Krerët e shtetit të Kosovës nuk lënë ditë pa përmendur shtetet mike si mbështetëse në rrugën e integrimeve euroatlantike, por kur marrin kritika nga ndërkombëtarët për një proces të caktuar, nuk hezitojnë të tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë.
Mos liberalizimi i vizave për Kosovën është dëshmi se si drejtuesit e shtetit tonë nuk pranojnë dështimin, por fajin e hedhin tek ndërkombëtarët.
Një gjë të tillë e ka bërë sot presidenti Hashim Thaçi i cili ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos vazhdojë me kushtëzimin e saj për heqjen e vizave për qytetarët e vendit, pasi, për bindjen e tij, Kosova ka bërë më shumë progres se të gjitha vendet tjera të rajonit, në drejtim të përmbushjes së standardeve europiane.
Thaçi ka thënë se vazhdimi i kushtëzimit të heqjes së vizave për qytetarët e vendit me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit nga institucionet do të dëmtojë kredibilitetin e Bashkimit Europian në Kosovë.
“Qasja jo plotësisht e drejtë e Bashkimit Europian ndaj Kosovës po ua pamundëson qytetarëve të vendit lëvizjen e lirë pa viza. Vendi ka bërë më shumë se çdo vend tjetër në rajon, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çdo kushtëzim i mëtejshëm i vizave me këtë luftë, do ta dëmtojë kredibilitetin e BE-së në Kosovë. BE-ja mund të mos jetë e shqetësuar me kredibilitetin e saj në vend, por kjo nuk mund të kalojë pa pasoja të caktuara”, deklaroi sot Thaçi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kundër Korrupsionit.
Nuk duhet harruar se pikërisht Thaçi muaj më parë pati “kërcënuar” BE-në në Prishtinë me organizim të protestave nëse nuk hiqen vizat për kosovarët, por që kuptohet më pas u sbraps nga ky “kërcënim”./tesheshi.com/