Gazetari Milaim Zeka, në një intervistë dhënë për portalin tesheshi.com, ka folur në mënyrë të hollësishme për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kuvend, për veprimet e opozitës, për ofertat që ia ka bërë Thaçi të cilat i ka refuzuar, poashtu ka treguar se cili është lider më i ”fortë” Thaçi apo Rama.
Zeka ka folur edhe për mazhorancën dhe opozitën në Shqipëri, për punën e bërë nga kryeministri Rama dhe për ish-liderin e PD-së Sali Berisha dhe liderin aktual Lulzim Basha.
Flet gjithashtu dhe për profesonin që ushtron me vite, gazetarinë, për fatin e mediave të shkruara dhe portalet, në përgjithësi si i sheh mediat në Kosovë dhe Shqipëri…
Nga Blendi Gashi
Pyetja e parë dhe e pashmangshme është bllokimi i Kuvendit. Kush po e bllokon, si e shihni zgjidhjen dhe cila parti fiton nga ky lëmsh politik?
Mendoj që bllokimi i Kuvendit përjashtuar LDK-në, është në mënyrë absolute i qëllishëm nga një bashkëveprim i PDK-së, VV-së dhe NISMA-s. Të gjitha këto parti kanë një interes të përbashkët, dëshirojnë ta shtyejnë formimin e Gjykatës Speciale pasi liderët dhe deputetët e këtyre partive do të preken që të gjithë. Prandaj të gjithë janë bashkë.
Është kjo arsyea e vetme?
Absolut. Nuk e kanë problem Zajednicën, kufirin me Malin e Zi. Dihet në rregulla ndërkombëtare se plot vende siç është Austria me Italinë, njerëzit që posedojnë prona private nga Austria dalin dhe punojnë tokën në Itali dhe e kundërta.
Sa i përket Zajednicës, hyrja në Bashkimin Evropian nënkupton që ne do të jemi Zajednicë të Bashkimit Evropian, edhe Shqipëria do të jetë Zajednicë.
Nëse nuk ulen tensionet a pritni që të ketë përleshje mes deputetëve?
Seancën e fundit, nuk po e them për ndonjë mburrje por meqë jemi koleg gazetarë, mund të dëshmohet dhe faktohet, duke falënderu një informator ndërkombëtari që ma ka dhënë një informacion, mund të them se kam qenë faktori numër një që e kam shpëtuar Parlamentin pa u djeg. Plani ka qenë me u kallë Parlamenti atë natë.
Kur dola me lajm rreth orës 12:00 që janë njëzet vetë të aramatosur të opozitës me kallasha A47, dhe ishin dy vetë me zola që prisnin urdhërin prej liderëve të opozitës me gjuajt Parlamentin, atëherë janë alarmuar amabasadat e huaja dhe KFOR-i dhe kanë shkuar natën në Parlament, dhe dihet se me kënd kanë bisedu, por nuk po dua me dekonspiru informatorin tim që ka qenë një informator ndërkombëtar.
Edhe PDK i kishte njerëzit e vet në gjendje gatishmërie, të cilët ishin barrikadu në zyrat e PDK-së derisa të tjerët ishin në shesh, ka qenë rrezik i madh për gjakderdhje.
Po veprimet e opozitës si i shihni?
Veprimet e opozitës janë shumë të ulta, shumë të poshtra, janë në mënyrë absolute për interesa partiake, jo për interesat e Kosovës. Ky popull nuk ka punë, nuk ka perspektivë, këtë popull e kanë rrjep klasa politike, pozitë dhe opozitë. Imagjinoni kur del dhe flet çifti i Fatmir Limajt kundër korrupsionit, kjo është identike si një prostitutë në Hamburg me fol për virgjinitet.
Është veç Fatmiri i tillë siç thoni, apo…?
Fatmirin e mora si shembull se as të tjerët nuk janë më të mirë se Fatmiri, pastaj mos të flasim për këta të cilët janë në pozitë.
Koalicioni PDK-LDK do të çoj mandatin deri në fund apo do të prishet?
