Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, udhëtoi sot drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në konferencën rajonale të radhës të “Western Balkans’ 6”.
Në këtë takim, do të diskutohet për rrjetin bazë të ndërlidhjes së autostradave dhe të linjave hekurudhore. Rrjeti bazë në rajon pritet të përfundohet deri në vitin 2030.
Kosova po punon në përfundimin e pjesës së saj të rrjetit bazë, ku bëjnë pjesë Autostrada R7 e cila është afër përfundimit dhe R6 në të cilën ka filluar të punohet, si dhe linjës hekurudhore Hani i Elezit-Leshak e cila pritet të rehabilitohet. Kryeministri Isa Mustafa në vazhdimësi e ka potencuar se infrastruktura është parakusht për rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Pas takimit të “Western Balkans’ 6”, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, ka ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 24 raunde të dialogut Prishtinë-Beograd në nivel të lartë kryeministror, 23 mes kryeministrave të atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç dhe një mes kryeministrave Mustafa e Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet.
Para dy vitesh, në 19 prill 2013 është nënshkruar Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga Thaçi e Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, Baronesha Catherine Ashton.
Në 25 mars 2015, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ishte mes pjesëmarrësve në Prishtinë në konferencën rajonale “Western Balkans’ 6”, ku kishte edhe takim me ministrin e Jashtëm të Kosovës Hashim Thaçi.
Në fund të konferencës ministrat u pajtuan rreth Deklaratës së Përbashkët. Deklarata përmbledhë pikat për të cilat u pajtuan ministrat në konferencë. Ndër pikat kryesore është përkushtimi i ministrave të rajonit për avancimin e Procesit të Berlinit dhe angazhimi i tyre që Samiti i Vjenës të sjellë rezultate konkrete, duke përfshirë pajtimin që të ndërtohet Rrjeti Bazë duke u mbështetur në marrëveshjen e arritur në mes të ministrave të transportit në takimin e tyre në Bruksel, më 18 mars. Si aneks, Deklaratës së Përbashkët i është bashkëngjitur lista me projektet konkrete që do të përpilohen.