Ministri i Rendit Sandër Lleshaj tha se vrasësi kryesor në Shqipëri janë aksidentet rrugore; sipas tij, më shumë se sa sëmundjet.
“Aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda. Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi”, tha Lleshaj në Konferencën e Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020”.
Gjithsesi, referuar statistikave, ai tha se pak vite më parë ka qenë akoma më rëndë situata.
“Në Shqipëri numri i fataliteteve prej aksidenteve rrugore ka njohur një trajektore me ulje të theksuar. Në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40 %. Ky është një lajm jashtëzakonisht inkurajues. Por përsëri shqetësimi mbetet i lartë”, theksoi Lleshaj.
Por ai arsyetoi se çfarë ndodh sot në rrugë, shfaqet tragjike kudo në botë.
“Në rrugët e botës vetëm në një javë vriten dhjetra mijëra njerëz, pothuajse një numër i barabartë me atë që mund të rezultonte nga rrëzimi i 56 avionëve të mëdhenj (jumbo jet) të mbushur me pasagjerë, por ato nuk arrijnë të gjejnë vëmendjen e duhur”, theksoi Lleshaj.
Ministri tha se “Bashkimi Europian po punon për realizimin e ambicies të quajtur “Vizioni Zero”, që synon afrimin tek shifra zero e viktimave në qarkullimin rrugor në vitin 2050”.
“Edhe tek ne, nëse do trajektorja e numrit të viktimave në aksidente do të ndjekë tendencën e viteve të fundit, ky objektiv mund të arrihet”, theksoi Lleshaj. /tesheshi.com/