Unë kam bërë një analizë të mëhershme që ky është një koalicion i dhunshëm, por do ta çojnë mandatin apo jo deri në fund, kjo shumë varet prej ndërkombëtarëve. Zhvillimet politike nuk varen nga ne, as në Kosovë, as në Shqipëri.
Edhe sa vite e shihni në skenën politike kryeministrin Mustafa?
Isa Mustafa duke qenë njeri akademik nuk është dashur ta pranoj postin e kryeministrit. Po të isha në vendin e tij personalisht nuk do ta pranoja. Unë prej vitit 1979 e deri sot kam qenë pjesë e të gjitha proceseve politike, kombëtare, nuk kam qenë thjesht vetëm gazetarë.
Kam pasur mundësi të marr poste të llojllojshme, kam pasur oferta për ambasadorë, për ministër, nuk kam pranu sepse kam menduar që në momentin aktual isha bërë më i zi se këta.
Është kriju një sistem në Kosovë dhe Shqipëri, sistemi i hajnisë që mund të ecësh përpara vetëm përmes hajnisë.
Shikoni deputetët në Shqipëri, 90 përqind janë kriminelë ekonomikë, 10 përqind dalin që janë edhe vrasës dhe shikoni korin e gazetarëve në Kosovë dhe Shqipëri ku 80 përqind e kolegëve janë kriminelë që në kushte normale do të duhej me u burgos, kriminel që kanë kriju pasuri marramendëse me rroga 200-300 euro. Kanë bërë shtëpia e kanë blerë makina milionëshe, krejt këto i kanë bërë kundër ligjit.
Deklaruat se Mustafa nuk është dashur ta pranoj postin e kryeminsitrit, pse e ka pranuar sipas jush?
Së pari ka qenë një luftë e brendshme. Sa i përket dosjeve që ja përmend opozita, as që mërzitet Mustafa, pasi në një vend siç është Kosova dhe Shqipëria kur nuk ekziston një institucion që quhet Prokurori, një popull që nuk i frikësohet prokurorit nuk i frikësohet as Zotit. E ka pranu sepse ka qenë një kombinim i dhimshëm. Por, ka disa njerëz që janë të pangopur në politikë, para dhe seks.
Treguat se keni pasur disa oferta për të marrë poste politike. Cila ka qenë oferta më e mirë?
Kam pasur ofertë për t’u bërë ambasador në Emirate të Bashkuara nga PDK, në mandatin e dytë. Oferta më është bërë nga Thaçi por nuk e kam pranuar.
Pse e refuzove, ia ke thënë Thaçit arsyet?
Arsyeja ka qenë se unë nuk e konsideroj veten që jam adapt për ambassador, e para. E dyta, me rrogat e dobëta që i kanë ambasadorët tanë, unë e di që nuk kisha mundur me jetu në Emirate të Bashkuara. Unë kam qef me qenë zotni. Nëse jam gazetar kam qef me qenë zotni gazetar. Thjesht, jam shumë idealist, duke qenë i tillë dhe jetuar në Suedi, tërë jetën time nuk korruptohem lehtë.
I përmendet më herët liderët, si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë. Është më i “fortë” Thaçi apo Rama?
Konsideroj që për momentin, lider politik në Ballkan më i forti dhe më i preferuari është Edi Rama. Pavarësisht gabimeve dhe gjynaheve që i ka bërë dhe i bën, është shansi i fundit për Shqipërinë që ai të bën diçka. Duke qenë neve një komb që flasim një gjuhë, por që jemi dy mentalitete krejt të kundërta, sepse çështjen kombëtare e kuptojmë ndryshe, problemet sociale, politike, seksuale krejt ndryshe, atëherë unë konsideroj që Rama është njeriu më adapt me dërgu Shqipërinë drejt anëtarësimit Evropian.
Çfarë ka bërë të mirë deri tani në këtë mandat Rama e çfarë jo?
Edi Rama ka bërë shumë gjëra të mira në Tiranë si kryetar i Bashkisë. Ka qenë trishtim me pa Tiranën me kiosqe, me ndërtime pa leje.
Si kryeministër i ka hyrë bregdetit me pastru. Por, çfarë i ka bërë Shqipërisë Sali Berisha, pak ja ka bërë Enver Hoxha, prandaj për Edi Ramën është shumë e vështirë.
