështu shansin për të qenë model, por edhe për të dhënë dritë në tunelin e errët të situatës politike. Të kapur në këtë gjendje, nuk e di nëse mund të quhen intelektual në terma filozofik. Në këtë kuptim intelektual janë ata që japin kontribut edhe për zhvillimin e shoqërisë, në të kundërt mbesin vetëm profesionistë të fushave përkatëse si çdo profesion nga më i rëndomti e deri tek akademikët.
A po e jetojmë diktaturën demokratike sui generis?
Jo asgjë s’është sui generis. Është naive dhe patetike, por shumica e njerëzve mbase nuk e dinë dhe prandaj roli i intelektualit është i domosdoshëm. Prandaj mos veprimet e tyre janë të pafalshme. Gjithçka është e parë, e shkruar dhe e jetuar. Njerzit do të duhej ta dinin ose tua kishin thënë. Ky është roli i intelektualit. Të flasin dhe të shpalosin atë që dinë. Dhe ata e dinë mirë se asgjë nuk është siu generis, por kopje e shëmtuar e mendësive të prapambetura, që na zvarrit të gjithëve prapa.
Si e vlerësoni situatën me aferën e fundit në partinë në pushtet të Telekomit ku përmendet një shumë prej 5 milion euro mitmarrje e zyrtarëve më të lartë të kësaj partie?
Është një dëshmi e dhënë para një gjykate amerikane. Dëshmia nëse është e vërtetë ose jo, do të duhet të verifikohet. Por e gjitha kontribuon në atmosferën jo të përshtatshme për BDI-në e krijuar edhe nga vetë funksionarët e saj. Që nga ato lokalë e më të vegjël e deri të më të lartit që vazhdimisht përfolen për fenomene jo të këndshme. Nuk është në etikën time prej gazetari që të përmend gjëra që s’janë të konfirmuara. Nga ana tjetër, shohim reagime të tipit se gjithë bota ia ka fajin BDI-së, vetëm ajo vetë s’ka gisht në asgjë. Kjo qasje, sidomos thënia “stranski slluzhbi” që përdoret nga VMRO DPMNE dhe të cilës askujt nuk i beson, krijon edhe më shumë mosbesim. Por sërish, gjëra të pakonfirmuara nuk do ti komentoja, po kam përshtypjen se njerëzit do besojnë atë që duan bazuar edhe nga përvojat e tyre me zyrtarët e kësaj partie. Fatkeqësia e tyre është se marrin për model, me sa duket, veprimin e VMRO DPMNE-së, që solli këtë gjendje. Ndërkohë ka shumë mënyra tjera veprimi dhe sjelljeje, por që duhet ti dish.
Kriza e klasës politike shqiptare është edhe kjo, se marrin për model veprimin politik maqedonas, i cili po dëshmohet se është nën të gjitha nivelet. Ndërkohë djem e vajza që dinë të bëjnë politikë ndryshe as që kanë pasur dhe aq që ju jepet shans. Në fund e gjitha është të mungesa e diturisë dhe i krijimit të përshtypjes së secili mund më merret me politikë. Por jo. Ja kjo është pasoja.
Cilat do të duhej të ishin paradigmat për daljen nga kjo krizë politike?
Liria! Të lihen njerëzit lirshëm të zgjedhin. Ndërtimi i një sistemi që e garanton këtë dhe jo ngritja e sistemeve manipuluese. Mbështetja e dijes dhe nxënies. Krijimi i këtyre modeleve e jo mbështetja e utopive dhe injorancës. Duket e thjeshtë, por vetëm për ata që kanë cilësi dhe kapacitete. Në të kundërt të gjitha sa më sipër shtypen. Sidomos nga gjysmakët. Se ata e dinë mirë sa s’dinë por për të dalë në sipërfaqe, sa herë që kanë pushtet sulmojnë të aftit, sidomos brenda llojit të tyre. Liria është përgjegjësi e madhe ose e thënë ndryshe: Me pushtetin e madh, vjen edhe përgjegjësi e madhe. Kaq e thjeshtë është, por vetëm nëse e kupton!
Thuhet se kriza nuk është vetëm politike por edhe morale. Dua një vlerësim tuajin…
Po sigurisht që është dhe morale. Përgjegjësia ka të bëjë me faktin njerëzor të të pranuarit të gabimeve. Fjala “Më fal” është e madhe dhe thuhet vetëm nga njerëz të mëdhenj.
Dhe nuk bëhet fjalë gjithmonë për ndëshkime. Si në përditshmëri, mund të kesh dëshirën më të mirë, por mund të kesh marrë një vendim të gabuar. Ne s’kemi parë deri më sot asnjë element përgjegjshmërie. Ka raste madje ku njerëzit me vota kanë dënuar zyrtarë të lartë dhe sërish ata janë promovuar në funksione të tjera. Rastet e tilla e bëjnë krizën edhe morale. Japin mesazhin se politika nuk mërzitet shumë për opinion e njerëzve dhe kjo arrogancë shkakton krizë morale dhe shoqërore. Kjo tregon se interesat as që mërziten për opinionin e njerëzve. Në të kundërt do të shihnim dorëheqje, largime apo dhe kërkim falje për veprime që dihet ose që koha i ka dëshmuar si të gabuara. Kështu dëshmohet se vetëm interesat kanë rëndësi. Dhe këtu moral s’ka më.
Si e shihni perspektivën e të rinjve në Republikën e Maqedonisë?
Një gjë do them për këtë pyetje, kam njohur dhe njoh njerëz të rinj e të zotë, vajza dhe djem me plot kapacitete, tejet më të mëdha e të fuqishme se klasa politike që i përfaqëson. Një pjesë e tyre largohen sepse lehtësisht gjenden jashtë për shkak të aftësive që kanë, të tjerë vuajnë përditshmërinë që dominohet nga injorantë me mbështetje të politikës dhe kjo u sjell frustrim atyre. Por: Perspektiva është në duart e tyre! Duhet ta marrin me gjithë vrullin e moshës! Shpëtimi është tek rikthimi i vlerave dhe idealeve të rilindësve tanë, me rrënjë thellë tek ato perëndimoret, por të risjella me teknologjinë, frymën, retorikë dhe modernizimin e kohës. /tesheshi.com/