Vizita në Berlin e kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi, ka përgatitur terrenin për riprocedimin dhe votimin pro Gjykatës Speciale. Kjo e fundit nuk u votua në Kuvend, për shkak të mosunifikimit të deputetëve të PDK-së. Thaçi i premtoi kancelares Merkel se do t’i bindë deputetët e tij që ta votojnë Gjykatën.
Z/kryeministri, Hashim Thaçi, i ka dhënë garanci të fuqishme kancelares gjermane, Angela Merkel, se do t’i bindë deputetët e partisë së tij që ta votojnë Gjykatën Speciale, e cila shumë shpejt do të riprocedohet në Kuvendin e Kosovës. Thaçi ia ka dhënë këtë zotim gruas më të fuqishme në botë, pas dështimit të votimit të Speciales në Kuvend, ku deputetët e PDK-së nuk ishin unikë, për dallim nga ata të LDK-së.
“Kemi siguruar kancelaren se Kosova shumë shpejt do ta themelojë Gjykatën Speciale dhe do t’i kryejë obligimet tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Thaçi.
Kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në kryeqytetin gjerman po ashtu premtuan se me t’u kthyer në Kosovë do ta ripocedojnë në Kuvend të Kosovës çështjen e Dhomave të Specializuara.