Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Ҫollaku ka uruar qytetarët e Kosovës për dy nga ngjarjet më të rëndësishme në pritje për të ndodhur: liberalizimin e vizave dhe pranimin në UEFA.
Nesër pritet që Kosova të pranohet në UEFA, kurse ditët e ardhshme pritet që të bëhet rekomandimi për liberalizimin e vizave. Ndërsa vet procesi i liberalizimit parashihet të marrë së paku disa javë.
Por, Ҫollaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se është i bindur se këto dy procese të rëndësishme për Kosovën do të përfundojnë me sukses.
“Filluam javën e re, që natyrshëm do të ketë lajme dhe zhvillime të reja. Për më tepër, jam shumë i sigurt se do të jetë një javë shumë dinamike dhe e mbushur me lajme historike për shtetin tonë të ri. Këto lajme që do vinë, edhe pse të vonuara pa fajin tonë, do të gëzojnë shumë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Me lejoni të marr guximin dhe paragjykoj sukses të plotë të Kosovës i cili është plotësisht i merituar. Prandaj, në mënyrë krejt të pazakonshme, iu uroj paraprakisht të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për sukseset historike të kësaj jave”, ka shkruar Ҫollaku. /tesheshi.com/