Nga Presidenca ka ardhur një tjetër reagim në kuadër të krizës së Kushtetueses, ku zëdhënësi i Metës ka paralajmëruar se eprori i tij president, është gati që reagojë me popullin nga pas, e kjo në rast se parlamenti i heq kompetencën e betimit të krerëve të rinj të institucioneve të dala nga Reforma në Drejtësi.
“Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e Lana Kushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit! Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!”, shkruan zëdhënësi Blushi.
Çështja e betimit doli në pah në rastin e Arta Vorpsit, anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese votuar nga parlamenti, por që presidenti nuk e njeh si të tillë, duke zgjedhur të katërtën në listë, Marsida Xhaferllarin, të cilën nuk e njeh parlamenti nga ana tjetër, por dhe BE, ku ditë më parë, zëdhënësja Koçijançiç, tha se sipas Kushtetutës nuk është ajo (Xhaferllari), anëtarë e re e saj.
Znj.Vorpsi noterizoi një betim të saj duke e dërguar aktin me zarf në Presidencë, kjo në respekt të procedurave, por që nga Presidenca e nga opozita gjithashtu së bashku më ithtarë të saj, u përkthye si “betim te noteri”. /tesheshi.com/