Presidenti Ilir Meta zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë në Tiranë në cilësinë e kreut të qeverisë.
Zyra e shtypit pranë Presidencës, bëri të ditur se gjatë takimit, Meta shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane”
Ai theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona.
Gjithashtu Meta përshëndeti gatishmërinë e Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proçes pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit.
Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se proçesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane.
Meta vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin. /tesheshi.com/