Ilir Meta pretendon se zotëron formulën e një krize rajonale e më gjerë, të cilën deri më tani askush s’e zgjidh dot.
Duke injoruar me kast ose me padije faktin se lindshmëria e ulët është një krizë europiane, po ashtu siç ikjet që janë krizë pak më shumë se rajonale, së bashku me shpopullimin që haset kudo në kontinent, njeriu që synon të vijë në pushtet “për inat të Ramës”, bën konstatimin e madh: “Shpopullimi po e tkurr dhe po e plak Shqipërinë. Një tjetër tregues negativ për vitin 2022, ku për tre mujorin e dytë regjistrohen 14.8% lindje më pak”, shkruan Meta, tashmë në krye të partisë me emër të ri, jo LSI.
Ai vijon më tej të thotë se mund ta zgjidhë këtë krizë, pikërisht partia e tij.
“Partia e Lirisë si një forcë e përkushtuar për të çrrënjosur shkaqet e shpopullimit do të ketë një program të veçantë për të mbështetur fuqimisht familjet e reja, që të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të lindin me guxim dhe gëzim fëmijët e tyre në një vend të sigurt, që kujdeset me dashuri dhe përgjegjshmëri për të ardhmen e tij”, shkruan poetikisht Meta, tashmë që nuk ka asnjë përgjegjësi qeverisëse, ndërkohë që në kohën kur e pati Shqipëria vuante nga të njëjtat plagë dhe ai nuk solli asgjë të re me “idetë e tij”.
Pyetja që mund t’i bëhet në këtë rast është: a mund ta marrë Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Bullgaria, Rumania, madje dhe Italia me të njëjtën krizë, “formulën magjike” të tij? /tesheshi.com/