Në mandatin e tij si kryeministër Rama është marrë me politikën e jashtme. Ka tregu jashtëzakonisht sukses në atë drejtim. Fati i tij është se ka një opozitë shumë irrituese. Me u shpreh kosovarqe, Sali Berisha është lulë e dritë në krahasim me Lulzim Bashën.
Askush në Shqipëri, njerëz intelektualë dhe njerëz të Partisë Demokratike me të cilët unë flas dhe kam kontakt, nuk ka simpati për Lulzim Bashën, sepse është mashtrues, rrenc, shikoni mënyrën se si ec, flet, është imitator origjinal i Enver Hoxhës. Ai mendon se kur mban fjalime, jo Shqipëria po krejt globi e ndëgjojnë.
Por, si arriti pra të bëhet kryetar i PD-së?
E bëri kryetar vajza e Sali Berishës. Të gjitha ofertat në Shqipëri Lulzim Basha i ka arrit përmes Argitës. Kanë punu bashkë në UNMIK dhe ka shpërthy frontin përmes vajzës së Berishës.
Nga kjo që thoni i bie se të gjithë në PD dëgjojnë çfarë thotë vajza e Berishës?
Jo krejt. Ju e dini se PD në Shqipëri është shumë e përçame. Shikoni largimin e Mesila Dodës. Pikërisht PD nuk po dëshiron t’i hap dosjet e sigurimit, pa i hap dosjet nuk qetësohet vendi.
Cila politikane në Kosovë dhe Shqipëri është më e zonja?
Unë të vetmen politikane e konsideroj presidenten e Kosovës, që është një njeri i ndershëm. Vështirë e kanë disa njerëz të kuptojnë të flas për Atifete Jahjagën, se çfarë do të thotë presidentja e ndershme, korrekte e pakorruptuar, por aspak e meqme.
Pse i meqëm ka qenë Xhorxh Bushi, i meqëm ka qenë Regani? Aspak, por kanë qenë president të superfuqisë. Presidenti nuk duhet me qenë i meqëm por i ndershëm. Atifete Jahjaga është njeriu më i mirë i mundshëm dhe njeriu më i respektuar në botën perëndimore që e kanë shqiptarët.
Po në Shqipëri cilën politikane e kishe veçuar?
Në Shqipëri e kam një idol që nuk është as deputete as politikane, Ema Andrea, është aktore.
Të kthehemi tek gazetaria, profesioni juaj. Gazetari më profesionale bëhet në Kosovë apo Shqipëri?
Gazetaria më profesionale është në Shqipëri, kurse në Kosovë më e ndershme. Në Kosovë është më e ndershme sepse ka pasur një lloj kontrolli nga ndërkombëtarët. Kosova ka traditë shumë më të gjatë në gazetari të lirë se në Shqipëri.
Gazetaria në Shqipëri është skandaloze. Debatet që bëjnë televizionet e Shqipërisë qoftë në TV Klan ose në Top Channel ua kisha ndaluar njerëzve t’i shikojnë.
Fati i mediave të shkruara… Po punën e portaleve si e vlerësoni?
As në Kosovë as në Shqipëri nuk ka ligj për portalet dhe krejt njëri-tjetrit ia vjedhin tesktet dhe kështu po mbijetojnë.
Kurse fati i gazetave edhe në botë është shumë i lëkundshëm, është bërë iphone sot gazetë.
Cili ka qenë rreziku më i madh që ke përjetuar (si gazetar)?
Unë në jetë edhe në luftëra kam pasur shumë rreziqe. Sot rreziku më i madh me qenë gazetar hulumtues në Kosovë dhe Shqipëri, sepse shteti andej dhe këtej është i lidhur me mafiozë dhe biznesi në të dyja shtetet është i ndërtuar mbi bazën e ligjeve mafioze.
Për fund, na tregoni ku e sheh Milaimi vetën pas 10 vitesh, ende në gazetari?
Pas dhjetë vitesh mendoj me jetu diku afër detit qoftë në Stokholm ose në Shqipëri, me shkru memoare, një qen afër vetës dhe kështu. /tesheshi.com/