Dy skuadrat që po i japin tonin kampionatit italian kanë bërë prapakthehu në Ligën e Europës. Napoli e Fiorentina nuk do ta vazhdojnë më rrugëtimin e tyre në këtë aktivitet, pasi u eliminuan në takimet e mbrëmshme.
Napolitanët e kishin humbur ndeshjen e parë në Spanjë ndaj Vilarealit me rezultat minimal, dhe goli i shpejtë i shënuar nga kapiteni Hamshik në minutën e 17-të krijoi iluzionin e një fitoreje dhe kualifikimi të lehtë. Por barazimi i miqve në pjesën e dytë i bëri lojtarët e Napolit të kuptonin se kaq e pati dhe aventura e tyre në Ligën e Europës. Barazimi 1-1 i jep të drejtë Vilarealit që të vazhdojë më tutje.
Në Londër, Totenhemi nuk la asnjë mëdyshje me paraqitjen e vet. Mjaft në formë, londinezët e Totenhemit fituan pastër, 3-0, ndaj italianëve, me të cilët e kishin mbyllur në barazim 1-1 sfidën e para një jave.
Për të shpëtuar nderin e skuadrave italiane mendoi Lacio, që nën një shi të rrëmbyeshëm nuk e kurseu Gallatasarajin. Rezultati 1-1 i ndeshjes së shkuar mori si përgjigje një fitore 3-1 për lacialët, që i kualifikon ata për në turin pasardhës. Pjesa e dytë qe veçanërisht e tëra në zotërim të italianëve, përkundër një ekuilibri në pjesën e parë.
Për 1/8-tat e kësaj veprimtarie u kualifikuan edhe Fenerbahçe, Borusia e Dortmundit, Anderlehti, Mançester Junajtedi e Sevilja, Valencia e Liverpuli, Atletik Bilbao e Bajer Leverkuseni, për të përmendur ekipet më të spikatura. /tesheshi.com/