Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov njoftoi të enjten se Moska do të përgjigjet me masa reciproke ndaj sanksioneve të reja të Uashingtonit mbi kompanitë dhe individët rusë.
Ai tha se Rusia po analizon “listat e zeza” të SHBA, dhe se për momentin, sanksionet e SHBA kanë prekur gati 450 subjekte ekonomike ruse.
“Sanksionet prekin energjinë dhe kompanitë ushtarake, si dhe shumë subjekte të tjera të mëdha dhe të vogla dhe një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve shtetërorë. Në këtë rast, ne patjetër do reagojmë me një përgjigje reciproke”, ka thënë Ryabkov.
Ai shtoi se Moska nuk planifikon të pezullojë dorëzimin e motorëve të raketave në Uashington, as të eksportojë titan në SHBA të destinuar për industrinë e aviacionit amerikan.
Të mërkurën, u njoftua se sanksionet e reja të SHBA do të hynin në fuqi ndaj Rusisë, pasi administrata Trump konfirmoi kufizimet për katër kompani dhe dy qytetarë rusë.
Ndërsa Trump tenton marrëdhënie më të ngushta me presidentin Putin, administrata e tij rrit presionin ekonomik mbi Moskën, sepse, siç tha, nëpërmjet ndërhyrjeve në Ukrainë dhe Siri, Rusia përpiqet të destabilizojë demokracitë perëndimore.
Që nga fillimi i vitit 2017, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 217 sipërmarrësve rusë, zyrtarëve, kompanive private dhe shtetërore, duke përfshirë 14 banka dhe 20 kompani nga sektori i energjisë.
Këtë vit, 60 diplomatë rusë u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara, duke u akuzuar si spiunë. /tesheshi.com/