Skuadra që në 2010-tën fitoi kampionatin italian, Kupën e Italisë e Champions League-n, do të jetë tani e tutje nën kontrollin e kinezëve.
Veç kësaj, ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, i jep fund lidhjes së tij me klubin, duke i shitur aksionet që zotëronte. Ai do të vihej në krye të Interit në vitin 1995, kur dhe u bë president i tij, për t’u larguar 21 vite më vonë.
Suning Commerce Group, një kompani kineze, ka vendosur t’i blejë 69 për qind të aksioneve të Interit, për një shumë prej 280 milionë eurosh.
Megjithatë, Erick Thohir, afaristi indonezian, edhe pse tani do të ketë vetëm 31 për qind të aksioneve, do të vijojë të jetë presidenti i Interit.
Ashtu siç nuk do të ketë ndryshime në drejtimin sportiv të ekipit, me Roberto Mancini-n trajner, e me të njëjtin emër për shef ekzekutiv, Michael Bolingbroke.
Suning Group zotëron po ashtu dhe klubin kinez Jiangsu Suning.
Dhe klubi tjetër i të njëjtit qyteti, Milani, është në bisedime me investitorë kinezë për një shitje të mundshme.
Të dy ekipet e Milanos e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm, me paraqitje aspak të pëlqyeshme në sezonet e fundit. /tesheshi.com/